Subvencionimi i fermerëve, dy javë afat për të përfituar nga fondi prej 4.4 miliardë lekësh - Business Magazine Albania

Subvencionimi i fermerëve, dy javë afat për të përfituar nga fondi prej 4.4 miliardë lekësh

Kanë mbetur më pak se dy javë nga afati kur fermerët mund të aplikojnë për të përfituar nga skema kombëtare e mbështetjes, e cila vë në dispozicion të fermerëve një fond prej 4.4 miliardë lekësh.

Aplikimet kryhen online, përmes portalit “e-Albania”, që ka qenë i hapur nga data 14 prill për t’u mbyllur në orën 24:00 të 30 majit. Skema Kombëtare synon të nxisë zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë, të rrisë prodhimin vendës dhe të përmirësojë konkurrueshmërinë e produkteve shqiptare në treg. Nga kjo skemë mund të përfitojnë fermerët individualë, grupimet e fermerëve, të cilët si vitin e shkuar, do të përfitojnë të parët pagesën në 100% të vlerës së aplikuar, personat fizikë e juridikë dhe shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor.

Ekspertët apelojnë që fermerët të kryejnë aplikimet pas informimit të saktë me zyrat rajonale bujqësore dhe agropikat në mënyrë që të mos gabojnë. Pritshëmritë janë që përfituesit të arrijnë mbi 60 mijë.

SI FUNKSIONON SKEMA

Fermerët që punojnë tokën do të kenë mundësi të aplikojnë deri më 30 maj për të përfituar pagesa cash për naftën që përdorin për punime të mekanizuara në bujqësi. Kriteret që duhet të plotësojnë fermerët për të përfituar nga skema e naftës janë që të kenë Nipt aktiv; tokë bujqësore në pronësi dhe/ose në përdorim, të provuar me dokumentacionin përkatës; sipërfaqja totale për të cilën aplikohet duhet të jetë jo më pak se 1 ha, ndërsa madhësia e parcelave, me sipërfaqe jo më pak se 0.1 ha.

Lexo edhe: Zyrtare/ Nga 1 qershori nis zbatimi i marrëveshjes për pensionet me Italinë

Do të konsiderohen të vlefshme edhe kontratat qiramarrjes apo huapërdorjes/dokument të ligjshëm të firmosur nga palët. Në rast se kontrata ose dokumenti janë të panoterizuara, duhet të jetë i konfirmuar nga njësia administrative dhe të përfshijë dokument identifikimi të palëve. Ato përmbajnë sipërfaqen totale dhe të parcelave të tokës bujqësore objekt qiramarrjeje/ huapërdorje, si dhe vendndodhjen e secilës parcelë. Kontrata/dokumenti përfshin edhe të drejtën e përdorimit të tokës për vitin 2025. Aplikanti vetëdeklaron kulturat bujqësore të mbjella ose që parashikon të mbjellë, sipas përcaktimeve të formularit të aplikimit online. Çdo parcelë, sipas dokumentacionit të pronësisë apo përdorimit, plotësohet me kulturën/kulturat përkatëse të mbjellë ose që parashikohen të mbillen.

Vlera e saktë që do të përfitojnë aplikantët fitues është e kategorizuar me vendim qeverie sipas kulturës së mbjellin. Sa i takon kultivimit të bimëve të arave, do të jepen 18,582 lekë/ha për kulturat pranverore si misër, fasule, luledielli, sojë, sorgum. 12,714 lekë/ha për bimët e lashta si grurë, tërshërë, thekër, elb, foragjerë njëvjeçarë, industriale (patate, duhan, panxhar, pambuk. Dhe 8,802 lekë/ha për foragjerë shumëvjeçarë, bimë aromatike-mjekësore. Në grupin e drufrutorëve, do të jepet pagesë për naftën për kultivimin e mollëve me 18,582/ ha, 15,648 lekë/ha për të gjitha llojet e frutave, ulli, agrume dhe vreshta si dhe 13,692 lekë/ha për arra, bajame, lajthi dhe gështenja të kultivuara si dhe 16,626 lekë/ha për të gjithë fidanët e bimëve farore, bërthamore dhe arrore. Sa i takon grupit të tretë, kultivimit të perimeve, pagesat për naftën variojnë nga 14,670 lekë/ha për të gjitha llojet e perimeve të fushës sezoni i parë, përfshi shalqi, pjepër, luleshtrydhe dhe 16,626 lekë/ha për të gjitha perimet e serës, sezoni i parë.

Fermerët përfitojnë deri në 100% të vlerës, me sipërfaqe deri në 10 ha, sipas përllogaritjeve të bëra. Për sipërfaqen mbi 10 ha, masa e përfitimit zvogëlohet me 50%, përjashtuar rastet e aplikantëve me status “Grup fermerësh” ose “SHBB”. Të gjitha aplikimet e kryera nëpërmjet e-Albania, i nënshtrohen procesit të kontrollit administrativ, që shqyrton përputhjet e vetëdeklarimeve, në lidhje me parcelat, sipërfaqet, kulturat dhe dokumentacionin që i mbështet këto deklarime. Pas kontrollit administrativ, aplikanti njoftohet mbi rezultatin e aplikimit (i kualifikuar/i skualifikuar).

Panorama

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.



Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0