Nuk dëshironi të hiqni dorë nga rrjetet sociale, por ndjeni se ato po ndikojnë negativisht në shëndetin tuaj mendor? Nuk është e thënë që duhet të zgjidhni mes dy ekstremeve.
Një studim i ri nga Universiteti i Kolumbisë Britanike sugjeron se përmirësimi i shëndetit mendor te të rinjtë nuk lidhet me zvogëlimin e kohës së kaluar në rrjetet sociale, por me mënyrën se si ata ndërveprojnë me to.
“Për shumë të rinj, nuk bëhet fjalë për të dalë nga rrjetet sociale, por për t’u angazhuar në mënyrën e duhur,” shprehet Dr. Amori Mikami, profesoreshë e psikologjisë dhe autore kryesore e studimit, e cila identifikoi katër strategji për një përdorim më të ndërgjegjshëm të rrjeteve sociale.
Të rinjtë amerikanë kalojnë mesatarisht 4.8 orë në ditë në aplikacione si YouTube, TikTok, Instagram, Facebook dhe X, sipas një sondazhi të Gallup. Megjithëse nuk ka ende prova të qarta që e lidhin drejtpërdrejt përdorimin e rrjeteve sociale me rritjen e problemeve të shëndetit mendor te adoleshentët dhe të rinjtë, studimet tregojnë se sa më shumë kohë të kalojnë njerëzit duke lëvizur nëpër feed-et e tyre, aq më shumë rritet mundësia e përjetimit të simptomave të depresionit, ankthit dhe uljes së vetëvlerësimit.
Në një sondazh, tre në katër të rinj të gjeneratës Z deklaruan se rrjetet sociale kanë ndikuar negativisht në shëndetin e tyre mendor. Megjithatë, shumë prej tyre vlerësojnë edhe përfitimet e pranisë online, si mundësia për të qenë në kontakt me familjen dhe miqtë apo për të gjetur njerëz me interesa dhe përvoja të ngjashme. “Flitet shumë për dëmet që shkaktojnë rrjetet sociale, por ne deshëm të shohim nëse ky ishte vërtetë gjithë realiteti, apo nëse mënyra se si njerëzit i përdorin ato mund të bëjë një ndryshim,” shprehet Mikami.
Përdorim i ndërgjegjshëm kundrejt heqjes dorë të plotë
Për të zbuluar më shumë, Mikami dhe ekipi i saj rekrutuan 393 kanadezë të moshës 17-29 vjeç, të cilët përjetonin simptoma të problemeve të shëndetit mendor dhe ndiheshin të shqetësuar për ndikimin e rrjeteve sociale në mirëqenien e tyre.
Pjesëmarrësit u ndanë në tre grupe:
Një grup kontrolli që vazhdoi rutinën e zakonshme.
Një grup që hoqi dorë plotësisht nga rrjetet sociale.
Një grup që mori këshillim mbi mënyrat e një përdorimi më të ndërgjegjshëm të rrjeteve sociale.
Pas gjashtë javësh, studiuesit zbuluan se si grupi i abstinencës (që hoqi dorë plotësisht) ashtu edhe grupi që mori këshillim reduktuan kohën e kaluar në rrjetet sociale, lëvizën më pak në mënyrë pasive në feed dhe shpenzuan më pak kohë duke krahasuar veten me të tjerët.
Secili prej këtyre grupeve përjetoi përfitime të ndryshme. Grupi që u këshillua mbi përdorimin e ndërgjegjshëm ndjeu më pak vetmi dhe përjetoi më pak ndjesinë e FOMO (frikën se po humbin diçka), pasi u fokusuan në ndërveprime cilësore dhe jo sasiore. Nga ana tjetër, ata që hoqën dorë krejtësisht nga rrjetet sociale përjetuan përmirësime në simptomat e ankthit dhe depresionit, por nuk ndjenë ndonjë reduktim në ndjenjën e vetmisë.
“Heqja dorë nga rrjetet sociale mund të ulë presionin që të rinjtë ndiejnë për të krijuar një imazh të kuruar të vetes online. Por nga ana tjetër, kjo mund t’i privojë ata nga lidhjet sociale me miqtë dhe familjen, duke çuar në ndjenja izolimi,” shpjegon Mikami.
Si të angazhohemi në mënyrën e duhur
Pra, si arriti grupi që mori këshillim të përmirësonte mënyrën e përdorimit të rrjeteve sociale? Duke ndjekur katër hapa të thjeshtë për të krijuar një mjedis online më të shëndetshëm.
Vetë-reflektimi mbi përdorimin e rrjeteve sociale
Pjesëmarrësit u udhëzuan të mendonin për momentet kur rrjetet sociale kishin ndikuar pozitivisht në jetën e tyre dhe kur kishin qenë shkak i dëmtimit të mirëqenies së tyre. Ky ushtrim ndihmoi në ndërgjegjësimin dhe menaxhimin më të mirë të mënyrës se si i përdorin rrjetet sociale.
Kuptimi i realitetit të kuruar të rrjeteve sociale
Ata u inkurajuan të kenë parasysh se shumica e postimeve në rrjetet sociale janë të kuruara dhe nuk përfaqësojnë realitetin e plotë. Ky hap synonte të zvogëlonte ndikimin negativ të krahasimit me të tjerët, një faktor i njohur që rrit ankthin dhe depresionin.
Pastrimi i feed-it nga burimet negative
Pjesëmarrësit filluan të ç’ndiqnin ose të fshihnin llogari që shkaktonin ndjenja zilie ose vetëvlerësim të ulët. Kjo strategji ndihmoi në eliminimin e burimeve të stresit dhe ndërtimin e një mjedisi më pozitiv në rrjetet sociale.
Angazhim aktiv, jo përdorim pasiv
Në vend që të lëviznin në mënyrë pasive nëpër feed, ata u inkurajuan të ndërvepronin më shumë me përmbajtjet që shihnin, duke komentuar postime ose duke dërguar mesazhe të drejtpërdrejta miqve. Studiuesit zbuluan se kjo qasje krijon lidhje më të thella dhe ndihmon në ndërtimin e një mbështetjeje sociale më të fortë.
Mikami beson se ky model ofron një alternativë më të qëndrueshme sesa braktisja e plotë e rrjeteve sociale dhe mund të ndihmojë njerëzit të shmangin ciklin e “largimit dhe rikthimit”, të cilin e përjetojnë shumë përdorues.“Rrjetet sociale janë bërë pjesë e pandashme e jetës sonë, dhe për shumë njerëz, largimi prej tyre nuk është një opsion realist,” thotë ajo. “Me udhëzimet e duhura, të rinjtë mund të krijojnë një përvojë më pozitive dhe ta përdorin këtë hapësirë për të mbështetur shëndetin e tyre mendor, në vend që ta dëmtojnë atë.”
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.