Premtimi i kryebashkiakut të zgjedhur të New York-ut, Zohran Mamdani, për ta rritur pagën minimale në 30 dollarë për orë, pasqyron një dilemë që po i përndjek shumicën e ekonomive të zhvilluara. Edhe pse dyshemetë e pagave rriten, punëtorët ndihen gjithnjë e më pak të sigurt. Duke u përgjigjur me mjete të ashpra si paga minimale, politikëbërësit po e anashkalojnë problemin më të thellë: shkëputjen e kohës së punës njerëzore nga vlera ekonomike.
Për dy shekuj, tregjet e punës janë mbështetur pikërisht te ky raport. Pagat, kontratat dhe mbrojtjet sociale kanë supozuar se koha është një zëvendësues i besueshëm i produktivitetit. Por inteligjenca artificiale (AI) e ka këputur këtë lidhje. Diagnostikues mjekësorë që kanë kaluar vite duke përvetësuar njohjen e modeleve sot konkurrojnë me sisteme që përpunojnë raste në sekonda. Avokatë me agjentë AI kryejnë detyra për minuta që më parë kërkonin orë. Pyetja nuk është më nëse pagat minimale rrezikojnë të tejkalojnë masën, por nëse kompensimi i bazuar në kohë ka ende kuptim.
Çfarë duhet bërë? Së pari, kornizat fiskale duhet ta njohin kohën e makinës si input prodhimi të veçantë dhe ta çmojnë si të tillë. Kjo nuk nënkupton një “taksë për robotët”, por diçka më të afërt me një taksë të matur për inputet, duke përdorur të dhëna që tashmë gjurmohen në kohë reale.
Përpjekjet për të taksuar drejtpërdrejt kompanitë sipas “shkallës së automatizimit” nuk kanë funksionuar kurrë, sepse këto procese janë organizativisht të errëta. Vendimmarrja algoritmike e integruar në softuer është pothuajse e padukshme, dhe përpjekjet për të përkufizuar një “robot” kanë rezultuar juridikisht qesharake (a llogaritet Excel-i?). Për më tepër, automatizimi është konsideruar prej kohësh thelbësor për konkurrueshmërinë globale, duke u shfaqur si “problem” kryesisht për ata që ofrojnë punë manuale.
Politikat që penalizojnë produktivitetin rrallë gjejnë mbështetje. Përpjekja më e njohur erdhi në vitin 2017, kur Parlamenti Europian shqyrtoi një propozim – të përfshirë në raportin e eurodeputetes Mady Delvaux mbi robotikën dhe AI, për të vendosur një “taksë robotësh” ndaj kompanive që zëvendësonin punëtorët me sisteme të automatizuara. Ideja synonte financimin e mbrojtjes sociale dhe rikualifikimit, por u refuzua shprehimisht në votimin përfundimtar, nga frika se do të dëmtonte inovacionin dhe konkurrueshmërinë e Europës. Që atëherë, propozimet për taksa robotësh kanë mbetur kryesisht teorike në shtetet anëtare të BE-së, duke përforcuar realitetin politik se politikat e perceptuara si ndëshkim i produktivitetit vështirë se avancojnë.
Zgjidhja mund të jetë tatimi i “orëve të AI-së”: koha llogaritëse që konsumojnë sistemet e AI-së kur kryejnë detyra ekonomikisht produktive. Meqë koha llogaritëse matet tashmë me saktësi për qëllime faturimi në industrinë e cloud-it, baza e shumicës së shërbimeve të AI-së për ndërmarrjet, orët e AI-së përbëjnë një bazë tatimore të rrallë, me gjurmë auditimi të integruara dhe të automatizuara.
Lexo edhe: Roboti humanoid patrullon për herë të parë krah policisë në Kinë
Merrni një zyrë ligjore me madhësi mesatare në SHBA që automatizon shqyrtimin e kontratave me një sistem AI, duke zëvendësuar 25 paralegalë me pagë mesatare vjetore 65,000 dollarë. Norma orare e kësaj pune është 32.50 dollarë (65,000 / 2,000 orë pune standarde në vit). Nëse firma konsumon 50,000 orë AI në vit për këtë automatizim, vlera e tatueshme e zhvendosjes së punës është 1,625,000 dollarë (50,000 × 32.50). Një taksë 15% mbi këtë vlerë do të gjeneronte 243,750 dollarë të ardhura vjetore. Ky model takson vlerën ekonomike të punës njerëzore që zëvendësohet nga AI, shkallëzohet automatikisht sipas niveleve të pagave në profesione të ndryshme dhe e lidh barrën tatimore me madhësinë e zhvendosjes së punës.
Kjo mund të duket një shumë modeste, por bëhet domethënëse kur mblidhet në të gjithë shërbimet ligjore, analizën financiare dhe diagnostikën mjekësore. Deri në vitin 2028, shpenzimet globale për infrastrukturën e AI-së në ndërmarrje pritet të arrijnë 200 miliardë dollarë.
