Një studim i ri shkencor sugjeron se vera në Europë jo vetëm po bëhet më e nxehtë, por edhe dukshëm më e gjatë. Të dhënat e fundit, që mbështeten në analiza të sedimenteve të vjetra 6,000 vjet, tregojnë se modeli aktual i të nxehtit po ngjan me periudhat e hershme klimatike dhe ky paralelizëm mund të nënkuptojë që deri në fund të shekullit kontinenti mund të përjetojë deri në 42 ditë shtesë vere.
Hulumtimi, i botuar në ‘Nature Communications’, u udhëhoq nga Dr. Celia Martin-Puertas nga Royal Holloway. Ekipi i saj analizoi sedimente të grumbulluara në fund të liqeneve europiane, të cilat ofrojnë një kronikë natyrore të ndryshimeve sezonale gjatë 10,000 viteve të fundit.
Studiuesit u fokusuan në një element kyç: “gradientin e temperaturës gjerësore”; diferencën e temperaturës mes Arktikut dhe ekuatorit. Ky kontrast termik udhëheq sistemet e motit në Europë, duke ndikuar drejtpërdrejt në qarkullimin e masave ajrore dhe në kohëzgjatjen e stinëve.
Ndërsa Arktiku ngrohet më shpejt, ndryshimi i temperaturave mes veriut dhe tropikëve po zvogëlohet. Si pasojë, rrjedhat ajrore ngadalësohen dhe krijojnë kushte që favorizojnë valë të gjata të të nxehtit dhe zgjatje të sezonit veror.
Deri në 42 ditë shtesë vere ose tetë muaj vapë
Sipas studimit, çdo ulje me 1°C e gradientit të temperaturës zgjat sezonin e verës me rreth gjashtë ditë. Me ritmin aktual të ngrohjes globale, Europa mund të fitojë deri në 42 ditë të nxehta shtesë deri në vitin 2100.
Nëse ngrohja e Arktikut vazhdon me të njëjtin intensitet, kontinenti mund të përjetojë deri në tetë muaj me kushte tipike verore. Kjo situatë ngjan me klimën europiane rreth 6,000 vjet më parë, kur sezoni i nxehtë zgjaste afërsisht 200 ditë.
Pse po ndodh tani? Emisionet njerëzore përshpejtojnë procesin
Edhe pse gradienti i temperaturës ka ekzistuar gjithmonë, ngrohja e përshpejtuar e Arktikut lidhet drejtpërdrejt me emetimet e gazrave serrë. Arktiku po nxehet deri në katër herë më shpejt se mesatarja globale.
“Ky fenomen nuk është i ri në historinë e Tokës,” shpjegon Dr. Laura Boyall, bashkautore e studimit. “Por sot ndryshimi është ritmi dhe fakti që është nxitur nga aktiviteti njerëzor.”
Studiuesit theksojnë se ciklet e feedback-ut të shkaktuara nga njeriu, si thithja më e madhe e nxehtësisë nga terrenet e zhveshura apo rritja e avullimit, mund të thellojnë më tej efektet.
Lexo edhe: A po rrezikon Europa objektivat klimatike nga kostot e larta të energjisë?
Europa po ngrohet më shpejt se çdo kontinent tjetër
Europa tashmë konsiderohet kontinenti që po nxehet më shpejt në botë. Qytetet urbane janë edhe më të ekspozuara për shkak të efektit të “ishullit të nxehtësisë”, ku betoni dhe asfalti grumbullojnë temperaturë.
Një analizë e publikuar këtë verë nga Climate Resilience for All mbi të dhënat e 85 qyteteve globale (2019–2023) tregon se periudhat e të nxehtit nuk kufizohen më vetëm në muajt e verës.
Athina përjetoi një sezon të zgjatur të të nxehtit që zgjati nga mesi i majit deri në fillim të tetorit. Tirana u rendit ndër qytetet më të prekura, me 143 ditë të temperaturave ekstreme. Lisbona dhe Madridi patën periudha të gjata të ngjashme, me 136 dhe 119 ditë secila.
Një studim tjetër ka treguar se gjatë vitit të kaluar, ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu shtuan mesatarisht një muaj të nxehti ekstrem për rreth gjysmën e popullsisë globale.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.