Tregjet e parashikimit po hapin një epokë të re, ku gjykimi kolektiv dhe “mençuria e turmës” nuk janë më koncepte teorike, por mallra që tregtohen. Megjithatë, pavarësisht suksesit të tyre në rritje, ato mbeten të ndaluara në shumë vende të Bashkimit Europian. Ajo që nisi si një fjalë e thënë nga kendi i vogël i internetit është shndërruar në një industri shumë-miliardëshe.
Në vitin 2025, tregjet e parashikimit janë bërë një instrument i rëndësishëm për spekulimin dhe parashikimin e ngjarjeve reale, si në financë ashtu edhe në media. Dy lojtarët kryesorë të sektorit, Polymarket dhe Kalshi, kanë grumbulluar së bashku mbi 37 miliardë dollarë (31.5 miliardë euro) në baste të vendosura gjatë këtij viti, sipas raportit Digital Assets Outlook 2026.
Një treg parashikimi është, në thelb, një platformë ku njerëzit vënë baste mbi atë që mendojnë se do të ndodhë, ndërsa çmimi i bastit shndërrohet në një parashikim. Për shembull, në vend që t’i pyesësh njerëzit drejtpërdrejt apo përmes sondazheve se kush mendojnë se do të fitojë një palë zgjedhje, u jep mundësinë të vendosin para mbi përgjigjen e tyre.
Çmimi i tregut tregon se cili rezultat konsiderohet kolektivisht si më i mundshmi dhe përditësohet në kohë reale. Pikërisht për këtë arsye, disa besojnë se tregjet e parashikimit e kapin mendimin kolektiv më mirë sesa sondazhet tradicionale.
Sasia e madhe e kapitalit që qarkullon në këto platforma ka nxitur atë që quhet “ethet e arit”. Këtë muaj, Kalshi siguroi një raund financimi Series E prej 1 miliard dollarësh (850 milionë euro), duke e vlerësuar platformën në 11 miliardë dollarë (9.4 miliardë euro).
Polymarket arriti një moment kyç në tetor, kur Intercontinental Exchange (ICE), kompania mëmë e bursës së Nju Jorkut, njoftoi një investim strategjik deri në 2 miliardë dollarë (1.7 miliardë euro), duke e vlerësuar platformën në 8 miliardë dollarë (6.8 miliardë euro). Për më tepër, ICE u bë shpërndarësi i të dhënave të Polymarket për investitorët institucionalë në mbarë botën.
Lexo edhe: Pagat reale rikuperohen pas inflacionit, ja parashikimet për Europën në 2026
Interesi nga institucionet financiare është i pamohueshëm. Terrence Duffy, CEO i CME Group, bursa më e madhe botërore e derivateve i përshkroi tregjet e parashikimit si “një fushë legjitime spekulimi dhe grumbullimi informacioni që klientët tanë po e kërkojnë”, gjatë thirrjes për rezultatet financiare të tremujorit të tretë.
Ndërkohë, tregjet e parashikimit me bazë në BE, ose të zhvilluara brenda saj, nuk kanë arritur ende të shpërthejnë, ndërsa rregulloret europiane i kanë mbajtur platformat ekzistuese kryesisht jashtë kufijve të Unionit.
Nga sfidimi i sondazheve te partneritetet me mediat
Si platforma, tregjet e parashikimit funksionojnë në mënyrë të ngjashme me bursat financiare. Përdoruesit blejnë dhe shesin kontrata binare “po” ose “jo” mbi rezultatin e ngjarjeve të panjohura të së ardhmes, si zgjedhjet, raportet e fitimeve të kompanive apo rezultatet sportive.
Zakonisht, këto kontrata paguajnë 1 dollar nëse ngjarja ndodh dhe 0 dollarë nëse jo. Për shembull, një kontratë me çmim 0.50 dollarë nënkupton se besimi kolektiv i pjesëmarrësve e vlerëson probabilitetin e ndodhjes së ngjarjes në 50%.
Rëndësia e tregjeve të parashikimit u vulos pas zgjedhjeve presidenciale amerikane të vitit 2024 dhe zgjedhjeve të parakohshme në Gjermani në 2025. Në të dy rastet, këto platforma shërbyen si tabela rezultatesh në kohë reale, duke ofruar parashikime që rezultuan po aq, ose edhe më të sakta, se sondazhet tradicionale.
Kjo saktësi e perceptuar i ka detyruar edhe mediat tradicionale të përshtaten. Më herët këtë muaj, CNN vendosi një precedent global duke bashkëpunuar me Kalshi për të integruar të dhëna të drejtpërdrejta nga tregjet e parashikimit në transmetimet e saj. Pak ditë më vonë, një njoftim i ngjashëm erdhi edhe nga CNBC.
