Pas përfundimit të festave, një nga momentet më pak të dëshiruara për shumë familje është heqja e pemës së Krishtlindjeve. Shumë prej nesh e shtyjnë këtë hap, duke dashur të mbajnë edhe pak atmosferën festive në shtëpi. Por a ekziston një moment “i duhur” për t’i thënë lamtumirë bredhit?
Sipas traditës fetare të krishterë, po.
Edhe pse 25 dhjetori është dita kryesore e festimit të Krishtlindjes, kalendari kishtar parashikon që festimet të zgjasin 12 ditë, deri në Epifani, e cila shënohet më 6 janar. Kjo ditë njihet edhe si “Dita e Tre Mbretërve”, pasi përkujton vizitën e tre Magëve që sollën dhurata për foshnjën Jezus.
Epifania shënon zyrtarisht fundin e sezonit të festave dhe fillimin e një periudhe të re në kalendarin fetar. Pikërisht për këtë arsye, sipas traditës, pema e Krishtlindjeve dhe zbukurimet festive duhet të hiqen pas datës 6 janar.
Madje, sipas disa besimeve popullore, mbajtja e pemës shumë kohë pas përfundimit të festave mund të konsiderohet shenjë fati të keq, ndërsa heqja e saj në kohën e duhur simbolizon mbylljen e një cikli dhe nisjen e një periudhe të re.
Pavarësisht nëse ndiqni rregullat fetare, besoni në supersticione apo thjesht dëshironi të respektoni traditën, 6 janari mbetet data simbolike për t’i dhënë fund zyrtarisht festave të Krishtlindjes.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto