Shqiptari që arriti të punonte me personalitete si Pablo Picasso - Business Magazine Albania

Shqiptari që arriti të punonte me personalitete si Pablo Picasso


Bazuar në dokumentarin Gjurmë Shqiptare, nga Marin Mema

Emrin e tij ndoshta e keni dëgjuar shumë pak, të tjerë edhe fare. Megjithatë ai ka përjetësuar në fotografi disa nga personalitetet dhe ngjarjet më të bujshme të shekullit të XX-të. Quhej Gjon Mili. Ruajti identitetin shqiptar edhe pse e detyruan të qëndronte larg vendit të tij.

Ai është padyshim një ndër emrat shqiptarë më të famshëm në botë. Por kjo për fat të keq, nuk ka rezultuar gjithmonë e njëjtë edhe në vendet shqipfolëse. Për një kohë të gjatë, fotografitë e tij janë paraqitur, botuar apo ekspozuar, pothuajse kudo. Jetën e kaloi në Shtetet e Bashkuara, por rrënjët e tij janë në qytetin e Korçës.

Në vitin 1904 në qytetin e Korçës lindi Gjon Mili. Edhe pse disa detaje të hapave të tij të parë apo të familjes njihen, gjurma më e rëndësishme ka mbetur gjithmonë enigmatike.

“Prindërit e tij kanë qenë banorë të Korçës. Babai i tij quhej Vasil Mili, i cili kishte bashkëshorten e tij pasardhëse të një prej familjeve të shquara të qytetit mesjetar të Vaskopojës, me mbiemër Çekani”, flet për Top Channel, Niko Kotherja, studiues.

Askush nuk e di se ku ka qenë shtëpia e familjes Mili në Korçë. Kjo pjesë është tërësisht e mjegullt dhe jo e vetmja pikëpyetje, që lidhet me fillimet e jetës së tij.

“Për sa i përket informacioneve në lidhje me jetën dhe aktivitetin e hershëm të Milit në Korçë, kemi të paktën dy variante, sipas të cilave thuhet se ai ka emigruar nga qyteti në moshën 5 vjeçare për të shkuar në kryeqytetin rumun. Ndërsa burimet tjera shkruajnë që Gjon Mili është larguar nga qyteti i Korçës pas vitit 1917.”- Niko Kotherja, studiues.

Derisa të zbulohen dokumente të tjera, e gjithë kjo pjesë e jetës së Milit do të mbetet e pandriçuar. Ai u vendos në Bukuresht të Rumanisë por nuk qëndroi gjatë në këtë vend sepse destinacioni i tij i mëpasshëm ishin Shtetet e Bashkuara.

Gjon Mili u bë pjesë e Federatës PAN Shqiptare Vatra, pra kjo fotografi nuk është e rastësishme sepse ai mbante postin e arkëtarit të përgjithshëm të saj. Sigurisht kjo tregon jo thjeshtë marrëdhëniet e tij me figurat dhe qarqet patriotike të kohës, por edhe faktin se ai njihej për ndershmërinë e tij, lidhjet dhe besimin që gëzonte mes shqiptarëve të Vatrës.

Ndikim të madh tëk Gjon Mili pati Faik Konica. Sipas të dhënave ata janë takuar në vitin 1923 në SHBA. Në atë kohë Konica ishte një burrë i njohur në botën shqiptare, ndërsa Mili një i ri që donte të realizonte ëndrrat e tij. E ky takim sigurisht nuk mund të mos linte gjurmët e tij të forta.

“Këtu është dhe diçka interesante. Në momentin që ai shkon në Amerikë, gjithë bashkëpunëtorët e tij filluan në njëfarë mënyrë t’ia deformonin emrin duke e thirrur Xhon. Por ai duke patur parasysh këshillën që i kishte dhënë Faik Konica në kohën që është angazhuar në Federatën PAN Shqiptare Vatra të shqiptarëve të Amerikës, ai gjithnjë iu thoshte njerëzve jo Xhon, por Gjon, dhe unë jam shqiptar”, shprehet Kotherja.

