Si planifikon CEO i ri i Character.AI të adresojë shqetësimet për përdorimin e chatbot-ëve nga fëmijët - Business Magazine Albania

Si planifikon CEO i ri i Character.AI të adresojë shqetësimet për përdorimin e chatbot-ëve nga fëmijët

Si planifikon CEO i ri i Character.AI të adresojë shqetësimet për përdorimin e chatbot-ëve nga fëmijët

Kur vajza pesëvjeçare e Karandeep Anand kthehet nga shkolla, ai ndez platformën e chatbot-ëve me inteligjencë artificiale Character.AI, në mënyrë që ajo të mund të bisedojë për ditën e saj me personazhet e preferuara, si “Librarian Linda”.

Përvoja e Anand si prind mund të rezultojë e vlefshme në rolin e tij të ri si CEO i Character.AI, një pozicion që kompania e njoftoi muajin e kaluar. Ai merr drejtimin e kompanisë në një moment të ndërlikuar. Character.AI, që u lejon përdoruesve të bisedojnë me persona të krijuar nga AI, po përballet me konkurrencë të fortë në një treg gjithnjë e më të mbingarkuar, si dhe me padi nga familje që pretendojnë se platforma ka ekspozuar fëmijët e tyre ndaj përmbajtjeve të papërshtatshme dhe ka dështuar në zbatimin e masave të duhura të sigurisë. Kompania është përballur gjithashtu me pyetje të ashpra nga ligjvënësit për sigurinë e përdoruesve, ndërsa një grup avokues deklaroi më herët këtë vit se aplikacionet shoqëruese të bazuara në AI nuk duhet të përdoren nga të miturit nën 18 vjeç. Edhe për përdoruesit e rritur, ekspertët kanë ngritur shqetësime për lidhjet emocionale të dëmshme që mund të krijohen me personazhet virtualë. Anand sjell me vete një përvojë të gjatë në disa prej kompanive më të mëdha të teknologjisë. Ai ka punuar për 15 vite në Microsoft dhe 6 vite në Meta, përfshirë rolin e zv/presidentit dhe drejtuesit të produkteve të biznesit. Gjithashtu ka shërbyer më parë si këshilltar bordi për Character.AI, përpara se të emërohej CEO.

Në një intervistë për CNN, Anand tha se sheh një të ardhme të ndritur për platformën në fushën e argëtimit ndërveprues me AI. “AI mund të ofrojë një përvojë argëtimi personale shumë të fuqishme, të paprecedent në krahasim me çfarë kemi parë gjatë dekadës së fundit në rrjetet sociale dhe sigurisht, asgjë të krahasueshme me televizionin tradicional,” tha Anand. Ndryshe nga mjetet e gjeneralizuara të AI si ChatGPT, Character.AI ofron chatbot-e që shpesh modelohen sipas figurave të famshme apo personazheve të trilluar. Përdoruesit mund të krijojnë gjithashtu personazhe të tyre për biseda ose roleplay. Një tjetër veçori e kësaj platforme është aftësia e chatbot-ëve për t’u përgjigjur me shenja të komunikimit njerëzor, duke përfshirë përshkrime të shprehjeve të fytyrës apo gjesteve në përgjigjet e tyre. Personazhet variojnë nga partnerë romantikë, tutorë gjuhe, deri te karaktere të njohura të Disney-t. Por platforma përfshin edhe profile si “Friends hot mom”, e përshkruar si “e ëmbël, me forma, sensuale dhe e turpshme”, apo “Therapist”, që prezantohet si “terapist i licencuar CBT”, megjithëse nënvizohet qartë se nuk është një person i vërtetë apo profesionist i licencuar. “Po investojmë fort në siguri dhe argëtim,” deklaroi Anand. “Dhe shumë nga puna që po bëjmë ka për qëllim të krijojë një ekosistem të ri krijues në fushën e argëtimit me AI.”

