Shqiptari që ka ndihmuar në lançimin e 800 SME-ve në Belgjikë - Business Magazine Albania

Shqiptari që ka ndihmuar në lançimin e 800 SME-ve në Belgjikë


GERTI BOSHNJAKU

Pak mund ta dinë se Amet Gjanaj është shqiptari që  për 15 vite ka ndihmuar në lançimin e mbi 800 bizneseve të vogla dhe të mesme që kanë gjeneruar mbi 1.200 vende pune për banorët e Brukselit. Ai është gjithashtu deputet në Parlamentin e Belgjikës që nga viti 2014. Përpos kësaj, ai është edhe anëtar  i Unionit Shqiptar të Biznesit në Belgjikë.  Sipas tij, Shqiptarët në përgjithësi njihen në Belgjikë si biznesmenë të suksesshëm për shkak se janë shumë dinamik .

“Shqiptarëve u mungojnë modelet e bizneseve të suksesshëm për t’i aplikuar vetë. Biznesmenët Shqiptarë janë të përqëndruar në disa sektorë ku janë realisht të suksesshëm. Është e nevojshme t’u prezantohen modele të tjera që të zgjerojnë fushen e veprimit dhe të lançojnë biznese në sektorë edhe më të leverdisshëm,” nënvizon Gjanaj.

Ai e pranon se paragjykime ekzistojnë për shqipëtarët në Belgjikë por nëse  arrin tja dalësh me sukses në biznes, Belgjika është shumë pozitive me ty.

Më poshtë është intervista e plotë me Z. Gjanaj:


Kush është Amet Gjanaj ?

Vendlindja : Bruksel, Belgjikë

Mosha : 47 vjeç

Viti kur prindërit u larguan nga Shqiperia: 1956

Fusha e Ekspertizës: Jam i diplomuar në shkencat ekonomike në Universitetin e Lirë të Brukselit.Kam punuar 15 vite në këshillimin dhe nxitjen e biznesit të vogël dhe të mesëm. Për 15 vite kam ndihmuar në lançimin e mbi 800 bizneseve të vogla dhe të mesme që kanë gjeneruar mbi 1.200 vende pune për banorët e Brukselit.

Cila mendoni se ishte arsyeja kryesore që prindërit e tu u larguan nga Shqipëria?

Prindërit janë arratisur nga Kukësi i Shqipërisë në vitin 1956. Arsyeja kryesore ishte për ti shpëtuar komunizmit. Pas largimit nga Shqipëria familja kaloi 4 vite në Kosovë dhe pastaj 2 vite në një kamp të Kroacisë. Në 1962, janë transferuar në Belgjikë.

Na tregoni diçka më shumë për përvojat e tua të para si i huaj në Belgjikë dhe çfare ka ndikuar më shumë tek ju në zgjedhjet që keni bërë në jetë?

Dhe pse jam i lindur në Belgjikë, dhe Belgjika është vend që i detyrohem shumë per mikëpritjen që kanë treguar belgët ndaj prindërëve dhe gjyshërve të mi dhe për mundësitë që m’i ofroi mua dhe familjës sime (shkollimin, punen etj), mund të them se ndjehem gjithashtu Shqiptar dhe jam krenar për këtë.

Historia e emigrimit të prindërve të mi është një odise e vërtet, burim inspirimi për mua për çdo hap të jetës sime. Në kujtesën time kam të ngulitur kohën kur familja ime bashkë me të gjithë Shqiptarët e tjerë kalonin nga një jetë me marrëdhënie pothuajse plotësisht brenda komunitetit shqiptar në një integrim gradual në shoqërinë belge. Ndërkohë që të rriturit shqiptarë hasnin në vështirësitë ndër më të mëdha për të gjetur mjetet e jetesës me mallin e madh për vendin e origjinës dhe momente të vështira, çuditërisht ne, fëmijët e lindur në mërgim, gëzonim një jetë të gëzueshme. Përditë vinin fëmijë shqiptarë në shtëpinë tonë ose shkonim te ndonjë familje Shqiptare ku gjenim fëmijë të tjerë për të luajtur. Për më tepër që unë jam më i vogli i vëllezërve dhe motrave të mi dhe s’mbaja pothuajse asnjë përgjegjësi.

