Një studim i ri nga Instituti i Teknologjisë në Massachusetts (MIT) ka ngritur alarmin për ndikimin që mund të ketë përdorimi i mjeteve si ChatGPT në trurin e njeriut. Sipas studiuesve të MIT Media Lab, përdorimi i vazhdueshëm i inteligjencës artificiale për detyra krijuese mund të çojë në “rënie të mundshme të aftësive të të nxënit” dhe përthithjen e pikëpamjeve të cekëta ose të njëanshme.Në studim, pjesëmarrësit u ndanë në tre grupe: njëri shkruante ese duke përdorur vetëm ChatGPT, tjetri një motor kërkimi, dhe i treti pa asnjë mjet ndihmës. Aktiviteti i trurit i secilit grup u monitorua me anë të elektroencefalogramit (EEG) gjatë shkrimit. Më pas, esete u vlerësuan nga njerëz dhe algoritme të AI-së.
Rezultatet treguan se grupi që përdorte ChatGPT kishte aktivizim më të ulët të trurit në zonat që lidhen me kujtesën dhe mendimin kritik. Pjesëmarrësit e këtij grupi kishin vështirësi të kujtonin përmbajtjen e eseve që kishin shkruar. Në të kundërt, grupi që punoi vetëm me mendjen e tyre tregoi përfshirje të plotë njohëse dhe ruajtje më të mirë të informacionit.
Në një fazë të dytë të eksperimentit, grupi i ChatGPT u detyrua të shkruante pa ndihmë. Rezultatet treguan se ky grup performoi më dobët dhe përmbajtja ishte më sipërfaqësore dhe më e njëanshme krahasuar me të tjerët.
Lexo edhe: Mira Murati mbledh fonde rekord për startup-in e saj të AI-së
Autorët e studimit paralajmërojnë për konceptin e ‘humbjes së aftësisë gjykuese’ që shfaqet si pasojë e mbështetjes së tepërt te mjetet e AI, gjë që mund të ndikojë negativisht në të menduarit e pavarur, kreativitetin dhe rezistencën ndaj manipulimit. Sipas tyre, kur përdoruesit riprodhojnë sugjerime pa i analizuar, ata jo vetëm që heqin dorë nga pronësia mbi idetë e tyre, por edhe rrezikojnë të përthithin perspektiva të cekëta apo të rrezikshme.
Studiuesit sugjerojnë se duhen ndërmarrë më shumë kërkime mbi ndikimin që kanë modelet e mëdha gjuhësore (LLM) në tru përpara se të pranohet gjerësisht se këto teknologji janë “një përfitim neto për njerëzimin”.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto