Për shumëkënd, “green economy” tingëllon si një koncept i sjellë nga jashtë, jo si një nevojë e brendshme. E megjithatë, gjithnjë e më tepër po ngrihen njerëz që nuk presin t’u shpjegohet pse duhet të mendojmë ndryshe, ata kanë nisur të veprojnë. Alis Mustafa është një prej tyre. Në rolin e saj si menaxhere projekti në Partners Albania, ajo ka parë nga afër si lindin, rriten dhe, nganjëherë, edhe shuhen iniciativat që përpiqen të jenë të qëndrueshme, financiarisht dhe në raport me mjedisin.
Si e vlerësoni ecurinë e sipërmarrjeve të gjelbra në Shqipëri gjatë viteve të fundit? A ka pasur rritje të interesit dhe të mbështetjes për këtë sektor?
Gjatë viteve të fundit, është vënë re një tendence në rritje e sipërmarrjeve të gjelbra në Shqipëri. Gjithmonë duke mbajtur në konsideratë edhe përkufizimin e sipërmarrjeve të gjelbra, si të gjitha ato sipërmarrje apo iniciativa sipërmarrëse të cilat ofrojnë produkte apo shërbime të cilat janë miqësore me mjedisin apo përdorin procese për prodhimin e këtyre produkteve apo shërbimeve, të cilat kanë një ndikim minimal mjedisor, apo synojnë të reduktojnë ndikimin negativ në mjedis, duke promovuar një ekonomi të gjelbër, përdorimin e teknologjive të gjelbra, kursimin e energjisë dhe burimeve.
Kjo tendencë vërehet jo vetëm parë nga këndvështrimi i sipërmarrjeve dhe interesi i tyre për t’u angazhuar dhe për të kontribuar në mënyrë aktive, por njëkohësisht vërehet nga këndvështrimi i aktorëve të ndryshëm dhe grupeve kryesore të interesit të cilët po shihen gjithmonë e më të angazhuar në ndërmarrjen e iniciativave në mbështetje të sektorit. Kështu, nëse për shembull Partners Albania ka qenë pioniere e ofrimit të mbështetjes së përqendruar pikërisht në këtë sektor (bizneset e gjelbërta) që prej vitit 2012 nëpërmjet Konkursit të Bizneseve të Gjelbërta, vitet e fundit vihet re që iniciativa dhe programe të tjera mbështetëse i janë shtuar ekosistemit duke kontribuar në këtë mënyrë në mënyrë të drejtpërdrejtë në fuqizimin dhe zhvillimin e sipërmarrjeve të gjelbra.
Cilat janë format kryesore të mbështetjes që ofrohen aktualisht për sipërmarrjet e gjelbra në Shqipëri, për shembull, thirrjet për ide apo financimet? Dhe në çfarë masë janë ato të aksesueshme për të rinjtë apo startup-et?
Partners Albania ofron shërbime inkubimi dhe përshpejtimi (akselerimi) në mbështetje të startup-eve dhe sipërmarrjeve sociale të gjelbërta, si: kërkim dhe studim tregu, ngritje e kapaciteteve, mentorim për zhvillimin e ideve të biznesit, mundësi rrjetëzimi, ekspozim ndaj tregjeve ndërkombëtare, si dhe financim në kapital fillestar.
Për sa i përket kërkimit dhe studimit të tregut, kontributi i Partners Albania ka qenë në studimin e çështjeve që lidhen me hartëzimin e sektorit, kuptimin e sfidave dhe mundësive në tregjet lokale, financimet ekzistuese dhe mbështetja institucionale, potenciali për rritje dhe roli i aktorëve shtetërorë dhe jo-shtetërorë në zhvillimin e sipërmarrjeve sociale. Partners Albania ka qenë pjesë e disa iniciativave me fokus kërkimin ne lidhje me sipërmarrjet e gjelbërta në Ballkanin Perëndimor. Specifikisht ne lidhje me sipërmarrjet e gjelbërta, Partnerët Shqipëri ka kontribuar në zhvillimin e “Udhërrëfyesit të Ekosistemit të Sipërmarrjes së Gjelbër në Ballkanin Perëndimor“, për kapitullin e Shqipërisë. Ky Udhërrëfyes është përgatitur me synim ofrimin e një pasqyre konkrete të ekosistemit ekzistues dhe hartëzimin (identifikimin) e aktorëve kryesorë në vendet që po nxisin zhvillimin e sipërmarrjeve të gjelbërta në Ballkanin Perëndimor.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto