Sistemi SelfCare në kolaps, kontabilistët dhe bizneset kërkojnë reagim zyrtar - Business Magazine Albania

Sistemi SelfCare në kolaps, kontabilistët dhe bizneset kërkojnë reagim zyrtar

Bizneset dhe ekonomistët gjenden sot në ditën e 16-të të përballjes me mosfunksionim të plotë të sistemit të fiskalizimit SelfCare.

Një numër i madh prej tyre vijojnë të sjellin ankesa pranë “Monitor”, duke pohuar me shqetësim se po përballen me një mosfunksionim serioz dhe të vazhdueshëm të sistemit SelfCare, i cili praktikisht e ka bërë të pamundur kryerjen normale të punës.

“Praktikisht sistemi hapet, por nuk arrijmë të kryejmë asnjë funksion. Problem mbetet mbyllja e bilanceve mujore, pasi te librat e shitjeve dhe blerjeve të regjistruara në sistem nuk arrihet të bëhet asnjë veprim”, pohon një ekonomiste në një kompani shërbimesh.

Bizneset të tjerë nënvizojnë se situata e krijuar, po kalon përtej problemit teknik, po krijohet kolaps dhe presion për të zbatim afatesh në kushte jo normale.

“Situata ka kaluar prej kohësh kufijtë e një problemi teknik dhe po shndërrohet në presion të hapur dhe shkelje të së drejtës për të punuar në kushte normale, me afate që mbeten në fuqi pavarësisht kolapsit të sistemit. Kjo gjendje po ndikon drejtpërdrejt jo vetëm në punën e papërfunduar, por edhe në mirëqenien profesionale dhe psikologjike të stafit, i cili mbetet i ngulur për orë të tëra duke pritur funksionimin e platformës”, thotë një prej bizneseve.

“Nuk ka stabilitet në funksionimin e sistemit dhe pa asnjë siguri për të dhënat e hedhura, pasi edhe pas përpjekjeve të përsëritura nuk rezulton e mundur të verifikohet një pasqyrë e plotë dhe përfundimtare në sistem. Kjo na detyron të humbim orë të tëra pune pa rezultat konkret, duke krijuar një kaos total operacional, pa pasur asnjë përgjegjësi nga ana jonë”, pohon një tjetër drejtues kompanie.

Edhe për kontabilistin Sotiraq Dhamo situata paraqitet kritike dhe mbi të gjitha nuk ka asnjë komunikim zyrtar për situatën e krijuar.

Zoti Dhamo tha për Monitor se për shkak të situatës është e domosdoshme komunikimet zyrtare nga institucionet përgjegjëse se si do vijojnë punën bizneset.

“AKSHI duhet të dalë me një komunikim për të sqaruar se çfarë problemi ka dhe si po punohet për ta zgjidhur. Ministria e Financave duhet të komunikojë se si do të veprohet lidhur me mosplotësimin e kërkesave ligjore nga tatimpaguesit, i cili vjen si pasojë e mosfunksionimit të sistemit SelfCare”, nënvizon ai.

Lexo edhe: Pagat minimale në Europë për këtë vit, Shqipëria e fundit mes vendeve kandidate

Edhe eksperti Fiskal Julian Saraçi ripërsërit kërkesën për domosdoshmërinë e nisjes së menjëhershme të një dialogu institucional i strukturuar, me qëllim identifikimin dhe zbatimin e një zgjidhjeje të qëndrueshme në tre faza atë afatshkurtër, afatmesme dhe afatgjatë.

Z.Saraçi gjithashtu vlerëson si të domosdoshme që institucionet përgjegjëse të dalin me qëndrime publike të qarta mbi mosaplikimin e penaliteteve ndaj subjekteve për periudhën e mosfunksionimit të sistemit, si dhe të formalizohet shtyrja e afateve për përmbushjen e detyrimeve

ALP shkresë zyrtare tatimeve e AKSHI: Na keni bllokuar aktivitetin zgjidhni problemin e fiskalizimit

Më 27 janar, Aleanca e Profesionistëve të Lirë (APL) i është drejtuar me një letër zyrtare AKSHI-t dhe Tatimeve, për dijeni edhe Ministrisë së Financave, duke raportuar probleme serioze dhe të përsëritura në funksionimin e sistemit, të evidentuara nga anëtarët që prej 20 janarit 2026 dhe në vijim.

Sipas APL-së, bllokimet kryesore lidhen me pamundësinë për regjistrimin e certifikatave të reja të fiskalizimit, çka pengon rinovimin apo aktivizimin e elementëve bazë të funksionimit dhe ndalon vijimin normal të proceseve të fiskalizimit. Gjithashtu, raportohen vështirësi në hapjen e filialeve të reja, duke bllokuar zgjerimin dhe organizimin e aktivitetit ekonomik, si dhe probleme në ndryshimin e operatorëve, të cilat në rastet e largimit, shtimit apo zëvendësimit të punonjësve, sjellin ndërprerje të faturimit dhe rrezik për pezullim të aktivitetit.

Në letër theksohej se mungesa e një komunikimi zyrtar nga autoritetet e bën të pamundur planifikimin korrekt nga ana e bizneseve.

APL ndër të tjera në letër shprehej se këto bllokime po sjellin pasoja të drejtpërdrejta për bizneset, përfshirë ndërprerje të punës, vonesa në faturim dhe arkëtime, rritje të kostove operative, ekspozim ndaj gjobave dhe penaliteteve, si dhe dëmtim të besimit në procesin e fiskalizimit. Njëkohësisht, situata prek edhe interesin publik, pasi ndikon negativisht në qarkullimin ekonomik, arkëtimet tatimore dhe klimën e të bërit biznes.

Ekspertët fiskale të Aleancës së Profesionistëve të Lirë të kontaktuar pohuan se ende deri tani nuk ka asnjë komunikim zyrtar për ankesën e tyre.

Monitor

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0