Start-upet do mbështeten me ligj, Bilali jep njoftimin: "Këshillim, fonde dhe mbështetje falas për sipërmarrësit" - Business Magazine Albania

Start-upet do mbështeten me ligj, Bilali jep njoftimin: “Këshillim, fonde dhe mbështetje falas për sipërmarrësit”

Në mbledhjen e sotme qeveria ka miratuar disa vendime. Ministrja e re e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Edona Bilali në përfundim njoftoi përpara mediave kalimin e projektligjit për mbështetjen dhe zhvillimin e “start up”-eve, jo vetëm financiare, por edhe këshillimore.

“Ky është lajm fantastik për të gjithë ekosistemin që do të rregullohet me ligj të posaçëm. Të gjithë personat fizikë dhe juridikë në Shqipëri dhe botë, që dëshirojnë të provojnë idenë e tyre të biznesit do të mund të vetëdeklarohen në e-Albania. Do të ketë një regjistër të posaçëm për “start up”-et dhe lehtësuesit, institucionet.

Nga momenti i regjistrimit do të kenë 24 muaj kohë që është e inkubimit, që do të marrin këshillim pranë ministrit të shtetit për sipërmarrjen. Regjistrimi dhe marrja e shërbimeve do të jetë pa pagesë. I gjithë procesi i regjistrimit dhe aplikimit për grante do të jetë online dhe pa kontakt fizik.

Ky është hapi i parë dhe më i rëndësishmi, por nuk është i vetmi, pasi do të vijojmë. Do të ketë 10 mln euro mbështetje, shuma është 5 herë më e madhe, e shpërndarë për 4 vite. Nis nga 2022” – u shpreh Edona Bilali.

VENDIMI

MBËSHTETJEN DHE ZHVILLIMIN E STARTUP-EVE

Në mbështetje të neneve 78, 81, pika 1, dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1
Qëllimi

Qëllimi i këtij ligji është krijimi i një kuadri rregullator dhe institucional të favorshëm për krijimin e zhvillimin e startup-eve dhe mbështetjen e ekosistemit, për nxitjen e kërkimit, realizimit dhe përdorimit të ideve, modeleve, produkteve dhe proceseve të reja, të cilat sjellin risi në çdo fushë për zhvillimin ekonomik.

Neni 2
Objekti

Ky ligj përcakton organet shtetërore kompetente dhe procedurat që zbatohen për mbështetjen dhe zhvillimin e startup-eve dhe të ekosistemit në Republikën e Shqipërisë.

Neni 3
Përkufizime

Në këtë ligj termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:

  1. a) “Ekosistem”, bashkëveprimi i individëve, startup-eve, si dhe organizatave të tjera që veprojnë si lehtësues, të cilët bashkërisht veprojnë si inkubator për krijimin e rritjen e startup-eve;
    b) “Inkubim”, procesi i mbështetjes, përgatitjes, transformimit të idesë në model biznesi dhe i zhvillimit të një startup-i inovativ, në fazën fillestare të tij;
    c) “Lehtësues të startup-eve”, aktorët e ndryshëm të ekosistemit që ofrojnë programe dhe shërbime mbështetëse për startup-et, përfshirë, por pa u kufizuar në: inkubatorë, përshpejtues, ofrues ambientesh dhe pajisjesh pune, mentorues, këshillues, trajnues, ofrues asistence përgjatë zhvillimit të biznesit, qendra teknologjike dhe inovacioni, organizatorë eventesh, institucione të arsimit të lartë, organizata kërkimore, ofrues të shërbimeve të konsulencës ligjore, financiare apo të biznesit;
    ç) “Nomadët digjitalë”, shtetasit e huaj që punojnë nëpërmjet teknologjisë së informacionit në vende të ndryshme, jo në një zyrë apo seli të institucionit dhe puna e tyre kryesisht është puna lëvizëse, të cilët përfitojnë statusin e përfitimet e “punonjësit lëvizës digjital”, në përputhje me përcaktimet e legjislacionit në fuqi për të huajt;
    d) “Startup”, personi juridik ose persona fizikë, të vetëm dhe të bashkuar, të cilët konceptojnë dhe veprojnë me qëllim nisjen e realizimit dhe zhvillimit të një modeli biznesi, produkti dhe shërbimi të ri dhe të veçantë, me potencial rritjeje të shpejtë, të zbatueshëm në praktikë, për përmirësimin e ndjeshëm të modeleve të biznesit, produkteve dhe shërbimeve ekzistuese.

