Si mund të funksionojë qeverisja globale e AI - Business Magazine Albania

Si mund të funksionojë qeverisja globale e AI

Nga Jayant Sinha* – Para Samitit të Ndikimit të AI-së që do të zhvillohet në Indi në shkurt, është e qartë se shumica e vendeve ende nuk kanë një model funksional për qeverisjen e kësaj teknologjie. Ndërsa Shtetet e Bashkuara ia lënë tregut pjesën më të madhe të procesit, Bashkimi Europian mbështetet në rregullime të gjera të pajtueshmërisë dhe Kina në autoritet të përqendruar shtetëror. Por asnjë prej këtyre qasjeve nuk përbën zgjidhje reale për ato vende që duhet të qeverisin AI-në pa struktura të mëdha rregulluese apo kapacitete të mëdha kompjuterike. Për këtë arsye, nevojitet një kuadër tjetër, ai që ndërthur transparencën, pëlqimin dhe llogaridhënien si pjesë të vetë infrastrukturës digjitale.

Kjo qasje e trajton qeverisjen si një zgjedhje dizajni që mund të ndërtohet në themelet e sistemeve digjitale. Kur mekanizmat mbrojtës janë pjesë e arkitekturës, sjellja e përgjegjshme bëhet gjendja e parazgjedhur. Rregullatorët marrin njohje të menjëhershme mbi mënyrën se si sillen të dhënat dhe sistemet e automatizuara, ndërsa përdoruesit gëzojnë kontroll të qartë mbi informacionin e tyre. Është një metodë shumë më e shkallëzueshme dhe gjithëpërfshirëse sesa ajo që mbështetet vetëm te rregullimi.

Por si mund të duket kjo në praktikë? Përvoja e Indisë me infrastrukturën publike digjitale ofron shumë mësime. Platformat kombëtare për identitetin (Aadhaar), pagesat (UPI), udhëtimet (DigiYatra) dhe tregtinë digjitale (ONDC) tregojnë se si standardet publike dhe inovacioni privat mund të bashkëekzistojnë në shkallë kombëtare. Për shembull, DigiYatra, një nismë publike-private që lehtëson proceset e udhëtimit tregon se si verifikimi i identitetit në kohë reale dhe protokollet e pëlqimit mund të menaxhohen për grupe të mëdha përdoruesish në mënyrë të sigurt dhe të parashikueshme.

Këto sisteme tregojnë se si arkitektura digjitale mund të zgjerojë aksesin, të rrisë besimin dhe të nxisë tregje dinamike. Ato nuk zgjidhin vetë sfidat e qeverisjes së AI-së, por dëshmojnë se standardet teknike dhe qëllimi publik mund të përputhen edhe në shoqëritë më të mëdha e më të larmishme.

Lexo edhe: Europa ngec në adoptimin e AI, ndërsa Gen Z në ekonomitë në zhvillim po e përqafon me shpejtësi, sipas raportit të OECD

Arkitektura e Fuqizimit dhe Mbrojtjes së të Dhënave në Indi (DEPA) ndërton mbi këto mësime dhe tashmë po zbatohet në shumë sektorë. Duke u dhënë individëve mundësinë të autorizojnë ose të tërheqin pëlqimin për përdorimin e të dhënave të tyre përmes kanaleve të qarta dhe të auditueshme, transparenca bëhet pjesë e sistemit dhe rregullatorët mund të ndjekin rrjedhat e të dhënave pa krijuar institucione të reja mbikëqyrëse. Përsëri, parimi bazë është i thjeshtë: mbrojtja e qëndrueshme është më efektive kur është pjesë e arkitekturës së sistemit sesa kur zbatohet vetëm nëpërmjet kërkesave të pajtueshmërisë.

Që të ketë zbatim global, kjo qasje arkitekturore duhet të garantojë sovranitet mbi kompjuterizimin. Kapaciteti i llogaritjes është ngërçi strategjik i epokës së AI-së, ndaj SHBA dhe Kina po investojnë qindra miliarda dollarë çdo vit në qendra të avancuara të të dhënave dhe çipa AI. Por meqenëse shumica e vendeve nuk mund t’i përballojnë këto investime, duhet shmangur skenari ku vetë qeverisja e AI-së kërkon kapacitet të madh llogaritës duke i lënë vendet pa autoritet real mbi sistemet që formësojnë shoqëritë e tyre.

Mbajtja e sovranitetit mbi kapacitetin kompjuterik nuk do të thotë domosdo se çdo qendër të dhënash duhet të ndërtohet në territorin kombëtar. Por do të thotë që sistemet e AI që operojnë brenda një vendi duhet t’i nënshtrohen ligjeve të tij dhe të jenë të llogaridhënshme ndaj autoriteteve vendase, pavarësisht se ku ndodhet kapaciteti llogaritës. Kompanitë teknologjike multinacionale duhet të krijojnë ndarje të qarta ligjore dhe operacionale, me “firewalls” teknikë dhe kontrolle të auditueshme. Këto masa janë të domosdoshme për të parandaluar kalimin e paautorizuar të të dhënave përtej kufijve dhe për të garantuar që të dhënat vendase të mos përfshihen në modele globale pa pëlqim të qartë. Pa ndarje të detyrueshme, qeveritë do ta kenë të vështirë të ruajnë mbikëqyrjen mbi sistemet digjitale që ndikojnë financat, shëndetësinë, logjistikën dhe administratën publike.

Kjo nënvizon një forcë kryesore të qasjes arkitekturore: ajo i lejon çdo vendi të përcaktojë ekuilibrin e vet mes rrezikut, inovacionit dhe tregtisë. Shoqëritë ndryshojnë në mënyrën se si e konceptojnë privatësinë, eksperimentimin, hapjen e tregut dhe sigurinë, ndaj asnjë model i vetëm rregullues nuk mund t’i përshtatet të gjithëve. Por një themel i përbashkët arkitekturor bazuar në rrjedha të qarta të dhënash, sjellje të gjurmueshme të modeleve dhe parimin e “sovranitetit mbi kompjuterizimin” u jep vendeve fleksibilitet për të kalibruar parametrat e tyre. Shinat janë të përbashkëta, por cilësimet mbeten kombëtare.

Krahasuar me qasjet aktuale globale, modeli arkitekturor ofron një rrugë më të balancuar dhe realiste. Sistemi amerikan nxit eksperimentimin e shpejtë, por shpesh zbulon dëmet vetëm pasi ato ndodhin. Sistemi europian garanton mbrojtje të forta, por kërkon kapacitete të larta pajtueshmërie. Ndërsa ai kinez arrin shpejtësi përmes centralizimit, por është i papërshtatshëm për qeverisje të shpërndarë. Duke integruar transparencën dhe pëlqimin në sistem që në fillim, qasja arkitekturore mundëson inovacion të parashikueshëm dhe llogaridhënie publike.

Samiti Global i AI-së në Indi është një moment i përshtatshëm për të gjitha vendet që të marrin në konsideratë këtë kornizë. Bota ka nevojë për një model të përbashkët qeverisjeje të ndërtuar mbi themelet e kësaj teknologjie të fuqishme. Vetëm kështu mund të mbrojmë përdoruesit, të ruajmë sovranitetin dhe t’i japim çdo vendi mundësinë të gjejë ekuilibrin e vet mes rrezikut dhe inovacionit. Ndërsa AI po riformëson çdo sektor të ekonomisë, qasja arkitekturore është rruga më e besueshme dhe e drejtë përpara.

*Jayant Sinha ka qenë ministër i shtetit për financat dhe aviacionin civil në Indi, President i Everstone Group dhe profesor vizitor në London School of Economics.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0