Nga Adelina Onuzi/ Për fat të mirë, jemi në një klimë ku startup-et lindin çdo ditë, por për fat të keq shumë pak mbijetojnë. Rrjedhimisht, sfida më e madhe për sipërmarrësit nuk është vetëm krijimi i një produkti, por sigurimi që po zgjidhin një problem real për një treg që paguan. Në këtë intervistë për Business Magazine, Shefqet Avdullau, investitor engjëll dhe ekspert i validimit të ideve të biznesit,ndan me lexuesit një udhërrëfyes praktik: “Startup Idea Validation Framework”. Një metodologji që synon të ulë rrezikun, të rrisë shanset për sukses dhe të ndihmojë themeluesit të kuptojnë nëse ideja e tyre është thjesht një iluzion, apo një mundësi e vërtetë biznesi.
Zoti Avdullau, mund të na tregoni në pak fjalë se çfarë është “Startup Idea Validation Framework” dhe pse është kaq i rëndësishëm për sipërmarrësit?
“Startup Idea Validation Framework” është, në thelb, një udhërrëfyes strategjik për hapat e parë të sipërmarrësve. Ai i ndihmon ata të shndërrojnë një ide fillestare në një koncept biznesi të testuar dhe të vërtetuar, përpara se të investojnë burime (talent, kohë, dhe kapital) të konsiderueshme. Fokusi kryesor është në identifikimin dhe verifikimin e problemit të vërtetë të klientit, duke u siguruar që produkti ose shërbimi i propozuar të jetë diçka që tregu jo vetëm e dëshiron, por edhe është i gatshëm të paguajë për të.
Rëndësia e tij për sipërmarrësit është thelbësore sepse ul ndjeshëm rrezikun e dështimit. Shumica e startup-eve nuk dështojnë për shkak të ideve të këqija, por sepse ndërtojnë diçka që nuk e do vërtet askush aq shumë sa të jenë të gatshëm të paguajnë për të. Ky framework i detyron sipërmarrësit ta dallojnë këtë problematikë shumë herët, sepse ju kërkon të flasin me klientë realë, të testojnë supozimet e tyre në mënyrë të vazhdueshme dhe të marrin vendime të bazuara në të dhëna, jo në hamendje. Duke bërë këtë, ata rrisin në mënyrë të konsiderueshme shanset për të ndërtuar një biznes të qëndrueshëm dhe me ndikim, duke shmangur humbjen e kohës dhe parave në ndjekjen e një mirazhi që ekziston vetëm në mendjen e tyre.
Lexo gjithashtu: Nga fatura e lartë, tek autonomia energjetike, Anduel Çekrezi shpjegon pse po rritet interesimi për panelet diellore
Cilat janë gabimet më të zakonshme që bëjnë fillestarët kur tentojnë të testojnë idetë e tyre pa përdorur një metodologji të strukturuar si kjo?
Pa një metodologji të strukturuar, fillestarët kryesisht gabojnë duke ndërtuar zgjidhje bazuar në hamendje, pa i kuptuar realisht nevojat e klientëve, konkurrencën, apo nëse vetë mundësia e tregut është mjaftueshëm e madhe për të qenë një biznes i investueshëm. Kjo çon në produkte që nuk i do askush ose në sipërmarrje me potencial të kufizuar, që nuk tërheqin dot investitorë.
Gjithashtu, ata shpesh ndërtojnë produkte fillestare tepër komplekse pa konfirmuar gatishmërinë për pagesë. Një tjetër gabim i kushtueshëm është tërheqja e përdoruesve të parë nga publiku i gjerë. Këta përdorues, kur hasin një produkt me probleme – gjë normale në fazat e hershme – e braktisin shpejt, duke bërë që burimet e investuara për t’i tërhequr të shkojnë dëm. Kritike është që të angazhohen përdoruesit që tashmë janë zotuar të paguajnë gjatë fazës së verifikimit; ata jo vetëm do të tolerojnë problemet fillestare, por do ndjejnë një obligim psikologjik të ndihmojnë me kërkesa për përmirësim. Pa këtë qasje të përqendruar dhe pa një proces për të mësuar nga këta përdorues të duhur, startup-et dështojnë të përshtaten dhe shterojnë burimet.
Si mund të kuptojë një startup në fazë fillestare nëse ideja e tyre ka potencial real për tregun pa shpenzuar shumë para dhe kohë?
Kjo është një pyetje kyçe, dhe është pikërisht ajo që “Startup Idea Validation Framework” synon të adresojë! Ja disa mënyra praktike sesi një themelues në fazë fillestare mund të testojë potencialin e idesë së startup-it pa harxhuar shumë burime:
Së pari, themeluesi duhet të dalë të përballet dhe të flasë drejtpërdrejt me klientët potencialë. Synimi nuk është të shesë idenë, por të zbulojë nëse problemi që mendon se po zgjidh është real, i rëndësishëm, dhe i shpeshtë për ta. Këto biseda për zbulimin e problemit kushtojnë shumë pak kohë dhe pothuajse zero para, por ofrojnë njohuri thelbësore.
Gjatë bisedave, duhet të analizohen me kujdes zgjidhjet ekzistuese dhe konkurrentët. Si po e zgjidhin klientët aktualisht këtë problem dhe çfarë alternativash përdorin? Nëse ekzistojnë konkurrent që e ofrojnë zgjidhjen, duhen pyetur çfarë ju pëlqen dhe çfarë jo nga zgjidhjet aktuale. Kjo analizë, e cila mund të bëhet kryesisht përmes pyetjeve dhe vëzhgimeve, ndihmon për të kuptuar nëse zgjidhjet aktuale të tregut kanë mangësi dhe si mund të diferencohet oferta e re, pa shpenzuar ende për zhvillim.
Në fund, testi më i mirë pa kosto të mëdha është të kërkojnë një formë angazhimi real nga klientët e hershëm të identifikuar, për këtë zgjidhjen ideale të pajtuar që do mund ti ofrojnë. Përtej fjalëve të mira, a janë të gatshëm të paguajnë një shumë modeste, të parapaguajnë, apo të angazhohen në një program pilot? Ky vullnet për të dhënë diçka konkrete është sinjali më i qartë i potencialit të tregut përpara se të bëhen investime të mëdha në produkt.
Në përvojën tuaj si investitor angel, cilat elemente apo sinjale janë tregues më të fortë që një ide është e vlefshme dhe e gatshme për investim?
Si investitor Angel, sinjalet më të forta që një ide është e vlefshme dhe gati për investim për mua janë: prova konkrete nga klientë realë që vërtetojnë se zgjidhja është për një problem ekzistues, të rëndësishëm, dhe që ndodh shpesh e për të cilin ata janë të gatshëm të paguajnë; një ekip themeluesish të përkushtuar, të aftë për t’u përshtatur (“coachable”), dhe me njohurit e duhura për zgjidhjen e problemit konkret të rastit; si dhe një kuptim i qartë i potencialit dhe madhësisë së tregut për zgjidhjen që do ofrojnë. Në thelb, kërkoj të shoh që rreziku është ulur përmes verifikimit fillestar dhe që ekziston një rrugë e besueshme drejt rritjes, e udhëhequr nga njerëzit e duhur.
Çfarë këshillash do t’u jepnit sipërmarrësve shqiptarë që sapo po nisin rrugëtimin e tyre në botën e startup-eve?
Kjo është një pyetje e shkëlqyer, pasi fillimi i një startup-i është një rrugëtim sa emocionues, aq edhe sfidues, veçanërisht këtu në Shqipëri. Këshillat e mia kryesore për sipërmarrësit e rinj shqiptarë do të ishin këto:
Së pari, bini në dashuri me problemin, jo me zgjidhjen tuaj. Shumë sipërmarrës gabojnë duke u fokusuar tek ideja e tyre brilante pa kuptuar nëse ajo zgjidh një problem real dhe të rëndësishëm për një grup të caktuar njerëzish. Dilni dhe flisni pa u ndalur me klientët tuaj potencialë. Përdorni një frameëork si ai që unë do prezantoj në masterklasën time për të verifikuar çdo supozim tuajin përpara se të investoni burime të mëdha.
Së dyti, përqafoni tregun lokal si një laborator të vlefshëm. Kuptoni thellësisht nevojat, sjelljet, dhe veçoritë e konsumatorit shqiptar. Testoni produktin ose shërbimin tuaj fillimisht këtu. Suksesi në tregun vendas dhe mësimet që nxirrni do t’ju japin një bazë të fortë dhe besueshmëri për të synuar më gjerë më vonë.
Së treti, ndërtoni gradualisht dhe mësoni shpejt. Mos prisni të krijoni produktin perfekt që në ditën e parë. Ndërtoni një Produkt Minimal të Vlefshëm (MVP) që adreson problemin kryesor dhe merrni reagime nga përdoruesit e hershëm sa më shpejt të jetë e mundur. Çdo reagim, pozitiv apo negativ, është një mundësi e artë për t’u përmirësuar dhe përshtatur.
Së fundmi, mos kini frikë të kërkoni ndihmë dhe të jeni pjesë e komunitetit. Ekosistemi i startup-eve në Shqipëri po rritet. Angazhohuni me sipërmarrës të tjerë, kërkoni mentorë, merrni pjesë në aktivitete dhe masterklasa. Rrjetëzimi dhe shkëmbimi i përvojave janë jetike. Rrugëtimi është i vështirë, por nuk keni pse ta bëni vetëm.
Për të mësuar më tej se si të rrisni shanset për sukses duke përdorur një metodologji të strukturuar, ju ftoj të regjistroheni e merrni pjesë në masterklasën time të rradhës, është falas. Masterklasa do të mbahet të enjten, më 29 Maj, nga ora 18:00 deri në 19:00, në ambientet e TechSpace Tirana. Do të ishte një mundësi e shkëlqyer për të më takuar, t’u thelluar më tej në këto koncepte, dhe për të më adresuar pyetjet tuaja rreth ideve/startup-eve që keni.
Mes realitetit të ashpër të tregut dhe entuziazmit për të ndërtuar diçka të re, metoda e duhur mund të bëjë diferencën mes suksesit dhe dështimit. “Startup Idea Validation Framework” është një rrugë e provuar për të vlerësuar realisht vlerën e një ideje, përpara se të bëhen investime të mëdha.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.