Studentët holandezë shpikin makinën elektrike që e riparon vetë, pa mekanik - Business Magazine Albania

Studentët holandezë shpikin makinën elektrike që e riparon vetë, pa mekanik

Po sikur makina jote elektrike të mos kishte më nevojë për mekanik? Një grup studentësh universitarë në Holandë kanë ndërtuar një automjet elektrik që është projektuar për t’u çmontuar, diagnostikuar dhe riparuar lehtësisht nga vetë pronari.

Makina koncept, e quajtur Aria, është zhvilluar nga studentë të Universitetit TU/e Eindhoven dhe synon të reduktojë varësinë nga shërbimet e specializuara, shpesh të kushtueshme që sot janë pothuajse të domosdoshme për automjetet elektrike.

Pronarët e Aria-s mund ta lidhin telefonin direkt me makinën përmes një kablli USB-C dhe të përdorin një aplikacion diagnostikues që identifikon shpejt defektet. Aplikacioni përdor një model 3D të automjetit për t’i udhëzuar vizualisht përdoruesit drejt komponentit të dëmtuar.

“Me aplikacionin diagnostikues që kemi zhvilluar për makinën tonë, mjafton ta lidhësh makinën me telefonin përmes USB-C dhe ajo e kupton menjëherë që është lidhur,” shpjegon Marc Max Hoevenaars, student në TU/e Eindhoven dhe inxhinier softueri në projektin Aria.
“Nga aty, ne dimë saktësisht si ta rregullojmë, çfarë mjetesh na duhen dhe mund ta vëmë shumë shpejt makinën sërish në punë.”

Lexo edhe: Zhvillimi i “micro-apps”: kur njerëzit krijojnë vetë aplikacione në vend që t’i blejnë

Fuqia e riparimit në duart e përdoruesit

Studentët që qëndrojnë pas Aria-s thonë se projekti është një përgjigje ndaj kompleksitetit në rritje të automjeteve elektrike moderne, të cilat shpesh kërkojnë njohuri shumë të specializuara për t’u riparuar.

“Sigurisht që çdo makinë mund të riparohet, por ajo që shohim sot është një nevojë reale për ekspertizë të specializuar, sidomos te automjetet elektrike,” thotë Taco Olmar, menaxher i ekipit Aria. “Ajo që ne përpiqemi të bëjmë është t’i japim konsumatorit fuqinë për të riparuar vetë makinën e tij.”

Një tjetër element kyç i dizajnit është aksesueshmëria e baterisë. Ndryshe nga shumica e makinave elektrike, ku paketat e baterive janë të integruara fort në shasi, Aria përdor një sistem modular baterish, që mund të hiqen lehtësisht… me dorë.

“Është shumë e lehtë për t’u bërë vetë, thjesht me dorë. Po, çdokush mund ta bëjë,” thotë Callum Armour, inxhinier teknik në projekt.

E njëjta filozofi modulare aplikohet edhe te sistemi i transmetimit, i projektuar për thjeshtësi dhe akses të shpejtë. Edhe komponentët e jashtëm, si parakolpët dhe mbrojtëset, janë menduar të zëvendësohen shpejt dhe pa procedura të ndërlikuara.

Një sfidë për industrinë e makinave elektrike

Projekti Aria vë në pikëpyetje modelin aktual të industrisë së automjeteve elektrike, ku riparimet janë gjithnjë e më të mbyllura, të komplikuara dhe të varura nga rrjetet zyrtare të servisit. Qasja “riparoje vetë” e studentëve holandezë hap një debat të ri mbi të drejtën e riparimit, kostot e pronësisë dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të makinave elektrike.

Edhe pse Aria mbetet një makinë koncept, ideja pas saj po tërheq vëmendje si një vizion alternativ për të ardhmen e lëvizshmërisë elektrike: më e thjeshtë, më transparente dhe më miqësore për përdoruesin.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0