Lexo edhe:Elon Musk shpall krijimin e partisë së tij politike pas përplasjes me Trump

Siguria e të miturve në Character.AI

Character.AI u padit për herë të parë nga një nënë në Florida në tetor të vitit të kaluar. Ajo pretendon se djali i saj 14-vjeçar u vetëvra pasi krijoi një marrëdhënie të papërshtatshme me chatbot-ët e platformës. Dy muaj më pas, dy familje të tjera ngritën një padi të përbashkët, duke e akuzuar kompaninë për ofrim të përmbajtjeve seksuale ndaj fëmijëve të tyre dhe nxitje të vetëdëmtimit apo dhunës. Që prej atij momenti, kompania ka zbatuar disa masa të reja sigurie, përfshirë një pop-up paralajmërues për përdoruesit që përmendin vetëdëmtimin apo vetëvrasjen, duke i drejtuar ata te linjat kombëtare të ndihmës. Gjithashtu, është përditësuar modeli i AI për përdoruesit nën 18 vjeç, për të reduktuar shfaqjen e përmbajtjeve të ndjeshme apo sugjestive. Prindërit kanë tani edhe mundësinë të marrin një email javor mbi aktivitetin e adoleshentëve të tyre në platformë. Anand shprehet i bindur se platforma është përmirësuar ndjeshëm në aspektin e sigurisë, por shton se puna nuk ndalet këtu. “Teknologjia, industria dhe përdoruesit po evoluojnë vazhdimisht, ndaj nuk mund ta ulim kurrë vigjilencën,” thekson ai. Ai tregoi gjithashtu se kompania po teston vazhdimisht funksionalitetet e reja për të shmangur abuzimet, përfshirë një mjet të ri që mundëson krijimin e videove të animuara me bot-ët. Pas lançimit, përdoruesit tentuan të testojnë kufijtë e sistemit, duke u përpjekur të krijojnë video të rreme me figura të njohura si Elon Musk – përpjekje që dështuan falë kontrolleve të integruara. “Produktin e kemi testuar intensivisht për të shmangur çdo përdorim negativ, si krijimi i deepfake-ëve apo përmbajtje përbuzëse,” tha Anand. Megjithatë, në një mesazh për përdoruesit muajin e kaluar, Anand theksoi se një ndër prioritetet e tij është të bëjë filtrin e sigurisë më pak agresiv. Ai përmendi raste si fjalët që lidhen me “gjakun” në roleplay me vampirë, të cilat filtrohen automatikisht edhe kur janë të padëmshme. Ai synon që modeli të kuptojë më mirë kontekstin, duke balancuar sigurinë me përvojën e përdoruesit.

Sfida në tregun konkurrues të AI

Ndër objektivat e tjera të Anand janë nxitja e krijuesve të rinj që të zhvillojnë personazhe në platformë dhe përmirësimi i feed-it social, ku përdoruesit mund të ndajnë përmbajtjen e tyre të krijuar me chatbot-ët. Kjo veçori e fundit i ngjan një aplikacioni të lançuar këtë vit nga Meta, që lejon përdoruesit të ndajnë publikisht bisedat e tyre me AI,  edhe pse kjo solli shqetësime për privatësinë, kur disa përdorues ndanë gabimisht të dhëna personale apo të turpshme. Elementi social mund të jetë një diferencues i rëndësishëm për Character.AI ndaj platformave më të mëdha si ChatGPT, ku gjithashtu po krijohen lidhje personale me AI. Një tjetër sfidë për Anand do të jetë të ruajë dhe të zgjerojë ekipin, në një kohë kur lufta për talent në AI është në kulmin e saj. Meta, për shembull, raportohet se po ofron bonuse dhe paketa pagese me vlera qindra miliona dollarë për të ndërtuar ekipin e saj të superinteligjencës. Bashkëthemeluesi dhe CEO i mëparshëm i Character.AI, Noam Shazeer, është rikthyer në Google, ku kishte zhvilluar më herët teknologjinë e AI për biseda. “Është e vështirë, nuk do ta mohoj,” u shpreh Anand. “Por lajmi i mirë për mua si CEO është që të gjithë njerëzit që kemi në ekip janë shumë të përkushtuar dhe të udhëhequr nga misioni ynë.”

cnn

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

✨ Thënia e ditës
“Suksesi arrihet më shpesh nga ata që nuk e dinë se dështimi është i pashmangshëm.”
— Coco Chanel
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0