Ndërkohë që algoritmet e rrjeteve sociale ndryshojnë vazhdimisht, kostot e reklamave të paguara vazhdojnë të rriten dhe konkurrenca për vëmendjen e audiencës është më e fortë se kurrë, një gjë mbetet e pandryshuar, fuqia e listës së email-it.
Sipas raportit vjetor të HubSpot “The 2025 State of Marketing”, email marketing-u gjeneron një kthim mesatar prej 36 herë më shumë sesa investimi fillestar. Me fjalë të tjera, për çdo 1 dollar të shpenzuar, bizneset fitojnë mesatarisht 36 dollarë në të ardhura. Por përtej shifrave, një listë e mirë email-i është një aset i palëkundur, është kanal që e zotëroni vetë, nuk varet nga algoritmet apo platformat, dhe ju lejon të ndërtoni marrëdhënie të drejtpërdrejta e të personalizuara me audiencën tuaj.
Lexo gjithashtu: Nuk ke kapital për startup-in? 5 punë që të japin para dhe aftësi
Por si mund ta rrisni këtë listë, nëse nuk doni ose nuk mund të shpenzoni për reklama të paguara? Eksperti i marketingut digjital, Graeme Whiles, propozon gjashtë mënyra konkrete dhe të testuara që funksionojnë në vitin 2025, të gjitha pa asnjë kosto monetare.
Jepuni njerëzve atë që duan, krijoni një “lead magnet” të pakundërshtueshëm
Një nga mënyrat më efektive për të mbledhur adresa email-i është të ofroni diçka me vlerë në këmbim. Ky mund të jetë një udhëzues praktik, një eBook, një kurs i shkurtër, një template ose një checklist. Çelësi është që materiali të jetë specifik, i dobishëm dhe i krijuar me kujdes, jo një dokument i gjeneruar brenda 5 minutash me ndihmën e AI-së. Konsumatorët sot janë të zgjuar dhe kërkojnë vlerë të vërtetë për të ndarë të dhënat e tyre personale.
Shfaqni formularët e regjistrimit në mënyrë strategjike
Shumë biznese fokusohen në përmbajtjen e “opt-in”-eve, por shpesh harrojnë rëndësinë e vendosjes së tyre. Formularët për regjistrim duhet të jenë të dukshëm në faqen kryesore, në fund të artikujve të blogut, në faqen “About”, në futer, dhe pse jo, në formën e një popup-i miqësor që shfaqet në momentin e duhur.
Organizoni një sfidë falas ose një kurs me email
Angazhimi është një nga çelësat për ndërtimin e besimit. Një mënyrë shumë efektive për ta arritur këtë është të ftoni ndjekësit tuaj në një sfidë 5-ditore apo një kurs edukativ me email.
Për shembull, një markë wellness mund të ofrojë një “7-Day Reset Challenge”, një markë kozmetike një “Sfida për një lëkurë që shkëlqen”, ndërsa një studio fitnesi mund të nisë një sfidë për forcimin fizik. Këto përvoja janë interaktive, të dobishme dhe të personalizuara, dhe janë një mënyrë shumë natyrale për të kthyer ndjekësit në abonentë besnikë.
Lexo gjithashtu: Lidershipi fillon në pistë, çfarë na mëson sporti për sipërmarrjen e suksesshme
Mos e lini audiencën tuaj sociale pa ftesë
Nëse keni një audiencë në Instagram, LinkedIn apo TikTok, atëherë keni gjithashtu një potencial të madh për të rritur listën tuaj të email-it. Përdorni “link in bio” për të ftuar ndjekësit të regjistrohen, promovoni materialet tuaja falas, sfidat ose përmbajtjen ekskluzive përmes postimeve, story-ve apo videove live.
Vendoseni linkun e regjistrimit gjithkund
Një nga strategjitë më të nënvlerësuara është të siguroheni që linku i regjistrimit për email-in tuaj të jetë i pranishëm kudo, në firmën e email-it, në bio-në e LinkedIn-it, në kartat e biznesit, në komentet që lini në blogjet e të tjerëve apo gjatë bashkëpunimeve.
Sa më shumë pika kontakti që keni online, aq më shumë mundësi keni për të konvertuar njerëzit në abonentë.
Bashkëpunoni me njerëz të tjerë në fushën tuaj
Rritja e një liste email-i nuk ka pse të jetë një përpjekje e vetmuar. Mund të bashkëpunoni me sipërmarrës apo krijues për newsletter-e të përbashkëta, shkëmbim audiencash, eBook-e të bashkëautorësuara, apo webinar-e me dy palë. Në këtë mënyrë, ju shtoni vlerë për audiencën ekzistuese dhe ekspozoheni ndaj një audience të re, por të ngjashme me tuajën.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.