Bashkimi Europian do të investojë 79 milionë euro në Shqipëri për të mbështetur tranzicionin e gjelbër si pjesë e strategjisë për integrimin europian.
Faza e parë e këtij financimi synon rritjen e eficiencës energjetike në ndërtesat publike. Një projekt pilot do të ndërtojë një rrjet të ri energjie në katër bashki – Shkodër, Berat, Përmet dhe Korçë – me qëllim reduktimin e emetimeve të gazrave serë.
Në kuadër të këtij programi, do të instalohen panele diellore për afro 8000 familje përmes skemave me grante.
Një tjetër objektiv i rëndësishëm është zhvillimi i infrastrukturës për automjetet elektrike: parashikohet ngritja e 130 stacioneve të karikimit për të ulur ndotjen nga karburantet tradicionale.
Një pjesë e fondit do të përdoret gjithashtu për të ulur konsumin e energjisë në ndërmarrjet e Ujësjellës-Kanalizimeve, fillimisht në shtatë prej tyre.
Marrëveshja është miratuar në komisionet parlamentare dhe përfshin edhe kontributin financiar të qeverisë shqiptare, me një total që mund të arrijë deri në 130 milionë euro. Programi pritet të zbatohet deri në vitin 2027.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto