E ardhmja e Green Deal-it Evropian duket e pasigurt. Një votim i ardhshëm mbi paketën “Omnibus” të Komisionit Evropian, pritet të konfirmojë tërheqjen e kolonës kryesore të transparencës të Green Deal-it, Udhëzimit për Raportimin e Qëndrueshmërisë së Korporatave (CSRD).
Linjat e betejës janë të njohura. Nga njëra anë janë ata që vendosin prioritetin mbi rritjen dhe konkurrueshmërinë e Europës, duke marrë parasysh paralajmërimin e ish-presidentit të Bankës Qendrore Evropiane, Mario Draghi, se “mosveprimi” kërcënon sovranitetin e BE-së. Nga ana tjetër janë ata të përkushtuar për mbrojtjen e mjedisit dhe mirëqenien e njerëzve, qëndrime të mbështetura nga shumica e qytetarëve dhe kompanive evropiane. Në thelb, kjo është një përballje mes prosperitetit dhe parimeve.
Por nuk duhet të jetë e tillë.Logjika është e thjeshtë. Nëse standardet e transparencës zbatohen për atë që shitet, dhe jo për atë që e shet, atëherë çdo produkt, qoftë ai prodhuar në Boston, Berlin apo Pekin, do t’i nënshtrohej të njëjtat rregulla. Në një kohë kur SHBA po kërkon përjashtime për kompanitë amerikane, kjo siguron një lojë të barabartë, ku firmat evropiane nuk mbajnë më barrë më të rëndë për raportim sesa konkurrentët e huaj.
Kritikët mund të argumentojnë se ky sistem është i vështirë për t’u zbatuar, pasi informacioni mbi qëndrueshmërinë e produkteve është aktualisht i pamjaftueshëm. Por dokumenti i HEC Paris, duke shfrytëzuar ekspertizë multidisiplinare dhe input nga aktorë të ndryshëm, propozon një zgjidhje: një kartë e vetme dixhitale e standardizuar për çdo produkt, që rendit treguesit kryesorë të qëndrueshmërisë, si gjurmën e karbonit, ndikimin mbi biodiversitetin dhe respektimin e të drejtave të njeriut.
Ngjashëm me tabelat ushqimore, këto karta do të ofronin informacion të qartë dhe objektiv, që lehtëson krahasimin direkt. Sistemi i kartave do të ishte shumë më i lehtë për t’u naviguar sesa 450 etiketat aktuale të qëndrueshmërisë, secila me rregulla të paqarta. Në fund, ato do të kontribuonin në marrjen e vendimeve më të qëndrueshme nga rregullatorët, politikanët, bizneset dhe konsumatorët.
Duke shfrytëzuar të dhënat nga furnizuesit, sistemi i kartave do të lehtësonte edhe barrën e raportimit për firmat. Shumë kompani të mëdha tashmë kërkojnë më shumë informacion mbi produktet nga furnizuesit. Një kartë standarde do të automatizonte këtë shkëmbim të të dhënave dhe do të siguronte qarkullimin e kredencialeve të qëndrueshmërisë përgjatë gjithë zinxhirit të furnizimit.
Lexo edhe: Raportimi i qëndrueshmërisë: kosto apo vlerë reale për kompanitë?
Firmat nuk do të kishin detyrim ligjor për raportim, duke e bërë propozimin politikisht të realizueshëm, edhe në një kohë të kundërshtimit të fortë amerikan. Por dizajni i sistemit siguron se refuzimi i raportimit nuk e mbron firmën nga vëzhgimi. Karta do të tregonte qartë ku mungon informacioni, duke shfaqur intervalet më të mira dhe më të këqija për produktin dhe tipin e prodhuesit, të dukshme për konsumatorët.
Dekada studimesh mbi sjelljen e konsumatorit tregojnë se mungesa e transparencës perceptohet negativisht. Nëse një kompani nuk ndan informacion mbi respektimin e të drejtave të njeriut, konsumatorët supozojnë se performanca nuk është e mirë. Në një treg ku mund të krahasohen me lehtësi konkurrentët, heshtja është e kushtueshme.
Ndërkohë që shqetësimet mbi konkurrueshmërinë e Europës janë të kuptueshme, duhet të mbahet mend se mosveprimi ndaj sfidave sociale dhe mjedisore ka kosto të larta ekonomike. Sipas Agjencisë Evropiane të Mjedisit, valët e nxehtësisë, përmbytjet dhe moti ekstrem i kushtuan BE-së 44.5 miliardë euro në vit gjatë periudhës 2020-2023.
Në vend që të dorëzohet para dobësimit të regjimit të saj të raportimit, Bashkimi Evropian mund të ketë qëndrueshmëri dhe konkurrueshmëri duke krijuar një sistem të ri bazuar në karta vlerësimi për produktet. Me dizajnin e duhur, BE do të mund të ruajë standardet e veta brenda dhe t’i projektojë ato globalisht.
*Brian Hill, Drejtor i Kërkimeve në CNRS, është Profesor i Ekonomisë dhe Shkencave të Vendimmarrjes dhe Drejtor Akademik i Inclusive Economy Centre në HEC Paris.
Copyright: Project Syndicate, 2025/ www.project-syndicate.org
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.