Si të impresiononi në çdo intervistë pune? Sekreti është te mëny... - Business Magazine Albania

Si të impresiononi në çdo intervistë pune? Sekreti është te mënyra dhe arsyeja

E keni kaluar fazën e parë të intervistës dhe tashmë do përballeni me drejtuesin e rekrutimit. Kjo do të thotë vetëm një gjë, do t’ju presin pyetje të sjelljes,  ato të famshmet “Më trego për një rast kur…”. Po, janë të vështira, të ngarkuara me pritshmëri dhe shpesh vendimtare. Por lajmi i mirë? Ju mund të shkëlqeni nëse dini si të filloni.

Cilat janë pyetjet e sjelljes dhe pse janë kaq të rëndësishme?
Këto lloj pyetjesh nuk kërkojnë një “përgjigje të saktë”. Ato synojnë të zbulojnë si mendoni, si veproni nën presion, si ndërtoni marrëdhënie dhe çfarë vlerash keni si profesionist.

Lexo gjithashtu: Çfarë kërkojnë punonjësit nga puna e tyre?

“Kur një kandidat më tregon si mendon dhe pse vepron në një mënyrë të caktuar, më jep shumë më tepër informacion se sa thjesht të më tregojë çfarë bëri,” thotë një rekrutues.

Çfarë është metoda STAR  dhe pse nuk mjafton më?
STAR është një teknikë shumë e përhapur: S për Situatën, T për Detyrën, A për Veprimin dhe R për Rezultatin. Kjo strukturë ndihmon për të ndërtuar tregime të qarta që ilustrojnë eksperiencat tuaja.
Por problemi është se ajo nuk fillon fuqishëm. Kur i bie shumë gjatë kontekstit dhe lë për në fund veprimin dhe rezultatin, rrezikon të humbasësh vëmendjen e intervistuesit që në fillim.

Si ta filloni fuqishëm një përgjigje?
Ashtu si në një prezantim, keni rreth 30 sekonda për të bërë përshtypje. Filloni me një deklaratë të qartë për vlerat tuaja,  çfarë ju udhëheq si profesionist. Kjo krijon një pritshmëri tek intervistuesi dhe tregon menjëherë kush jeni.

Për shembull:
“Në rolin tim si menaxher produkti, gjithmonë kam vepruar me ndjeshmëri ndaj bashkëpunëtorëve, transparencë në komunikim dhe përqendrim te klienti.”
Kjo hapje i tregon intervistuesit çfarë të presë nga historia që do vijë.

Shembuj konkretë të përgjigjeve:
Pyetja: “Na trego për një rast kur ndikove pa autoritet.”
“Në pozicionin tim si menaxher produkti te kompania X, ndikimi pa autoritet ishte pjesë kyçe e rolit. Tre parime që më udhëhoqën gjithmonë ishin empatia, komunikimi i hapur dhe përqendrimi te klienti. Në një projekt konkret, inxhinierja me të cilën punoja kishte dyshime për afatet kohore. U ula me të në biseda të veçanta për të dëgjuar shqetësimet e saj dhe për t’i treguar rëndësinë që kjo veçori kishte për klientët. Gjetëm një kompromis që i motivoi të dyja palët.”

Pyetja: “Na trego një rast kur ke dështuar.”
“Besoj se një objektiv i mirë duhet të jetë sfidues. Dhe aty fshihet edhe rreziku për të dështuar. Kur e kuptoj se nuk do ta arrijmë qëllimin, unë njoftoj menjëherë palët e interesuara, marr përgjegjësinë dhe nxjerr mësime. Një rast i tillë ndodhi kur po drejtoja një ekip marketingu produkti në…”

Si të përgatiteni realisht për një intervistë?

  • Zgjidhni 5-8 vlera personale që udhëheqin sjelljen tuaj (si transparenca, përgjegjshmëria, empatia, bashkëpunimi).

  • Përdorni këto vlera si hyrje për çdo përgjigje.

  • Pastaj ndërtoni historinë me strukturën STAR.

  • Nëse intervista është virtuale, mund t’i shkruani këto vlera në shënime të vogla dhe t’i vendosni pranë ekranit për t’ju ndihmuar gjatë bisedës.

Mesazhi kryesor?
Nuk mjafton të thuash çfarë ke bërë. Dallohet ai që tregon si e bëri dhe pse. Sepse në fund të fundit, punëdhënësit nuk kërkojnë thjesht dikë që i zgjidh problemet, ata duan të dinë si mendon, si komunikon dhe çfarë përfaqëson ti si profesionist.

Dhe kjo, është ajo që të bën të paharrueshëm në një intervistë.

Fast Company

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0