Në vitin 1975, një inxhinier i ri në kompaninë ikonë të filmit fotografik Kodak realizoi fotografinë e parë me një kamerë digjitale të dorës, një moment që ndryshoi përgjithmonë historinë e fotografisë.
Kodak, simbol i inovacionit amerikan
Që prej krijimit nga George Eastman në vitet 1870, Eastman Kodak u bë sinonim i fotografisë me film. Konsumatorët përdornin filma Kodak, kamera Kodak, kimikatet për zhvillim Kodak dhe shikonin printimet e tyre në letër fotografike Kodak. Slogani i kompanisë “Ti shtyp butonin, ne bëjmë pjesën tjetër” përshkruante këtë ekosistem të plotë.
Kur Steve Sasson, atëherë 23 vjeç, iu bashkua Kodak në vitin 1973, kompania ishte ende një gjigant në kulmin e saj. Por ai ndjente se nuk i përkiste traditës së vjetër të fotografisë. Ndryshe nga shumica e inxhinierëve të Kodak-ut, kimistë dhe mekanikë të fokusuar tek filmi dhe kamerat, Sasson ishte inxhinier elektrik. Procesi i fotografisë analoge, me pritjen e gjatë dhe me kimikatet e zhvillimit, dukej i vjetëruar dhe jo efikas.
Ideja revolucionare: fotografi pa film
I frymëzuar nga teknologjitë e universit të “Star Trek”, Sasson filloi të pyeste veten: A mund të kapet dhe të ruhet një imazh krejtësisht në mënyrë elektronike, pa nevojën e filmit?
Blloqet shpikëse të kësaj ideje tashmë ekzistonin. Sensorë të thjeshtë të dritës (si qelizat e selenit) përdorëshin në matësit e ekspozimit. NASA kishte vite që prodhonte imazhe dixhitale nga satelitët, ndërsa astronomët përdornin kompjutera për të shndërruar dritën e kapur në fotografi. Por të gjitha këto pajisje ishin të mëdha, të kushtueshme dhe të papërshtatshme për përdorim personal.
Në vitin 1969, Bell Labs shpiku pajisjen që do të ndryshonte lojën: Charge-Coupled Device (CCD), një qark i aftë të ruante dhe të transferonte ngarkesa elektrike, duke hapur rrugën për sensorët e imazhit. Deri në vitin 1974, kompania Fairchild Semiconductor prodhoi CCD-në e parë komerciale me rezolucion 100 x 100 px.
Lexo edhe: Në këtë lagje çdo shtëpi është një vend i çudirave të dimrit!
Ndërtimi i kamerës së parë dixhitale
Sasson u ngarkua nga mbikëqyrësi i tij, Gareth Lloyd, të eksperimentonte me këtë teknologji të re. Ai nuk kishte buxhet. As nuk kishte leje formale për të ndërtuar një kamerë. Për këtë arsye, ai përdori kreativitet… dhe pak improvizim. Ai “huazoi” pjesë nga departamentet e brendshme të Kodak-it, si lente nga një kamera e vjetër filmike, pjesë elektronike nga pajisje matëse dhe madje një regjistrues audio me kasetë, të cilin e përdori për të ruajtur të dhënat dixhitale të imazhit.
Sensorët CCD reagonin ndaj dritës, por kishin probleme me “zërin” elektronik (dark current), duke e bërë ruajtjen e imazheve sfiduese. Gjithsesi, Sasson vazhdoi punën dhe ndërtoi një pajisje që ruante imazhin dixhital në kasetë magnetike dhe më pas e shfaqte në një televizor. Për ta bërë të mundur shfaqjen e imazhit, ai ndërtoi edhe një njësi riprodhimi, e cila duhej ta shndërronte kodin dixhital në sinjal televiziv NTSC. Për këtë i duhej një mikroprocesor – një teknologji shumë e re dhe shumë e kushtueshme në atë kohë. Ai hartoi një propozim kërkimor, pa zbuluar synimin final, dhe arriti të merrte pajisjen.
Rezultati: një pajisje 3.2 kg që ndryshoi botën
Kamera që doli nga kjo punë ishte e madhe dhe e rëndë – rreth 3.2 kg , dhe ngjante më shumë me një “toster me lente” sesa me një kamera moderne. Por ajo funksiononte. Ishte kamera e parë dixhitale portative në histori. Fotografia e parë bardh e zi, me rezolucion modest, u ruajt në kasetë dhe u shfaq në ekran televizori, duke shënuar lindjen e epokës dixhitale në fotografi.
Ky prototip i thjeshtë hapi rrugën për kamerat dixhitale të viteve ’90, kamerat e telefonave dhe teknologjitë moderne të imazhit.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.