Startup-i i inteligjencës artificiale Thinking Machines Lab, i themeluar nga ish-drejtuesja e OpenAI, shqiptarja Mira Murati, po përballet me një zhvillim të rëndësishëm: largimin e dy bashkëthemeluesve të tij, të cilët po rikthehen pikërisht në OpenAI. Ndërkohë, edhe një tjetër ish-punonjës i OpenAI që ishte bashkuar me ekipin e Muratit, po ndjek të njëjtën rrugë.
Të mërkurën, Murati njoftoi në rrjetet sociale largimin e Barret Zoph, bashkëthemelues dhe CTO i kompanisë. “Jemi ndarë me Barret-in,” shkroi Murati në platformën X. “Soumith Chintala do të jetë CTO-ja i ri i Thinking Machines. Ai është një lider i shkëlqyer dhe me përvojë, me mbi një dekadë kontributesh të rëndësishme në fushën e AI-së dhe një pjesë kyçe e ekipit tonë. Jemi shumë të entuziazmuar që ai merr këtë përgjegjësi të re.” Në deklaratën e saj, Murati nuk përmendi largime të tjera.
Por vetëm 58 minuta më vonë, Fidji Simo, CEO për aplikacionet në OpenAI, njoftoi se Barret Zoph, Luke Metz dhe Sam Schoenholz do t’i bashkoheshin sërish OpenAI-së.
“Jemi të entuziazmuar t’i mirëpresim sërish Barret Zoph, Luke Metz dhe Sam Schoenholz në OpenAI. Ky rikthim ka qenë në përgatitje prej disa javësh dhe jemi shumë të lumtur që ata po i bashkohen ekipit,” shkroi Simo në X.
Luke Metz është gjithashtu bashkëthemelues i Thinking Machines dhe më parë ka punuar për disa vite në OpenAI si pjesë e stafit teknik. E njëjta gjë vlen edhe për Sam Schoenholz, profili i të cilit në LinkedIn ende e liston si pjesë të Thinking Machines. Barret Zoph ka mbajtur më parë pozicionin e Zëvendëspresidentit të Kërkimit në OpenAI dhe, para kësaj, ka punuar për gjashtë vite si studiues shkencor në Google. Mira Murati, e cila shërbeu si CTO e OpenAI deri në shtator 2024, u largua nga kompania për të bashkëthemeluar Thinking Machines së bashku me Zoph dhe Metz.
Lexo edhe:‘Thinking Machines’ e Mira Muratit synon financim në vlerën 50 miliardë dollarë
Startup-i, ku Murati mban rolin e CEO-s, arriti të sigurojë një mbështetje financiare të jashtëzakonshme që në fillim: një round fillestar prej 2 miliardë dollarësh në korrik të vitit të kaluar, i udhëhequr nga Andreessen Horowitz, me pjesëmarrjen e Accel, Nvidia, AMD, Jane Street dhe investitorëve të tjerë. Ky financim e vlerësoi kompaninë në 12 miliardë dollarë. Ndërkohë, Wired raporton se ndarja mes Zoph dhe Thinking Machines nuk ka qenë miqësore. Në këtë kontekst, fakti që Murati nuk dha më shumë detaje publike për largimin e tij është domethënës.
Edhe pse lëvizjet e talenteve mes gjigantëve të AI-së janë të zakonshme në Silicon Valley, largimi i bashkëthemeluesve nga një startup më pak se një vit pas themelimit është veçanërisht i pazakontë. Humbja e dy bashkëthemeluesve njëkohësisht – sidomos kur njëri prej tyre ishte CTO – mund të perceptohet si një goditje e rëndësishme për Thinking Machines, e cila ishte ndërtuar mbi një ekip shumë prestigjioz me ish-studiues nga OpenAI, Meta dhe Mistral AI.
Kompania ka humbur edhe figura të tjera kyçe, përfshirë bashkëthemeluesin Andrew Tulloch, i cili u largua në tetor për t’iu bashkuar Meta-s.
Ironikisht, edhe vetë OpenAI ka përjetuar një valë largimesh të bashkëthemeluesve ndër vite, të cilët kanë krijuar ose iu janë bashkuar kompanive rivale. Mes tyre është edhe John Schulman, i cili u largua për në Anthropic në gusht 2024 dhe më pas iu bashkua Thinking Machines si Chief Scientist në momentin e lançimit të startup-it në shkurt të vitit të kaluar.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.