Edhe pse fotografitë e para i fiksoi që në mes të viteve 20’ e më pas, Gjon Mili me profesion inxhinier ndriçimi, ndryshimin e vërtetë në jetën e tij e bëri në vitin 1937. Pika e kthesës së madhe nisi kur gjatë një leksioni të hapur në Institutin Teknologjik në Massachusetts, Harold Edgerton paraqiti shpikjen e tij, fleshin ultra të shpejtë, që shënjoi një revolucion për kohën.

“Egertoni e paraqiti fleshin që pulsonte një të njëqindmijtën e sekondës. Gjon Mili ishte inxhinier elektrik ndriçimi në Westing House, korporata e madhe elektrike e Amerikës, dhe u mahnit me shpikjen. Sipas kujtimeve të tij, Gjon Mili i tha Edgerton-it: “Si mund të punoj unë më këtë? Ma jep për 10 ditë?”

“Ta jap për 10 ditë, i thotë Edgerton”. “Në qoftë se ti ma jep mua këtë për 10 ditë, unë shkëputem nga Westing House”, i tha Gjon Mili.

Dhe kështu ndodhi. Gjon Mili u shkëput nga profesioni i tij si inxhinier, për t’iu përkushtuar me kohë të plotë pasionit të tij të madh, fotografisë.

Më 1937-tën bëri fotografinë e një balerine, dhe pastaj filloi të punonte për revistën Life. Kjo revistë e përjavshme në një kohë shumë të shkurtër u bë e famshme, aq sa të shiste deri në 8 milionë kopje, e në kulmin e saj, ka kaluar disa fish kaq. Gjon Mili shpërtheu këtu me të gjithë forcën e talentit të tij.

Fotot e tij janë aq të shumta dhe aq të larmishme, sa nuk mund të arrish ta krahasosh njërën me tjetrën,”- Kristaq Balli, studiues.

“Fotografitë e tij janë të plota, të goditura nga ana e ndriçimit, dritëhijet, pozicionit, rregullimit të parametrave. Janë afër më të mirës,”- Niko Kotherja, studiues

“Ai u morr me politikën, ai u morr me historinë, me artin, sportin, me artistët e shumtë nga e gjithë bota,”- Kristaq Balli, studiues.

“Ai s’ka qenë asnjëherë i punësuar në Life. Gjatë tërë jetës së tij, Life e ka patur të preferuar, i ka dhënë detyra javore dhe mujore. Por nuk ka qenë i punësuar, gjithmonë ka qëndruar freelance.

Gjon Mili i ngjiti shumë shpejt shkallët e suksesit. Fotografitë e tij të ndryshme dhe që përçonin kaq thellësi, zbritën edhe në Europë.

Ndoshta më mirë dhe më bukur se kushdo, Gjon Milin dhe veprën e tij e shkruan në mënyrë të përmbledhur filozofi dhe shkrimtari i njohur Zhan Pol Sartre. Është viti 1946, kur prezantimin e ekspozitës së Milit në Paris e bën pikërisht ai. Janë fjalë apo radhë, që shkrijnë në një karakterin dhe fotografitë e korçarit. Nëse kërkon të njohësh Gjon Milin, atëherë përshkrimi i Sartre është i duhuri.

“Mili është njeri i kurtheve. Ai është plot marifete e lëvizje mashtruese që të çarmatosin; çdo fotografi e tij është një provë, një përpjekje. Për Milin, mënyrat për të fotografuar janë të shumta, sa edhe njerëzit.”- Zhan Pol Sartre, filozof dhe shkrimtar francez

Por çfarë kishin të veçantë fotografitë e Gjon Milit, sa të arrinte të mahniste jo thjeshtë publikun e revistës Life, por edhe mjaft emra të mëdhenj të fushave të ndryshme në botë. Çerim Brioni është padyshim studiuesi që ka zbuluar më shumë se kushdo, përmes botimeve profesionale, Gjon Milin dhe të fshehtat e tij.

Fotografitë e Milit sipas Sartre “Ngrinin kohën, por njëkohësisht tregonin edhe lëvizjet e shumëfishta të subjekteve të tij”.

Interesante është njohja mes Gjon Milit dhe Pablo Picasso-s. Marrëdhënia mes piktorit të famshëm dhe fotografit nuk ishte e zakonshme. Përkundrazi, ajo u përjetësua në disa fotografi vërtet të rralla, e ato u publikuan jo thjesht në revistën Life, por edhe sot vazhdojnë të bëjnë xhiron e botës.

Gjon Milit iu dha detyrë nga revista Life të fotografonte disa nga artistët pamorë më të njohur të kohës. Pikërisht për këtë arsye, ai u nis drejt Jugut të Francës, për të gjetur siç i kishin thënë, Pablo Picasso-n e madh.

Gjon Mili udhëton nga Parisi në Jug të Francës me tren. Dhe rrugës mendonte se si do ta fotografonte Picasson. Shkon ta gjejë një plazh dhe e merr fotografinë të quajtur Balerina Carol Lynne.”- Çerim Brioni, studiues

Sigurisht Picasso e priti me mosbesim Gjon Milin, por gjithçka ndryshoi kur ky i fundit i tregoi fotografinë e Carol Lynne dhe idenë e tij.

“E pa fotografinë, përnjëherë u tërhoq, dhe bëri diçka në ajër. Mirë thotë, do të takohemi. Kjo që shkëndija. U takuan dhe bënë atë fotografinë e famshme, Picasso duke vizatuar me dritë.”- Çerim Brioni, studiues

Fotografia u bë në dhomën ku Picasso punonte, por në errësirë. Realizimi nga ana teknike ishte i veçantë. Gjon Mili i kërkoi Picasso-s që në vend të penelit të përdorte një burim drite të vazhdueshëm dhe në pak sekonda në errësirë, të realizonte një pikturë imagjinare a thuajse para tij kishte një telajo. Lëvizjet në ajër të piktorit u fiksuan në këtë fotografi të rrallë. Fotografia është realizuar në fillim të Gushtit 1949, në studion e Pocherin Madura.

“Teknikisht për kohën ka qenë disi e çuditshme, për të vizatuar në ajër,”- Kristi Ktona – Përgjegjës i Muzeut “Gjon Mili”

Nëse këto fotografi të realizuara në muzeun kushtuar Gjon Milit në Korçë, edhe sot duken të çuditshme, apo fryti kushedi çfarë efektesh speciale, imagjinoni impaktin që patën plot 70 vite më parë, kur u realizuan me subjekt të madhin Picasso.

Fotografia tërhoqi jo pak vëmendjen dhe u bë pjesë e publikimeve të ndryshme apo analizave të ekspertëve të fushës. Gjon Mili pëlqente të eksperimentonte, ashtu siç bëjnë gjithmonë artistët e njohur. Suksesi i parë me Picasso-n, bëri që ata të punonin sërish bashkë në vitin 1967. E piktori i njohur nuk ishte i vetmi.

Po, ai kishte studion e tij në Manhattan dhe e përdorte kryesisht për të bërë eksperimente. Për shembull, zhvillonte eksperimentet se si ndryshonte për shembull forma e topit gjatë goditjes me këmbë. Domethënë ai kishte një studio eksperimentale.”- Kristaq Balli, studiues

“Është një libër i Artur Miller, dramaturgut të madh amerikan i titulluar Timebends: A life. Në këtë libër ai ka shkruar tre faqe për Gjon Milin. Për Milin thotë se bënte një jetë shumë të çrregullt. Mund të rrinte për 4-5 ditë vetëm me bukë e djathë por mjetet e fotografisë, filmat dhe pajisjet tjera, asnjëherë nuk do i mungonin.”- Çerim Brioni, studiues

Pablo Picasso apo Zhan Pol Sartre, nuk ishin veçse dy prej të mëdhenjve që ranë në kurthin e magjishëm të Gjon Milit. Gjatë karrierës së tij ai fotografoi me teknika të ndryshme personalitete të mëdha, si: Edit Piath, Alfred Hitchcock, Sofia Loren, Salvador Dali, Igor Stravinsky, Billie Holiday, Marylin Monroe, e deri te Tina Turner, Anna Magnani, Frank Sinatra, Mark Chagall, Duke Ellington e shumë të tjerë. Pa harruar politikanë e figura historike, e sigurisht fotografi të tjera për disa ndër kompanitë më të mëdha të modës në botë.

Madje në aparatin e tij në vitin 1946 u fiksua edhe kjo fotografi e cila paraqet Enver Hoxhën në Konferencën e Paqes në Paris. Megjithatë kjo nuk do të thotë se ai pati një marrëdhënie me sistemin komunist, përkundrazi.

Pavarësisht famës dhe shkëputjes së hershme nga vendi i tij, Gjon Mili kërkoi të rikthehej në Shqipëri. Por atëherë pse kjo nuk ndodhi, çfarë e pengoi fotografin e famshëm që të shkelte sërish Shqipërinë? Edhë në këtë pikë detajet nuk mungojnë. Është fakt se strukturat komuniste të kohës, nuk e lejuan.

“Dhe në 1971-tën, Gjon Mili paraqitet në Amb  asadën Shqiptarë në Paris dhe bën kërkesë me shkrim për vizë. E vonojnë 7 ditë rresht, dhe pastaj ia refuzojnë vizën.”- Çerim Brioni, studiues.

“Arsyeja ishte e qartë fare, Gjon Mili ishte gazetar imperialist amerikan. Revista Life ishte media më e fuqishme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, revistë që arriti të ketë 28 milionë pajtimtarë, në kulmin e saj”, thotë Brioni për Top Channel.

Thuhet se pasi iu refuzua viza për në Shqipëri, ai udhëtoi për në Rumani, ku jetonte familja e tij. Ai vetë në kujtime përshkruan se kishte më se 48 vjet që nuk kishte parë asnjë prej të afërmve.

Gjon Mili ishte një njeri i përkushtuar tek puna dhe askush sot nuk mund të thotë se sa fotografi i përkasin saktësisht arkivit të tij. Një pjesë u dëmtua në vitin 1966, pas një zjarri që kaploi studion ku ai punonte.

“Ishte një dëm goxha i madh. U dëgjon disa mijëra fotografi dhe një pjesë e materialeve fotografike, por ai thotë se shumica dhe ato më të domosdoshmet nuk u dogjën.”- Kristaq Balli, studiues

Fotografitë e Gjon Milit nuk lidheshin vetëm me personazhet e njohura por edhe me ngjarjet më ndikuese në historinë botërore. Një pjesë ndodhen në Muzeun e tij në Korçë por ka edhe shumë të tjera që mbajnë firmën e këtij fotografi.

Fotografitë e Gjon Milit janë të famshme dhe ruhen me kujdes në mjaft institucione apo muzeume. Si për shembull ai i arteve moderne në New York, por jo vetëm. Të blesh ekskluzivitetin e tyre do të thotë të paguash një çmim të kripur për vetë vlerën artistike por edhe historike që ato kanë. Në fakt Gjon Mili karrierën e tij ia dedikoi edhe kinematografisë. Ku për shembull si regjisor në filmin me metrazh të shkurtër “Jammin the blues”, i realizuar në vitin 1944, pati një sukses të jashtëzakonshëm, aq sa të nominohej në kategorinë përkatëse për çmimin Oscar.

“Jammin the blues” është filmi që ai e realizoi më shumë dashuri. Por ai ka bërë edhe shumë filma të tjerë të cilët nuk i njohim. Për shembull, ai ka një film të pambaruar të titulluar “Improvization”, i cili zgjat tre orë, të cilin e ka bërë në vitin 1950. Si dhe një film tjetër të shkurtër dokumentar i cili quhet “Stoping for Mili.” Kristaq Balli, studiues

Gjon Mili nuk u bë vetëm një mjeshtër më famë botërore por edhe një mësues po aq i aftë. Janë disa fotografët më të njohur të cilët i përkasin shkollës së tij, e të gjithë, punën me Gjon Milin e ruajnë padyshim si pasaportë të suksesit të tyre.

Ndër të parët që shplurosën figurën e Gjon Milit para viteve 90’, ishin Pirro Naçe e më pas Pirro Milkani, Konstandin Leka e kështu me radhë, të cilët themeluan në 1991 edhe shoqërinë e fotografëve nën emrin e Gjon Milit. Shkrimet e shumta të Çerim Brionit, ishin ata që zbuluan në mënyrën më të plotë jetën e këtij fotografi të madh, të panjohurat, të pathënat e tij, e po kështu një film dokumentar i dy regjisoreve Yllka Gjollesha dhe Suela Bako. Megjithatë Gjon Mili duket si një hapësirë e pafundme tek e cila ende duhet të kërkojmë shtëpinë e tij në Korçë, pasuesit e gjithçka tjetër që ndoshta ka fjetur gjatë diktaturës në qytetin e Serenatave.

“Është ende një sfidë e hapur për të mundur dhe për të kërkuar në dokumentet zyrtare për sa i përket vendit ku ai është lindur, pra lagjes, shtëpisë, rrugës së tij apo elementëve të ndryshëm të cilët mund të dalin nga kërkimet që mund të bëjnë arkivat e Shqipërisë por pse jo edhe në arkivat jashtë.”- Niko Kotherja, studies

“Është e rëndësishme që të nënvizojmë edhe në këtë mes që mbase është një apel në këtë rast që autobiografia që Gjon Mili ka shkruar dhe që fatkeqësisht sot ende nuk është e përkthyer në shqip, në këtë kohë ku nuk ka asnjë ndalim dhe këto ide përkrahen, duhet të urojmë që ta shohim sa më shpejt të botuar në shqip. Pra për të përkthyer autobiografinë që ai ka shkruar në Amerikë.”- Niko Kotherja, studiues

E gjithë bota, studiuesit, hulumtuesit, botime të ndryshme, i kanë kushtuar Gjon Milit hapësira të shumta, e kanë nderuar dhe përkujtuar në mënyrë të vazhdueshme veprën e tij. Ne sapo kemi nisur, ky muze apo institut i fotografisë dhe filmit në Prishtinë që mban emrin e tij, janë hapa të rëndësishme. Por kërkohet shumë më shumë. Kërkohet që më në fund t’i gjejmë shtëpinë ku ka lindur, familjarët e tij pasues, e shumë elementë të tjerë që do të plotësonin figurën e tij në dimensionin shqiptar. Pikërisht për këtë, nuk kemi bërë asnjëherë asgjë, e ky është themeli i tij i historisë dhe i rrënjëve shqiptarë të Milit.

Sigurisht të përmbledhësh në një dokumentar të vetëm, të gjitha fotografitë e Milit është e pamundur. E megjithatë ajo që është sot më dëshpëruese lidhet me faktin se ky njeri i madh njihet gjithkund në botë, por shumë pak në trojet shqiptare. E kjo është një nga sëmundjet tona më të vjetra. Historinë tonë e kemi lënë të zhduket, të flejë, apo më keq edhe e kemi falur. Mili është njëri prej tyre, të cilit ende duhet ti japim atë vend që më të vërtetë e meriton. Për gjurmë shqiptare, Marin Mema.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0