Për këtë arsye, kontaktet e para të mia me jetën jashtë komunitetit shqiptar dhe familjes time nuk ishin aq edhe të këndshme duke pasur parasysh që marrëdhëniet ndërmjet belgëve ishin shumë më të ftohta dhe sipërfaqësore. Nuk përjashtohen dhe disa raste, por të rralla, kur ndjeheshim të diskriminuar. Në vija të përgjithshme, integrimi nuk ka qenë i rëndë dhe mundësitë ekzistojnë aq sa të kesh vullnet.

Cila ishte puna juaj e parë dhe në cilin profesion?

Pas një eksperience 2 vjeçare në një qendër koordinimi financiar për një firmë të fuqishme në sektorin e veshjes së pjesës së brendshme të automjeteve, fillova punë në sektorin e këshillimit dhe nxitjen e biznesit të vogël dhe të mesëm, ku punova për gati 15 vjet me shumë pasion. Njëkohësisht fillova të merrem me politikën lokale.

Si ishte rrugëtimi juaj drejt Parlamentit të Brukselit?

Eshtë një pune disavjeçare në ndihmë qoftë të personave të komunitetit shqiptar qoftë të atyre të komuniteteve të tjera të pranishme në Bruksel që kurorëzohet me këtë sukses.

Gjatë gjithë këtyre 15 viteve ku unë kam qenë aktiv në fushën le të themi publike kam qenë në kontakt direkt me shumë qytetarë për lloj lloj problemesh, kërkesash, organizimesh apo eventesh. Angazhimi im për t’ju përgjigjur me përkushtim këtyre të fundit ka qenë vendimtar në krijimin e besimit tek njerëzit se do të mund të jem një perfaqësues i denjë në Parlamentin e Brukselit.

Kam kandiduar për herë të parë në zgjedhjet lokale në vitin 2006 ku mora menjehere mandatin në këshillin bashkiak. Në 2009 kandidova për herë të parë për parlamentin e Brukselit por atehere më munguan rreth 160 vota për të marrë mandatin. Me shtimin e numrit të Shqiptarëve dhe ndërgjegjësimin më të madh të tyre për nevojen e marrjës së një mandati sikundër komunitetet e tjera të huaja, më 2014, arritëm të futet për herë të parë në Belgjikë, por jo vetëm, një Shqiptar si deputet.

Prej më shumë se 15 vitesh ju keni këshilluar shumë biznese…na flisni pak më shumë mbi klimën e Biznesit në Belgjikë. A ka konkurrencë dhe a ka paragjykime mbi të qenit shqiptar i suksesshëm në Bruksel?

Si për çdo shtet të avancuar europian kuadri ligjor dhe infrastruktura janë me nivele të larta, çfarë krijojnë kushte të mira për biznesin. Programet nxitëse për biznesin dhe financimet e disponueshme janë shumë të favorshme. Në të njëjtën kohë, konkurrenca është e madhe dhe niveli i pagesave për sigurimin shoqëror dhe të tatimeve është shumë i lartë. Prandaj, duhet bërë një studim i detajuar për të patur sukses në fushen e biznesit në Belgjikë. Paragjykime mbit ë qenit shqiptar ekzistojnë por nëse ia del që të jesh i suksesshëm me biznesin tënd, kjo vlerësohet shumë pozitivisht nga Belgjika.

Çfarë vlerësoni ju tek vetja dhe çfarë vlerësojnë të tjerët tek ju?

Tek vetja vlerësoj punën dhe vullnetin për të qenë gjithmonë në shërbim të komunitetit pa arrogancë dhe me përkushtimin më të madh. Të tjerët mendoj unë, vlerësojnë vazhdimësinë në punën për komunitetin dhe mundësinë që jap për të më takuar dhe për qarë hallin e tyre dhe faktin që jam mes tyre duke ndjerë të gjitha ato që ndjejnë ata vetë si komunitet.

Çfarë ju ka motivuar më shumë në rrugën tuaj drejt suksesit? Ku gjeni mbështetje në momente të vështira?

Duke pasur parasysh vullnetin e madh që kanë patur të parët tanë në Belgjikë për të përmirësuar jo vetem kushet e tyre individuale por gjithashtu për të realizuar vepra me përfitime kolektive; si për shembull hapjen e shkollave me mësim plotësues në gjuhën shqipe; këto më kanë shërbyr si motivim që të arrij dhe të jem i dobishëm për të tjerët. Ndërsa, familja, në veçanti Nana, është mbështetja më e fuqishme në jetën time.

A njihni sipërmarrës te tjerë shqiptarë të cilët punojnë në Belgjikë? Janë të suksesshëm? Kanë shqiptarët ndonjë karakteristikë të cilës mund ti atribuohet suksesi në biznes?

Shqiptarët në përgjithësi njihen si biznesmenë të suksesshëm për shkak se janë shumë dinamik. Kështu njihen këtu. Shqiptarëve u mungojnë modelet e bizneseve të suksesshëm për t’i aplikuar vetë. Biznesmenët Shqiptarë janë të përqëndruar në disa sektorë ku janë realisht të suksesshëm. Është e nevojshme t’u prezantohen modele të tjera që të zgjerojnë fushen e veprimit dhe të lançojnë biznese në sektorë edhe më të leverdizshëm.

Ju jeni anëtar i Unionit të Biznesit Shqiptar në Belgjikë. Çfarë pretendoni të arrini me këtë angazhim ?

Unë jam zgjedhur kryetar i Unionit të Bizneseve për Beneluks. Prentendimi është që t’i evidentojmë të gjitha bizneset që drejtohen nga Shqiptarët dhe t’i anëtarësojmë në Unionin tonë që të krijojmë një fuqi vepruese si për vetë bizneset e rrjetit, për t’i përforcuar ato me këshilla, formacione dhe seminare dhe për t’i bashkëlidhur ato në projekte investimi në Beneluks dhe në vendet tona.

Kemi qëllimin gjithashtu që të krijojmë kontakte me firma të Beneluks-it, që të krijojmë panele investitorësh për në vendet tona.

Mbështetja e aktiviteteve kulturore shqiptare dhe promovimi i turizmit në Shqipëri, Kosovë dhe trevat tjera Shqiptare janë dhe dy qellime të rëndësishme për neve.  

Kosova apo Shqipëria, a kanë vëmendjen tuaj si potenciale për investime? A është momenti tani apo ende nuk ka ardhur një moment i duhur për investime? Çfarë mendoni se mungon dhe çfarë mund të përmirësohet?

Iniciativa e themelimit të Unioneve në 18 vende të botës është një inisiativë e Ministrisë së Diasporës së Republikës së Kosovës me mbështetjen e donatorëve të huaj.

Së fundmi në takimin vjetor të mbajtur në Shqipëri dhe Kosovë, kemi marrë mbështetjen e autoriteteve politike më të larta të vendeve tona. Ajo që kërkohet më shumë është, që investimet që bëhen të kenë sigurinë dhe të mos varen nga politika e ditës.

Kërkohet që të mos ketë pengesa administrative e burokratike dhe që të luftohet korrupsioni në të gjitha nivelet e administratës dhe të politikës. Akoma ka mbetur përshtypja se bizneset mund të kërcenohen nga hallkat më të errëta të shoqërisë shqiptare. Shumë gjëra kanë evoluar në drejtimin e duhur por ngelet akoma për të bërë që investitori të ndjehet i sigurtë dhe i qetë për të investuar në Shqipëri e Kosovë.

-Ju faleminderit për kohën.

– Shumë faleminderit për intervistën dhe përfitoj nga rasti të përshëndes lexuesit e revistës suaj.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0