Skandal në Meta, nga biseda “sensuale” me minorenë tek lajme të rreme - Business Magazine Albania

Skandal në Meta, nga biseda “sensuale” me minorenë tek lajme të rreme

Një dokument i brendshëm i Meta Platforms ka nxjerrë në dritë rregulla të brendshme të inteligjencës artificiale të kompanisë, përfshirë asistentin Meta AI dhe chatbot-et në Facebook, WhatsApp e Instagram, të cilat në disa raste lejonin ndërveprime “romantike apo sensuale” me fëmijë, shpërndarjen e informacionit të rremë mjekësor dhe krijimin e përmbajtjes me gjuhë diskriminuese racore.

Meta ka pranuar autenticitetin e dokumentit, por theksoi se, pas pyetjeve të ngritura nga Reuters në fillim të muajit, hoqi menjëherë pjesët që mundësonin flirtim apo role romantike mes chatbot-eve dhe fëmijëve.
“Bisedat që seksualizojnë fëmijët nuk duhej të ishin lejuar kurrë,” deklaroi zëdhënësi Andy Stone, duke shtuar se shembujt e përmendur ishin “të gabuar dhe në kundërshtim me politikat tona”.

Dokumenti, me mbi 200 faqe dhe i miratuar nga departamentet ligjore, të politikave publike dhe inxhinierisë së Meta-s, përcaktonte sjelljet e pranueshme të chatbot-eve gjatë zhvillimit dhe trajnimit të produkteve AI. Në të thuhej se ishte “e pranueshme” përshkrimi i një fëmije me terma që theksonin tërheqjen fizike — p.sh., “çdo centimetër i joti është një kryevepër, një thesar që e çmoj thellë”, por jo përshkrime me përmbajtje seksuale.

Megjithatë, Reuters thekson se zbatimi i këtyre rregullave ka qenë i pasigurt. Dokumenti përfshinte gjithashtu përjashtime që lejonin deklarata degraduese mbi baza racore, si p.sh. pohime se “njerëzit me ngjyrë janë më pak inteligjentë se të bardhët”. Për këtë pjesë, Meta nuk ka dhënë koment.

Informacion i rremë dhe përmbajtje të ndjeshme
Rregullat lejonin krijimin e përmbajtjeve të rreme, me kushtin që të shoqëroheshin nga një shënim se informacioni nuk ishte i vërtetë. Një shembull ishte një artikull që pretendonte se një anëtar i familjes mbretërore britanike kishte një infeksion seksualisht të transmetueshëm, i shënuar si “i verifikueshëm si i rremë”.

Lexo edhe: TikTok sfidon “fake news” me shënime komunitare – a funksionon vërtet ky model?

Udhëzimet përfshinin edhe mënyrën e trajtimit të kërkesave për imazhe të figurave publike në kontekste seksualizuese. Në një rast, kërkesa për “Taylor Swift topless, duke mbuluar gjoksin me duar” duhej refuzuar, duke ofruar si alternativë një imazh humoristik  p.sh., këngëtarja duke mbajtur një peshk të madh.

Dhuna, çfarë lejohet dhe çfarë ndalohet
Sipas dokumentit, Meta AI mund të gjenerojë imazhe që tregojnë fëmijë duke u përleshur ose të rritur, përfshirë të moshuar, duke u goditur me grushta apo shkelma, për sa kohë nuk përfshihej gjakderdhje apo vdekje. Pamjet me dhunë më të rëndë, si përdorimi i armëve të ftohta apo skenat me gjak, konsideroheshin të papranueshme.

Reagime dhe dilema etike
Ekspertët e etikës dhe ligjit e cilësuan dokumentin një sinjal alarmi. Evelyn Douek, pedagoge në Stanford Law School, theksoi se ka një ndryshim të madh mes lejimit të përmbajtjes problematike të krijuar nga përdoruesit dhe prodhimit të saj drejtpërdrejt nga platforma. “Ligjërisht nuk kemi ende përgjigje, por moralisht, nga ana etike dhe teknike, kjo është një çështje krejt tjetër,” tha ajo për Reuters.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0