Neni 4
Parimet e mbështetjes së startup-eve

Mbështetja për zhvillimin e startup-eve bazohet në parimet e mëposhtme:

  1. a) Lehtësimi në krijimin, hyrjen në treg dhe ushtrimin e veprimtarisë së startup-eve;
    b) Tërheqja dhe mbajtja e talentit dhe e burimeve njerëzore;
    c) Inovacioni në kuadrin rregullator e në procedurat e prokurimit;
    ç) Lehtësimi dhe mbështetja në aksesimin e burimeve financiare;
    d) Përfshirja sociale dhe diversiteti në mbrojtje të vlerave demokratike.

Neni 5
Format e mbështetjes së startup-eve

Mbështetja për zhvillimin e startup-eve kryhet nëpërmjet:

  1. a) shërbimit “startup one-stop-shop” për mbështetjen e startup-eve;
    b) zhvillimit të ekosistemit mbështetës për startup-et;
    c) dhënies së granteve financiare ose masave mbështetëse për zhvillimin e startup-eve;
    ç) formave të tjera mbështetëse të zhvilluara në bashkëpunim me palë të treta.

Neni 6
Organet përgjegjëse

Organet përgjegjëse në fushën e nxitjes, ndihmës dhe zhvillimit të startup-eve, sipas këtij ligji, janë:

  1. a) ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes;
    b) Këshilli i Startup-eve;
    c) ministritë ose institucionet e tjera publike.

Neni 7
Detyrat e ministrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes

Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes dhe struktura përgjegjëse e tij ka përgjegjësitë dhe kryen detyrat e mëposhtme:

  1. a) Zhvillon politikën shtetërore në fushën e mbështetjes së startup-eve;
    b) Koordinon zbatimin e politikave të zhvillimit të startup-eve në kuadër të zhvillimit të përgjithshëm të sipërmarrjes në vend;
    c) Bashkërendon me ministrinë përgjegjëse për financat dhe ekonominë për planifikimin buxhetor, në përputhje me rregullat e parashikuara në legjislacionin për menaxhimin e sistemit buxhetor;
    ç) Merr pjesë në menaxhimin e miratimin e fondeve buxhetore për grantet dhe format e tjera të mbështetjes së startup-eve, në përputhje me parashikimet e këtij ligji dhe të legjislacionit në fuqi për menaxhimin buxhetor;
    d) Miraton modelet tip të marrëveshjes së bashkëpunimit që nënshkruhen ndërmjet ministrisë, startup-eve dhe lehtësuesve;
    dh) Miraton thirrjet për grante financiare ose masa mbështetëse, përfshirë formën dhe sasinë e granteve financiare ose formën e masave mbështetëse që do të akordohen për mbështetjen e startup-eve;
    e) Miraton rregullat e procedurat për mbledhjen, plotësimin dhe administrimin e të dhënave të regjistrit të startup-eve;
    ë) Administron regjistrin e startup-eve dhe të lehtësuesve, në përputhje me parashikimet e këtij ligji;
    f) Administron faqen zyrtare në internet të institucionit dhe “Startup Albania”, me qëllim informimin e ndërgjegjësimin e publikut, si dhe ofron shërbimin “startup one-stop-shop” për mbështetjen e startup-eve;
    g) Mbështet zhvillimin e ekosistemit mbështetës për startup-et nëpërmjet mbështetjes së veprimtarisë së startup-eve dhe të lehtësuesve;
    gj) Mbështet administrativisht Këshillin e Startup-eve;
    h) Merr në dorëzim kërkesat e paraqitura nga startup-et dhe kryen procedurat e vlerësimit sipas këtij ligji;
    i) Lidh e monitoron zbatimin e marrëveshjeve me startup-et që përfitojnë grantet financiare, programet dhe masat mbështetëse sipas këtij ligji;
    j) Vepron si organ mbështetës për startup-et, duke bërë të mundur tërheqjen dhe duke mbështetur alokimin e fondeve ose të granteve të donatorëve të huaj për startup-et dhe inovacionin në Shqipëri;
    k) Bashkëpunon me institucionet vendase dhe organizata ndërkombëtare dhe me organizata jofitimprurëse vendase dhe të huaja në rritjen e ndërgjegjësimit publik për fushën dhe veprimtarinë e startup-eve, si dhe në përmbushjen e detyrimeve që lindin nga ky ligj;
    l) Të gjitha detyrat e tjera të përcaktuara me këtë ligj.

Neni 8
Këshilli i Startup-eve

  1. Këshilli i Startup-eve (në vijim, Këshilli) ngrihet pranë ministrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes dhe jep kontribut në nxitjen e zhvillimit të startup-eve si organ kolegjial që vepron në përputhje me këtë ligj dhe legjislacionin në fuqi për funksionimin e organeve kolegjiale të administratës shtetërore dhe të enteve publike.
  2. Kryetar i Këshillit është ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes.
  3. Kabineti i ministrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes vepron si sekretariat teknik i Këshillit dhe e mbështet atë për përmbushjen e detyrave të parashikuara nga ky ligj.
  4. Rregulla të hollësishme për përbërjen e Këshillit, kriteret, procedurën e përzgjedhjes dhe shpërblimin e anëtarëve të Këshillit, kompetencat, organizimin e funksionimin e Këshillit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 9
Detyrat e ministrive ose të institucioneve të tjera publike

Ministritë ose institucionet e tjera publike, sipas fushës së përgjegjësisë shtetërore të tyre, kanë përgjegjësitë dhe kryejnë detyrat e mëposhtme:

  1. a) Asistojnë procesin e mbështetjes dhe të zhvillimit të startup-eve, në përputhje me parimin pa letër dhe tarifa zero në marrjen e shërbimeve. Shërbimet për të cilat, në kuadër të këtij ligji, aplikohet tarifa zero, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave;
    b) Japin mendim të arsyetuar për përputhjen ligjore midis idesë së biznesit të startup-it kërkues për grante ose masa mbështetëse dhe fushën e tyre të aktivitetit;
    c) Kryejnë të gjitha detyrat e tjera të përcaktuara me këtë ligj.

KREU II
MBËSHTETJA E STARTUP-EVE

Neni 10
Startup-et

  1. Personi fizik ose juridik, vendas ose i huaj, përfshirë nomadin digjital, merr statusin si startup në momentin e plotësimit të një vetëdeklarimi në regjistrin elektronik të startup-eve dhe lehtësuesve.
  2. Kohëzgjatja e periudhës së inkubimit dhe e statusit si startup është 24 (njëzet e katër) muaj nga momenti i plotësimit të vetëdeklarimit në regjistrin e startup-eve.
  3. Regjistrimi dhe marrëdhënia e startup-eve dhe lehtësuesve me ekosistemin dhe skemën e mbështetjes së startup-eve dhe lehtësuesve kryhet duke u bazuar në parimet pa letër dhe tarifa zero në marrjen e shërbimeve.

Neni 11
Regjistri i startup-eve dhe lehtësuesve

  1. Regjistri i startup-eve dhe lehtësuesve (në vijim, regjistri) krijohet e administrohet nga struktura përgjegjëse pranë ministrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes si bazë shtetërore të dhënash në funksion të këtij ligji dhe të legjislacionit në fuqi për bazat e të dhënave shtetërore.
  2. Regjistri shërben për vetëdeklarimin e startup-eve dhe për mbajtjen e të dhënave të startup-eve dhe të lehtësuesve të regjistruar, për kërkuesit dhe përfituesit e granteve dhe të masave të tjera mbështetëse nga ana e ministrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes.
  3. Në momentin e vetëdeklarimit të startup-it, nëpërmjet regjistrit të startup-eve, automatikisht gjenerohet numri unik i identifikimit dhe dokumenti elektronik – pasaporta e startup-eve.
  4. Lehtësuesit të startup-eve, në momentin e regjistrimit në regjistër sipas këtij ligji, i gjenerohet automatikisht numri unik i identifikimit dhe dokumenti elektronik – pasaporta e lehtësuesve.
  5. Rregulla të hollësishme për përmbajtjen e regjistrit, mënyrën e funksionimit të regjistrit dhe ndërlidhjen e tij me portalin e-Albania, si dhe për dokumentet elektronike – pasaporta e startup-eve dhe pasaporta e lehtësuesve, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 12
Mbështetja e startup-eve nëpërmjet shërbimit startup one-stop-shop

  1. Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes dhe struktura përgjegjëse e tij, me qëllim mbështetjen e zhvillimit dhe të rritjes të startup-eve, ofron shërbimin startup one-stop-shop.
  2. Shërbimi startup one-stop-shop mund të ofrohet në bashkëpunim me institucione të tjera publike dhe në të përfshihen:
  3. a) dhënia e informacioneve për kuadrin ligjor rregullator, përfshirë, por pa u kufizuar mbi detyrimet lidhur me sigurinë dhe shëndetin në punë, mbi mbrojtjen e së drejtës së autorit, mbi detyrimet fiskale e tatimore pas periudhës 24-mujore të inkubimit;
    b) dhënia e këshillimit për dokumentet e nevojshme për regjistrimin në regjistrin tregtar, nëse është e nevojshme, për regjistrimin e patentave, markave tregtare dhe të shërbimit, disenjove industriale dhe të pronësisë intelektuale, pas periudhës 24-mujore të inkubimit;
    c) dhënia e këshillimit për mbrojtjen e pronësisë intelekuale dhe të të drejtave civile dhe tregtare;
    ç) organizimi i eventeve informuese dhe i aktiviteteve njohëse ndërmjet startup-eve të interesuara;
    d) dhënia e shërbimeve të tjera në drejtim të lehtësimit të aktivitetit tregtar të startup-eve.
  4. Rregullat e hollësishme për veprimtarinë dhe mënyrën e ofrimit të shërbimit startup one-stop-shop përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 13
Mbështetja e startup-eve nëpërmjet ekosistemit

  1. Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes dhe struktura përgjegjëse e tij sigurohet për të asistuar e bashkërenduar veprimtarinë e ekosistemit mbështetës për startup-et dhe suportin e startup-eve dhe lehtësuesve të përfshirë në ekosistem, në bashkëpunim me Këshillin. Mënyra e bashkërendimit dhe e asistimit në veprimtarinë e ekosistemit, parashikuar në këtë pikë, do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
  2. Personi fizik ose juridik, që ka fushë kryesore të veprimtarisë trajnimin ose mbështetjen në fushën e inovacionit, të teknologjisë ose në fusha të ngjashme me to, merr statusin e lehtësuesit të startup-eve, duke u regjistruar në regjistrin e startup-eve.
  3. Kritere të hollësishme për kapacitetet njerëzore, administrative dhe infrastrukturore të lehtësuesve të startup-eve, sipas pikës 2, të këtij neni, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 14
Mbështetja e startup-eve nëpërmjet granteve dhe masave mbështetëse

  1. Startup-et e regjistruara në regjistër përfitojnë mbështetje financiare me fonde buxhetore në formën e granteve, si dhe nga burime të tjera, sipas legjislacionit në fuqi, pas një procesi konkurrues e transparent përzgjedhjeje.
  2. Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes shpall thirrjen për kërkesë nga ana e startup-eve nëpërmjet publikimit në startup one stop-shop, në faqen zyrtare, si dhe në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare.
  3. Thirrja për kërkesë për përfitimin e granteve dhe të masave mbështetëse përmban kriteret, procedurat dhe afatet, të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave, duke marrë parasysh kushtet e përgjithshme, si më poshtë vijon:
  4. a) Mbështetja e inovacionit në fusha prioritare për zhvillimin e vendit;
    b) Mbështetja e iniciativave që kanë impakt pozitiv mjedisor;
    c) Fuqizimi i grave sipërmarrëse;
    ç) Fuqizimi i përfshirjes sociale, diversiteti dhe impakti social;
    d) Prioritete të tjera, sipas urdhrit të ministrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes.
  5. Kryetar i Komisionit është ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes. Rregulla të hollësishme për përbërjen e Komisionit, kriteret, procedurën e përzgjedhjes dhe shpërblimin e anëtarëve të Komisionit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
  6. Startup-et kërkuese shpallen fituese me vendim të komisionit vlerësues vetëm nëse plotësojnë kriteret e pikës 3, të këtij neni.
  7. Vendimi për dhënien e grantit zbatohet nga njësia përgjegjëse, sipas ligjit në fuqi për buxhetin e shtetit, me kërkesë të ministrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes.
  8. Vendimi i komisionit vlerësues për përfituesit e granteve financiare për mbështetjen e startup-eve, sipas thirrjes, botohet në faqen zyrtare të ministrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes.
  9. Ndaj vendimit të komisionit mund të bëhet ankimi, në përputhje me rregullat e Kodit të Procedurave Administrative.

Neni 15
Monitorimi i masave mbështetëse

  1. Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes dhe struktura përgjegjëse e tij, gjatë periudhës së inkubimit dhe periudhës së regjistrimit si startup ose si lehtësues i startup-eve, monitoron periodikisht startup-et dhe lehtësuesit e startup-eve, me qëllim verifikimin e përputhshmërisë së zbatimit të këtij ligji.
  2. Startup-et dhe lehtësuesit kanë detyrimin e raportimit dhe të vënies në dispozicion të dokumenteve të kërkuara nga ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes dhe struktura përgjegjëse e tij brenda një afati konkret.
  3. Rregulla të hollësishme për kryerjen e monitorimit, raportimin dhe dokumentacionin e nevojshëm për t’u paraqitur nga startup-et ose lehtësuesit përcaktohen në urdhrin përkatës të ministrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes

KREU III
DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT

Neni 16
Aktet nënligjore

Ngarkohen Këshilli i Ministrave për të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të neneve 8, pika 4, 9, 11 pika 5, 12, pika 3, 13 pikat 1 dhe 3, dhe 14, pikat 3 dhe 4, të këtij ligji, dhe ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes të nxjerrë aktin nënligjor, në zbatim të pikës 3, të nenit 15, të këtij ligji, brenda 6 (gjashtë) muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.

Neni 17
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I
LINDITA NIKOLLA

###

V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR MBËSHTETJEN DHE ZHVILLIMIN E STARTUP-EVE”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për mbështetjen dhe zhvillimin e startup-eve”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0