Startup-i i Mira Muratit, Thinking Machines, vlerësohet me 12 miliardë dollarë pas raundit të hershëm të financimit - Business Magazine Albania

Startup-i i Mira Muratit, Thinking Machines, vlerësohet me 12 miliardë dollarë pas raundit të hershëm të financimit

Thinking Machines Lab, startup-i i inteligjencës artificiale i themeluar nga ish-drejtuesja e OpenAI, Mira Murati, ka njoftuar të martën se ka siguruar një financim prej rreth 2 miliardë dollarësh, duke arritur një vlerësim prej 12 miliardë dollarësh në një raund të udhëhequr nga fondi i kapitalit sipërmarrës Andreessen Horowitz.

Në këtë raund investimi morën pjesë edhe emra të mëdhenj të teknologjisë si Nvidia, Accel, ServiceNow, Cisco, AMD dhe Jane Street , duke theksuar interesin e lartë të industrisë për startup-in e ri të Muratit, edhe pse ky i fundit është themeluar vetëm në shkurt të këtij viti, pa gjeneruar ende të ardhura apo produkte të prezantuara në treg.

“Jemi të emocionuar që gjatë muajve në vijim do të mund të ndajmë produktin tonë të parë, i cili do të përfshijë një komponent të fuqishëm open source dhe do të jetë i dobishëm për studiues dhe startup-e që zhvillojnë modele të personalizuara,” deklaroi CEO-ja Mira Murati në një postim në platformën X.

Lexo edhe:Paga deri në 500 mijë dollarë për talentët e AI-së, Mira Murati trondit Silicon Valley

Murati, e cila u largua në mënyrë të papritur nga OpenAI në shtator të vitit të kaluar, i është bashkuar tashmë një liste gjithnjë në rritje ish-drejtuesish të OpenAI që kanë themeluar kompani të reja në fushën e AI. Ndër më të njohurit janë Dario Amodei, themelues i Anthropic, dhe Ilya Sutskever, themelues i Safe Superintelligence,  të dyja startup-e që kanë tërhequr ish-hulumtues nga OpenAI dhe kanë siguruar miliarda dollarë në financime.

Thinking Machines synon të krijojë sisteme të inteligjencës artificiale më të sigurta, të besueshme dhe me përdorim më të gjerë, duke u diferencuar nga konkurrentët aktualë në treg. Sipas kompanisë, rreth dy të tretat e ekipit të saj themelues përbëhen nga ish-punonjës të OpenAI, gjë që tregon fuqinë e rrjetit dhe ekspertizës që Murati ka ndërtuar.

Entuziazmi i investitorëve për startup-et e reja në AI mbetet i lartë, pavarësisht disa shqetësimeve mbi nivelin e shpenzimeve në industrinë e teknologjisë. Sipas një raporti të Pitchbook, financimi për startup-et në SHBA është rritur me gati 76% në gjysmën e parë të vitit 2025, duke arritur në 162.8 miliardë dollarë, me AI që zë 64.1% të vlerës totale të marrëveshjeve.

reuters

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0