Sigurisht, edge computing, përpunimi i të dhënave pranë burimit, e ndërlikon çështjen, sepse regjistrat e përdorimit janë lokalë. Në këto raste, baza tatimore do të zhvendosej nga flukset e të dhënave drejt treguesve të kapacitetit, si specifikimet e çipeve dhe konsumi i energjisë. Meqë rregullatorët i përdorin tashmë këto metrika për raportimin e gjurmës së karbonit dhe auditimet energjetike, kompanitë thjesht do të regjistronin pajisjet e afta për AI mbi pragje të caktuara dhe do të dorëzonin vlerësime tremujore të përdorimit, të verifikuara kundrejt kapacitetit dhe telemetrisë së konsumit.
Ekziston rreziku që firmat të manipulojnë sistemin për të përfituar norma më të ulëta tatimore. Prandaj, përkufizimet janë thelbësore. Dy termat që kërkojnë qartësi janë “shtesimi” (augmentation) dhe “zëvendësimi” (substitution). Shtesimi nënkupton raste ku njerëzit përdorin AI-në, por mbeten autoriteti kryesor vendimmarrës. Zëvendësimi ndodh kur AI ekzekuton flukse të plota pune, me ndërhyrje njerëzore vetëm në rrethana të jashtëzakonshme. Një radiolog që rishikon anomali të sinjalizuara nga AI dhe merr vendimin përfundimtar është i shtesuar; një sistem AI që miraton automatikisht 95% të aplikimeve për kredi po zëvendëson njerëzit.
Me këto terma të qartë, një taksë mbi orët e AI-së mund të jetë e shkallëzuar, p.sh. 5% për shtesim dhe 15% për zëvendësim. Auditimet e flukseve të punës do të përcaktonin klasifikimet. Nëse një firmë pretendon shtesim, por njerëzit trajtojnë realisht më pak se 40% të rasteve, sistemi do të riklasifikohej. Normat mund të diskutohen, por parimi pasqyron dallimin ekzistues mes shpenzimeve operative dhe atyre kapitale. Edhe me 15% taksë, orët e AI-së do të mbeteshin shumë më të lira se puna njerëzore.
Qëllimi i kësaj takse është të nxisë sisteme hibride, ku gjykimi njerëzor përmirëson rezultatet, në vend të konfigurimeve plotësisht autonome. Ajo e bën zhvendosjen e punës paksa më të kushtueshme se shtesimi, pa e frenuar inovacionin. Vetë industria duhet ta mirëpresë një politikë të tillë: kërcënimi real për progresin e AI-së nuk është tatimi, por reagimi politik. Një taksë e parashikueshme dhe e bazuar në rregulla mund të sigurojë mandatin social të AI-së, duke garantuar që përfitimet të ndahen.
Po dimensioni global? Teksa orët e AI-së bëhen qendrore për prodhimin, mallrat dhe shërbimet e krijuara me kohë makinerie të papricuar mund të nënçmojnë ato që nuk e përdorin. Fatmirësisht, kemi tashmë një mekanizëm për ta adresuar këtë. Një mekanizëm dixhital rregullimi në kufi (DBAM) mund t’u kërkojë firmave të deklarojnë përmbajtjen e orëve të AI-së për mallrat e tregtuara dhe shërbimet dixhitale ndërkufitare, duke pasqyruar mekanizmat e rregullimit të karbonit në kufi që janë tashmë në funksion. Zbatimi nuk do të ishte i vështirë, sepse rregullat e çmimeve të transferimit tashmë u kërkojnë multinacionaleve dokumentacion të krahasueshëm.
Një taksë mbi orët e AI-së do të kishte apel të gjerë: bizneset do të fitonin rregulla të parashikueshme në vend të politizimit ad hoc të pagave; puna do të siguronte një mekanizëm për kapjen e suficitit teknologjik (pa bllokuar adoptimin); konservatorët fiskalë do të kishin stabilitet ndërsa taksat mbi pagat gërryhen; dhe progresistët do të merrnin një mjet për të ulur pabarazinë pa iu drejtuar taksave të diskutueshme kushtetuese mbi pasurinë.
Koordinimi mbetet sfida kryesore. Pionierët mund të përballen me presione afatshkurtra konkurruese derisa regjimet DBAM të piqen. Por marrëveshjet plurilaterale, si në rastin e çmimit të karbonit, mund të krijojnë masë kritike.
Debati nëse paga minimale duhet të jetë 16 apo 30 dollarë e humb thelbin. Sistemet e AI-së operojnë vazhdimisht me kosto pothuajse zero. Pa një kornizë të re fiskale, do të vazhdojmë të rrëshqasim drejt një ekonomie me bazë tatimore në tkurrje. Një taksë mbi orët e AI-së mund ta kthejë produktivitetin e makinave në të ardhura publike pa e shtypur inovacionin. Është përgjigjja më e mirë që kemi në dispozicion.
Sami Mahroum është themelues i Spark X dhe më parë ka mbajtur pozicione në INSEAD, OECD dhe Nesta.
Copyright: Project Syndicate, 2025.
www.project-syndicate.org
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.