Edhe përpara këtyre partneriteteve, disa media kishin filluar t’i përfshinin këto parashikime në raportimet e tyre të përditshme, për tema si vendimet mbi normat e interesit apo votimet legjislative, duke u dhënë atyre peshë editoriale të ngjashme me sondazhet klasike.
Hiper-komodifikimi, tregtia me informacion të brendshëm dhe manipulimi i rezultateve
Kritikët argumentojnë se tregjet e parashikimit kanë kthyer në lojë rezultate serioze njerëzore, duke e bërë kufirin mes parashikimit të përgjegjshëm dhe kumarit me rrezik të lartë jashtëzakonisht të hollë.
Ky proces ka përshpejtuar atë që disa e quajnë “hiper-komodifikim”, pra shndërrimin e çdo aspekti të jetës shoqërore në mall të nënshtruar ndaj forcave të tregut.
Në formën e tij më ekstreme, ky fenomen nxit kumarin, krijon hapësira të reja për tregti me informacion të brendshëm dhe stimulon manipulimin e rezultateve të ngjarjeve reale.
Në fillim të dhjetorit, një tregtar në Polymarket me pseudonimin “AlphaRaccoon” shkaktoi polemika pasi fitoi 22 nga 23 baste lidhur me renditjen “Year in Search” të Google për vitin 2025. Ai përfitoi mbi 1 milion dollarë (850 mijë euro) brenda 24 orëve dhe më pas u akuzua se ishte punonjës i Google, i cili kishte përdorur aksesin e brendshëm në të dhënat e kërkimit për të zbuluar termat më të kërkuar përpara njoftimit zyrtar.
Rasti ngriti pikëpyetje serioze mbi integritetin e tregjeve të parashikimit, veçanërisht për faktin se anonimati i përdoruesve e vështirëson identifikimin e shpejtë të praktikave të paligjshme.
Në fund të tetorit, CEO i Coinbase, Brian Armstrong, e shndërroi thirrjen për rezultatet e tremujorit të tretë në një demonstrim praktik të rreziqeve të manipulimit të rezultateve. Përdoruesit e Polymarket dhe Kalshi kishin vendosur mijëra dollarë baste mbi faktin nëse Armstrong do të përdorte fjalë të caktuara kyçe gjatë fjalimit. CEO ndaloi qëllimisht dhe i shqiptoi qartë këto fjalë, duke bërë që probabiliteti i nënkuptuar të rritej nga rreth 15% në 100% brenda sekondash.
Edhe pse Armstrong e quajti më vonë këtë veprim “spontan”, për rregullatorët ai shërbeu si një shembull i qartë se si tregjet e parashikimit mund të manipulohen dhe të humbasin avantazhin e tyre si mjete neutrale parashikimi.
Muri rregullator i BE-së
Në Bashkimin Europian, goditja ndaj tregjeve të parashikimit nisi në fund të vitit 2024, kur Autoriteti Kombëtar i Lojërave të Fatit në Francë bllokoi Polymarket, duke e cilësuar aktivitetin e tij si kumar të palicencuar.
Në muajt pasues, edhe Belgjika, Polonia dhe Italia vendosën ndalime të ngjashme.
Zyra Kombëtare Rumune e Lojërave të Fatit (ONJN) e futi Polymarket në listën e zezë në tetor, pasi platforma kishte ofruar baste mbi zgjedhjet presidenciale rumune të vitit 2025, të mbajtura në maj. Vëllimi i tregtimit kaloi 600 milionë dollarë dhe kreu i ONJN deklaroi se “pavarësisht nëse bastet vendosen në lei apo kriptomonedha, nëse vihen para mbi një rezultat të ardhshëm në kushtet e një basti kundër, kemi të bëjmë me kumar që duhet të licencohet”.
Megjithatë, ka ende shtete anëtare të BE-së ku tregjet e parashikimit janë të aksesueshme, si Gjermania dhe Spanja. Peizazhi rregullator europian mbetet i fragmentuar, pa një kornizë të unifikuar.
Ndërsa hyjmë në vitin 2026, tregjet e parashikimit do të përballen edhe me zbatimin e plotë të rregullores së BE-së për Tregjet e Aseteve Kripto (MiCA), pasi shumica e këtyre platformave përdorin teknologjinë blockchain. Deri në korrik të vitit të ardhshëm përfundon periudha kalimtare për sigurimin e licencës si Ofrues i Shërbimeve të Aseteve Kripto.
Sipas Autoritetit Europian të Letrave me Vlerë dhe Tregjeve (ESMA), MiCA përmban regjime të rrepta kundër abuzimit të tregut, të cilat do të zbatohen për çdo treg parashikimi që përdor asete kripto.
Realiteti i ri është se mbi çdo ngjarje botërore po vendoset bast në kohë reale. Bashkimi Europian duhet të vendosë nëse do të jetë pjesë e kësaj epoke, apo do të zgjedhë një ndalim të plotë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.