Një studim i fundit ka zbuluar se shqiptarët paguajnë ndjeshëm më shumë për të njëjtat produkte që konsumojnë në tregjet e Bashkimit Europian. Studimi, i nxitur nga përvojat e përditshme të shqiptarëve dhe diskutimet mbi parimet themelore të ekonomisë, hedh dritë mbi një problematikë të rëndësishme në ekonominë shqiptare: diskriminimin e çmimeve.
Studimi merr shkas nga përvojat e shumë shqiptarëve që, kur udhëtojnë jashtë shtetit, vërejnë shpesh se në marketet e vendeve të Bashkimit Europian blejnë të njëjtat mallra që konsumojnë në Shqipëri, por me çmim ndjeshëm më të lirë. Ky fenomen, i diskutuar edhe në klasat e ekonomisë, veçanërisht ligji i çmimit të vetëm, tregon një paradoks në kontekstin shqiptar krahasuar me tregun e Bashkimit Europian. Për më tepër, me gjithë forcimin e konsiderueshëm të lekut ndaj euros gjatë vitit të fundit, në treg nuk është konstatuar ndonjë ulje çmimesh. Ky fakt është simptomë e mungesës së konkurrencës dhe ishte një arsye e rëndësishme për të analizuar seriozisht problematikën me të cilën përballet tregu shqiptar.

Studimi ballafaqon pritshmëritë e ndryshimeve të çmimeve për produkte të njëjtë, tregtuar nga të njëjtat kompani, sipas modeleve ekonomike, opinionit të biznesit në vend dhe konsumatorëve shqiptarë, me realitetin bazuar në informacionin mbi çmimet e tregtuara nga kompanitë. Pritshmëritë e biznesit dhe konsumatorëve janë marrë nga dy anketime të zhvilluara gjatë muajit maj të këtij viti. Informacioni mbi çmimet e produkteve të njëjta të tregtuara nga kompanitë europiane në Shqipëri dhe në vendet e BE nga ku kanë origjinën, është mbledhur nga faqet zyrtare të kompanive përkatëse.
Intervista me Ilir Ciko
Business Magazine: Si lindi nevoja për këtë studim dhe si e shtrite atë në nivel operacional?
Ilir Ciko: Studimi merr shkas nga përvojat e shumë shqiptarëve që, kur udhëtojnë jashtë shtetit, vërejnë se në marketet e vendeve të Bashkimit Europian blejnë të njëjtat mallra që konsumojnë në Shqipëri, por me çmim ndjeshëm më të lirë. Diskutimet me studentët mbi parimet themelore të ekonomisë, siç është ligji i çmimit të vetëm, që në kontekstin shqiptar rezulton paradoksal krahasuar me tregun e BE-së, më shtynë të analizoj më në detaje realitetin me të cilin përballemi. Për më tepër, fakti që me gjithë forcimin e konsiderueshëm të lekut ndaj euros gjatë vitit të fundit, në treg nuk është konstatuar ndonjë ulje çmimesh, ishte një arsye e rëndësishme për të analizuar seriozisht problematikën. Në thelb, studimi ballafaqon pritshmëritë e ndryshimeve të çmimeve për produkte të njëjta, tregtuar nga të njëjtat kompani, sipas modeleve ekonomike, opinionit të biznesit në vend dhe konsumatorëve shqiptarë, me realitetin bazuar në informacionin mbi çmimet e tregtuara nga kompanitë. Pritshmëritë e biznesit dhe konsumatorëve janë marrë nga dy anketime të zhvilluara gjatë muajit maj të këtij viti. Informacioni mbi çmimet e produkteve të njëjta të tregtuara nga kompanitë europiane në Shqipëri dhe në vendet e BE-së është mbledhur nga faqet zyrtare të kompanive përkatëse.
Business Magazine: Cilat ishin rezultatet dhe çfarë mësojmë prej tyre?
Ilir Ciko: Studimi tregon se, ndryshe nga parashikimet e modeleve teorike dhe pritshmëritë e drejtuesve të bizneseve (+2.7%) dhe konsumatorëve (+5.5%), çmimi mesatar i produkteve të shitura në tregun shqiptar nga tre kompani europiane është +79.7% më i lartë se çmimi mesatar i të njëjtave produkte të shitura në të njëjtën kohë dhe nga të njëjtat kompani në tregjet e BE-së. Diskriminimi më i lartë i çmimeve rezulton në kategoritë e produkteve të ushqimit për fëmijë dhe produkteve ushqimore (përkatësisht +147% dhe +107%, ose më shumë se dyfishi i çmimit të BE-së) dhe më i ulët në kategoritë e produkteve të mobiljeve të dhomës së ndenjes, produkteve kozmetike dhe kopshtarisë (përkatësisht +56%, +57% dhe +57%).
Business Magazine: Si e orienton tregun ky studim?
Ilir Ciko: Studimi hedh dritë mbi një terren të pashkelur të ekonomisë shqiptare, duke nxjerrë në pah një problematikë serioze: diskriminimin në çmim, si praktikë jokonkuruese dhe e padrejtë në treg, që rëndon së tepërmi xhepat e konsumatorëve shqiptarë. Kultura e tolerancës dhe mungesa e rolit të shtetit ndaj kompanive të mëdha që ushtrojnë aktivitet në pozicione dominuese në treg, shoqëruar me pozicionimin strategjik të tyre për të maksimizuar fitimet duke shfrytëzuar preferencat e konsumatorëve shqiptarë për produktet europiane, pengesat për hyrjen në treg, konkurrenca e kufizuar, fokusi në produktet e konsumit që kanë elasticitet të ulët dhe qëndrimi naiv se kompanitë e suksesshme ndërkombëtare nuk janë të prirura ndaj praktikave antikonkurruese, janë faktorët kryesorë që shpjegojnë diskriminimet e larta të çmimeve të evidentuara në studim. Mbiçmimi relativ i lekut shqiptar dhe normat e reduktuara të TVSH-së, të përdorura nga disa vende të BE-së për produkte specifike të konsumit – veçanërisht ushqimet – kontribuojnë në një masë shumë më të vogël dhe të kufizuar në thellimin e diferencave të çmimeve midis tregut të BE-së dhe atij vendas në Shqipëri.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto