Të gjendura përballë mungesës së parave, vitet e fundit qeveritë kanë preferuar që një sërë shërbimesh publike t’i kalojnë tek privatët si konçesione apo forma të tjera të parnteritetit publik-privat.
Sipas një raporti të fundit të FMN-së, deri më tani Shqipëria ka nënshkruar të paktën 55 marrëveshje të partneritetit publik-privat.
Por, ndonëse në fillim këto marrëveshje nuk kërkojnë investime nga paratë publike, pasi kryhen nga privatët, herët a vonë qytetarët dhe buxheti duhet të paguajnë për to.
Në shumë nga këto konçesione, qeveria ka marrë përsipër të kompensojë privatët nëse këta nuk arrijnë fitimin e synuar dhe kostoja është duke u rritur me shpejtësi.
Sipas FMN, vetëm nga 55 konçesionet e firmosura deri më tani, buxheti ka krijuar angazhime apo detyrime sa 7 për qind e Prodhimit Kombëtar.
Nga këto, 2 për qind vijnë nga konçesioni i skanimit në dogana, 1 për qind e Prodhimit Kombëtar është kosto që vjen nga konçesioni i check up-it dhe po kështu detyrime do të ketë edhe për marrëveshje të tjera si ai i landfilldit të Elbasanit, konçesioni i pritshëm i Rrugës së Arbrit apo ai i Durrës-Kukës.
Kalimi i një sërë shërbimeve tek privatët në formën e partneritetit publik-privat është një shqetësim jo i ri për FMN-në.
Edhe më parë ky institucion ka kërkuar kujdes në këto marrëveshja, pasi sipas tij, shumë prej tyre fshehin borxhin publik dhe në një fazë të mëvonshme mund të krijojnë kosto të mëdha për financat e vendit.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.