Nga Pëllumb Qosej* -Zgjatja e përkohshme e skemës pa tarifa ose Sistemit të Përgjithshëm të Preferencave (GSP – Generalised Scheme of Preferences) deri në fund të vitit 2027 është një hap pozitiv, por jo i mjaftueshëm. Shqipëria ka nevojë për një qasje afatgjatë dhe të qëndrueshme ndaj tregjeve evropiane.
Bashkimi Evropian ka vendosur të zgjasë skemën GSP+ deri më 31 dhjetor 2027, sipas Rregullores (EU) 2023/2663, të publikuar më 27 shtator 2023. Ky vendim garanton vazhdimësinë e përfitimeve tarifore për vendet përfituese, përfshirë Shqipërinë.
Megjithëse zgjatja e skemës është një zhvillim pozitiv, autoritetet shqiptare ende nuk kanë dhënë një deklaratë zyrtare që konfirmon përfshirjen konkrete të vendit tonë. Ky boshllëk komunikimi ka krijuar pasiguri për sektorin bujqësor dhe bizneset eksportuese, të cilat nuk mund të planifikojnë në mënyrë strategjike pa një bazë të qartë ligjore dhe diplomatike.
Mungesa e konfirmimit institucional ngre pikëpyetje serioze mbi të ardhmen e eksporteve dhe përgatitjen për periudhën pas vitit 2027. Veprimet e shpejta dhe të koordinuara nga autoritetet janë thelbësore për të garantuar stabilitetin dhe konkurrueshmërinë afatgjatë.
Çfarë është skema GSP+?
Që prej vitit 2000, Bashkimi Evropian ka zbatuar një skemë pa tarifa për importet e produkteve bujqësore nga Ballkani Perëndimor, në kuadër të GSP+. Kjo iniciativë ka qenë një shtyllë kyçe për integrimin ekonomik të Shqipërisë, duke ndikuar ndjeshëm në rritjen e eksporteve dhe lehtësimin e aksesit në tregun evropian.
GSP+ është një mekanizëm I BE-së që synon të mbështesë vendet në zhvillim përmes përjashtimit nga tarifat doganore të një game të gjerë produktesh. Për Shqipërinë, kjo skemë ka qenë një nga mjetet më të qëndrueshme për qasje në tregun e BE-së. Skema rinovohet çdo pesë vjet, me zgjatjen e fundit të miratuar më 31 mars 2021 dhe të vlefshme deri më 31 dhjetor 2025. Vendimi I fundit e shtyn afatin deri në fund të vitit 2027, duke garantuar përfitime të mëtejshme për vendet pjesëmarrëse.
Sidoqoftë, institucionet shqiptare nuk kanë dhënë ende një deklaratë që konfirmon përfshirjen konkrete të vendit, duke krijuar pasiguri për sektorët kyç të eksportit
Produktet kryesore agro-eksportuese si mollët, kumbullat, patatet, kërpudhat, rrushi dhe agrumet kanë hyrë në tregun evropian pa tarifa doganore, duke përforcuar pozitën e Shqipërisë si një furnizues i besueshëm rajonal.
Përfitimet kryesore për Shqipërinë:
-Investime në bujqësi dhe zinxhirin e vlerës
-Rritje të standardeve të sigurisë ushqimore
-Forcim të konkurrueshmërisë në tregjet ndërkombëtare
Viti 2027: Një pikë kritike për eksportet bujqësore. Megjithëse BE ka shtyrë afatin e GSP+ deri në vitin 2027, mungesa e një deklarate zyrtare nga autoritetet shqiptare sjell pasiguri për eksportuesit.
Në mungesë të një plani institucional deri në fund të vitit 2025, Shqipëria mund të përballet me:
✔️ Rikthimin e tarifave doganore ✔️ Rritje të kostove të prodhimit
✔️ Ulje të fitimeve dhe investimeve ✔️ Dobësim të konkurrueshmërisë në BE
Lexo edhe: Si të përgatitet një produkt për eksport, nga paketimi te dokumentacioni
Zgjidhja kërkon veprim të koordinuar institucional dhe diplomaci ekonomike për të negociuar përfitime përtej vitit 2027.
Sfida shtesë në një kontekst global të paqëndrueshëm Përballë afatit të afërt të skemës dhe presioneve ndërkombëtare, është jetike që institucionet shtetërore, dhomat e tregtisë, organizatat e mbështetjes së biznesit (BSO) dhe eksportuesit të nisin negociata aktive për të garantuar vazhdimësinë e GSP+. Ndërkohë, rritja e tarifave të SHBA-së mbi eksportet shqiptare e përkeqëson më tej situatën, duke rrezikuar ekuilibrin tregtar.
Sfida shtesë vijne nga:
-Tensionet tregtare ndërkombëtare
-Politikat proteksioniste të SHBA-së
-Standardet më të larta të BE-së për qëndrueshmëri dhe gjurmueshmëri
Këto faktorë ndikojnë një sektor që ende përballet me mungesë infrastrukture dhe certifikime ndërkombëtare.
Çfarë duhet të bëjnë institucionet shqiptare?
1. Deklaratë dhe konfirmim zyrtar
Konfirmimi i përfshirjes në skemën GSP+ nga Ministria e Bujqësisë, Ministria e Ekonomisë dhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme
Sigurimi i transparencës dhe besimit për bizneset eksportuese
2. Hartimi i një strategjie pas 2027
Negociata të reja me BE-në për përfshirje në marrëveshje më të avancuara
Ndërtimi i një kornize të qëndrueshme bashkëpunimi tregtar
3. Forcimi i kapaciteteve teknike dhe infrastrukturore Përmirësimi I kapaciteteve laboratorike
Rritja e certifikimeve të domosdoshme (GAP, HACCP, etj.)
Krijimi i qendrave moderne të grumbullimit dhe përpunimit
Lehtësimi i përkohshëm nuk mjafton Zgjatja e skemës GSP+ është një mundësi për përgatitje, jo një zgjidhje afatgjatë. Pa një strategji të koordinuar, Shqipëria rrezikon të humbasë një nga avantazhet më të mëdha tregtare. Insitutucionet , organizatat apo agjencite e investimeve si AIDA, AlbEksport dhe TPO-të duhet të shfrytëzohen për ekspertizën që ofrojnë në identifikimin e barrierave dhe përgatitjen për negociatat me BE-në. Shoqatat e biznesit dhe KASH-i duhet të kontribuojnë me statistika dhe inpute konkrete për të ndërtuar një strategji të fortë kombëtare që reflekton nevojat e fermerëve dhe agrobizneseve.
Organizatat joqeveritare dhe agjencitë donatore ndërkombëtare mund të ndihmojnë përmes:
-Asistencës teknike dhe analizave të politikave
-Mbështetjes financiare dhe kapaciteteve
-Shkëmbimit të praktikave të mira ndërkombëtare
Për një tranzicion të suksesshëm nevojiten:
✅ Veprim institucional i strukturuar
✅ Bashkëpunim ndërsektorial
✅ Diplomaci ekonomike aktive
✅ Vizioni afatgjatë për qëndrueshmëri pas vitit 2027
Shqipëria duhet të shfrytëzojë këtë periudhë për të ndërtuar një strategji të qëndrueshme eksporti dhe për të forcuar pozicionin në tregjet evropiane. Pa këtë qasje, skema GSP+ do të mbetet një lehtësim i përkohshëm dhe jo një bazë për zhvillim të qëndrueshëm.
*Pëllumb Qosej është ekspert për zhvillim biznesi dhe konsulent strategjik për eksport në SEE – Export Consultancy Network – www.SEEconsultancy.net
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.