Si u ndërthurën siguria, AI dhe financat e gjelbërta në ditën e dytë të GEW Shqipëri? - Business Magazine Albania

Si u ndërthurën siguria, AI dhe financat e gjelbërta në ditën e dytë të GEW Shqipëri?

Dita e dytë e Javës Globale të Sipërmarrjes në Shqipëri solli një panoramë të gjerë aktivitetesh që ndërthurën teknologjinë, edukimin, sigurinë kibernetike, financat e gjelbërta dhe rolin e universiteteve në zhvillimin e të rinjve. Dita nisi me një simulim praktik mbi sulmet kibernetike të koordinuara ndaj universiteteve, ku studentët patën mundësinë të përfshihen drejtpërdrejt në skenarë të krizave digjitale, duke mësuar të reagojnë në mënyrë të strukturuar dhe bashkëpunuese në rast kërcënimesh të sigurisë.

Në vijim, u zhvillua një diskutim i gjerë mbi inteligjencën artificiale, qytetet e zgjuara dhe mënyrën se si teknologjia, aftësitë digjitale dhe infrastruktura moderne po ndikojnë në transformimin e vendit. Ky aktivitet theksoi nevojën për një qasje njerëzore në epokën e automatizimit, duke vendosur në qendër edukimin dhe inovacionin e zgjuar.

Një tjetër moment i rëndësishëm ishte aktiviteti i organizuar nga Banka e Shqipërisë, i cili u fokusua te financat e gjelbërta, taksonomia kombëtare dhe edukimi financiar për të rinjtë. Pjesëmarrësit u njohën me proceset e hartimit të standardeve të reja dhe rolin e bankës qendrore, duke përjetuar gjithashtu një eksperiencë edukative në muzeun e institucionit. Paralelisht, në Piramidë u zhvillua një takim me politikëbërës, investitorë dhe themelues startup-esh, ku u trajtuan format e reja të kapitalit, nga crowdfunding te financat e zhvillimit, duke i dhënë vëmendje trendit në rritje të instrumenteve alternative të financimit.

Lexo edhe: Çelet Java Globale e Sipërmarrjes në Shqipëri

Roli i universiteteve si nxitës të sipërmarrjes u vendos në fokus gjatë një aktiviteti të dedikuar zhvillimit të kompetencave dhe kulturës së inovacionit tek të rinjtë, ndërsa një sesion i veçantë prezantoi projektin Sustain4Future, i cili synon përgatitjen e trajnerëve në fushën e sipërmarrjes së qëndrueshme dhe financave të gjelbërta.

Pasditja solli edhe dy aktivitete me orientim teknik dhe praktik: një workshop mbi aksesin në kapital për startup-et në fazat e hershme, ku themeluesit u pajisën me strategji konkrete për strukturuar financimin, si dhe një meetup mbi ndërtimin e sistemeve RAG me inteligjencë artificiale, i dizajnuar për një audiencë të avancuar teknike dhe biznesi. Paralelisht, u lançua platforma ndërkombëtare Match4Research, e cila synon të krijojë ura bashkëpunimi midis akademisë, industrisë dhe institucioneve në funksion të kërkimit të komercializuar dhe qasjes në grante.

Në mënyrë të vazhdueshme gjatë ditës, në Universitetin Epoka vijoi ekspozita dhe gara e dedikuar startupeve të gjelbërta, duke sjellë në vëmendje idetë e studentëve që synojnë të kontribuojnë në një ekonomi më të qëndrueshme.

Në tërësi, dita e dytë e GEW Shqipëri 2025 u karakterizua nga ndërthurja e sigurisë kibernetike me inteligjencën artificiale, fokusi te financat e qëndrueshme dhe përfshirja aktive e universiteteve, duke e kthyer këtë ditë në një hapësirë praktike dhe strategjike për të gjithë aktorët e ekosistemit të inovacionit.

Agjendën me eventet për çdo ditë të javës e gjeni këtu

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

See more
Follow us
0