Në një botë ku stresi shihet si armik i përhershëm, një teori e re vjen për të sfiduar perceptimin tone, jo i gjithë stresi është i dëmshëm. Në fakt, sasia e duhur e tij mund të jetë çelësi për një jetë më të gjatë, më të shëndetshme dhe më të lumtur.
Ky është mesazhi i Dr. Sharon Bergquist, një mjeke dhe studiuese nga Universiteti Emory, e cila në librin e saj të ri “Paradoksi i Stresit” argumenton se pa stres, jeta jonë mund të bëhet e varfër, si mendërisht ashtu edhe fizikisht.
Lexo gjithashtu: 3 strategji të thjeshta për të mundur stresin, ankthin dhe shtuar gëzimin në jetën tuaj
“Po, shumë stres është i dëmshëm, por mungesa e plotë e tij mund të jetë po aq e rrezikshme,” thotë ajo.
Ajo që ka rëndësi nuk është shmangia e stresit, por të mësojmë si ta menaxhojmë atë. Me fjalë të tjera, duhet të gjejmë atë që ekspertët e quajnë “zona e artë” e stresit, një nivel që na sfidon dhe na ndihmon të rritemi, pa na mbingarkuar.
Çfarë është stresi i mirë dhe si ta përdorim në favorin tonë?
Dr. Bergquist e ndan stresin në dy kategori
Stresi i mirë, i cili buron nga sfidat që ne zgjedhim vetë dhe që përputhen me vlerat tona, si arritja e një qëllimi të rëndësishëm apo tejkalimi i një pengese profesionale. Ky lloj stresi ndihmon trupin të çlirojë hormone si dopamina, serotonina dhe oksitocina, të cilat përmirësojnë shëndetin dhe mirëqenien tonë.
Stresi i keq, i cili është i paparashikueshëm, i pashmangshëm dhe kronik. Ky lloj stresi shkakton prodhimin e kortizolit, një hormon që mund të çojë në presion të lartë të gjakut, probleme me gjumin dhe sëmundje të tjera.
Aftësia për të dalluar midis këtyre dy llojeve të stresit është kyçe për të jetuar një jetë më të balancuar. Por si mund të sigurohemi që po përdorim stresin në avantazhin tonë?
Lexo gjithashtu: Ndiheni të stresuar? Shkrimi i një liste detyrash mund të ndihmojë
Pesë strategji për të menaxhuar stresin dhe për ta kthyer atë në forcë
- Gjeni “zonën e artë” të stresit
Në vend që të shmangni stresin, sfidoni veten pak nga pak jashtë zonës së rehatisë, pa u ndjerë të mbingarkuar. Një nivel i duhur i stresit funksionon si ilaç, doza e duhur forcon mendjen dhe trupin, por sasia e tepruar mund të jetë e dëmshme.
- Përputhni sfidat me vlerat tuaja
Kur përballeni me një sfidë, pyesni veten: “A përputhet kjo me atë që unë besoj dhe dua?” Nëse stresi vjen nga një situatë që nuk përputhet me vlerat tuaja, ai mund të bëhet shkatërrues. Por kur sfidat kanë kuptim për ju, ato shndërrohen në burim motivimi dhe rritjeje.
- Jepini përparësi pushimit dhe rikuperimit
Nuk mund të përfitoni nga stresi i mirë nëse nuk i jepni vetes kohë për t’u rikuperuar. Gjatë periudhave të pushimit, trupi dhe mendja riorganizohen, ndërtojnë lidhje të reja dhe forcohen për sfidat e ardhshme. Mos e shihni pushimin si luks, por si një domosdoshmëri.
- Përdorni trupin për të forcuar mendjen
A e dini se aktivitetet fizike si ushtrimet, ekspozimi ndaj të ftohtit apo të nxehtit dhe agjërimi i ndërprerë mund të ndihmojnë në rritjen e qëndrueshmërisë mendore? Këto teknika e sfidojnë trupin në mënyrë të kontrolluar dhe ndihmojnë në zhvillimin e një qëndrueshmërie më të madhe ndaj stresit.
Lexo gjithashtu: Teknologjia dhe stresi: Si të ruajmë shëndetin mendor në botën digjitale
- Pranoni se stresi është pjesë e natyrshme e jetës
Njerëzit janë ndërtuar për të përballuar stresin, është një mekanizëm mbijetese i trashëguar në ADN-në tonë. Në vend që ta frikësoheni, mësoni ta përdorni në favorin tuaj. Çdo herë që përballeni me një sfidë dhe e kapërceni, bëheni më të fortë.
Stresi si mjeti juaj për sukses
Në vend që ta shihni stresin si një armik, mendoni për të si një trajner personal, ai ju shtyn përtej kufijve tuaj, por vetëm nëse mësoni ta përdorni me zgjuarsi. Duke zbatuar këto pesë strategji, mund të ktheni stresin nga një burim shqetësimi në një motor për rritje dhe sukses.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.