Shqipëria, destinacion i ri për turizmin dentar dhe estetik/ Pse vijnë - Business Magazine Albania

Shqipëria, destinacion i ri për turizmin dentar dhe estetik/ Pse vijnë të huajt?

Të shohësh Shqipërinë të vendosur në hartën e destinacioneve më të kërkuara është padyshim një moment i shumëpritur e deri diku i pabesueshëm nëse do ta krahasonim me Shqipërinë e shumë viteve më parë. Megjithatë ky duket të jetë realiteti së fundmi.

Sipas të dhënave, 11,7 milionë vizitorë të huaj vizituan Shqipërinë gjatë vitit 2024, me një rritje prej 15,2% krahasuar me vitin 2023.

Parashikimet për këtë vit tregojnë një vazhdimësi të rritjes.

Lexo gjithashtu: Nga ofertat turistike tek startup-et që marrin pjesë, ja çfarë do të ndodhë në panairin e turizmit ITB Berlin 2025

Shqipëria ka bregdet, ka male, ka histori, kulturë, kulinari e shumëçka kërkojnë turistët kur duan të jetojnë një eksperiencë. Por a e dini se në vitet e fundit ky lulëzim ka qenë edhe në dy sektorë të tjerë?  Turizmi dentar dhe ai i estetikës janë lakuar e pritet të lakohen dhe në vijim. Kombinimi i teknologjisë moderne, stafit të specializuar dhe çmimeve disa herë më të lira, po tërheqin mijëra pacientë nga e gjithë bota.

Për të kuptuar më shumë funksionimin e këtij lloj turizmi, tendencën dhe premisat e sektorit, Business Magazine bisedoi me Blerim Parllaku-un, administrator i San Marco Dental dhe Tea Loka-n, themeluese e ”La Lune”.

Pse e zgjedhin Shqipërinë këta ‘‘turistë’’?

Arsye kryesore për zgjedhjen e shërbimeve dentare në Shqipëri është raporti cilësi-çmim, ku mund të thuhet se shumica e pacientëve e preferojnë vendin tonë për ndërhyrje, të cilat në vendin e tyre do të kushtonin shumë më shumë.

‘‘Kemi rritje të ndjeshme të cilën kryesisht ia atribuojmë cilësisë së shërbimeve me pajisje të avancuara, çmimeve konkurruese dhe specializimit të profesionistëve, rezultateve të sigurta si dhe ndërthurjes së turizmit estetik me destinacionet e bukura shqiptare,’’ – u shpreh Tea Loka

Sakaq, Blerim Parllaku bën edhe një krahasim mes Shqipërisë dhe vendeve të tjera që më pas ndikojnë në përzgjedhje.

‘‘Vendet fqinje që më parë dominonin këtë treg, si Kroacia, Rumania dhe Bullgaria, e kanë humbur avantazhin ekonomik pas anëtarësimit në BE, pasi çmimet e tyre janë afruar ndjeshëm me ato të Italisë dhe vendeve të tjera të zhvilluara.

Shqipëria, në anën tjetër, ka një avantazh të qartë për shkak të kostove më të ulëta të jetesës, pagave, qirave dhe shpenzimeve administrative, duke mundësuar çmime konkurruese pa kompromentuar cilësinë.’’

Lexo gjithashtu: Bum turistik në kurriz të natyrës – Shqipëria, vendi mikpritës në ITB

Për ta ilustruar këtë në mënyrë konkrete, mund të shohim një simulim se si i njëjti produkt dentar, i blerë me të njëjtin çmim, përfundon i ofruar me kosto të ndryshme për pacientin.

 

“Turistët vijnë për trajtim, por njëkohësisht shijojnë bregdetin, malet, apo gastronominë shqiptare. Është një eksperiencë e plotë, jo vetëm një shërbim mjekësor,” tregon Loka.

Për të përforcuar këtë sektor, Tea Loka sugjeron marketing të targetuar, bashkëpunime me agjenci turistike dhe promovim aktiv nëpërmjet influencuesve ndërkombëtarë.

Cilat janë problematikat si një vend i ri në këtë hartë?

Sipas Parllakut, kemi 3 sfida kryesore që vështirësojnë zhvillimin e mëtejshëm të turizmit dentar në Shqipëri:

  1. Investitorët aventurierë dhe neglizhenca e strukturave rregullatore
    Një nga sfidat më të mëdha është hyrja në treg e investitorëve të papërgjegjshëm, të cilët shfrytëzojnë mungesën e zbatimit të rregullave nga strukturat përkatëse, edhe pse këto mekanizma ekzistojnë. Këta operatorë shpesh operojnë jashtë standardeve të duhura, duke krijuar incidente me pacientët që dëmtojnë besimin në treg. Në epokën e rrjeteve sociale, çdo problem përhapet menjëherë dhe mbetet i aksesueshëm për vite, duke lënë një ndikim negativ afatgjatë në reputacionin e industrisë.
  2. Mungesa e burimeve njerëzore
    Burimet njerëzore vazhdojnë të jenë një sfidë madhore. Nga 2013 deri në 2024, rreth 700,000 shtetas shqiptarë kanë marrë leje qëndrimi në BE, duke përfshirë një numër të madh infermierësh dhe asistentësh dentarë. Ky emigrim masiv ka krijuar një mungesë të ndjeshme të stafit të kualifikuar në Shqipëri, duke vështirësuar rekrutimin e specialistëve të trajnuar.
  3. Zgjerimi në tregje të reja
    Një tjetër sfidë e rëndësishme është shtrirja në tregje si SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar, ku konkurrenca është e lartë dhe kërkohet një strategji e mirëmenduar për të ndërtuar besueshmëri dhe për të tërhequr pacientë nga këto vende.

A do të dimë ne ta mbajmë këtë hov dhe ta kanalizojmë si trend në rritje?

Sipas Tea Lokas, besimi aktual i pacientëve është këmbanë për të menduar se sa shumë duhet të punojmë që jo vetëm të mbajmë standartin në nivelin që kemi, por ta rrisim dhe më shumë.

Për të ecur në rrugën e duhur, Loka sugjeron që klinikat shqiptare të zbatojnë standarde të larta sigurie dhe cilësie, si:

-Pajisje të certifikuara dhe teknologji të avancuar për siguri maksimale.

-Produkte të aprovuara nga FDA duke garantuar efektivitet dhe siguri.

-Protokolle higjiene dhe sterilizimi, në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare.

-Shërbim i personalizuar dhe komunikim i vazhdueshëm, për të ndjekur pacientët edhe pas trajtimit.

Profesionistët shqiptarë vazhdojnë të dallohen në treg, ndaj edhe Blerim Parllaku thekson pikërisht këtë fakt me një konstatim të habitshëm.

‘‘Një aspekt që nuk duhet neglizhuar është volumi i lartë i ndërhyrjeve që kryejnë kirurgët shqiptarë. Për shembull, një kirurg 30-vjeçar në Shqipëri realizon në një muaj më shumë ndërhyrje se sa një kirurg italian në disa vite. Ky nivel i lartë i praktikës ka ndikuar në rritjen e përvojës dhe përmirësimin e shërbimeve,’’-shprehet ai.

Një nga burimet kryesore të gjetjes së pacientëve të rinj është referimi nga pacientët ekzistues. Për këtë arsye, çdo klinikë ka interes të ruajë dhe të kënaqë bazën e saj të pacientëve, duke investuar vazhdimisht për të garantuar cilësinë dhe për të siguruar që këto referime të vazhdojnë.

Të dy të intervistuarit pranojnë se sfidat ekzistojnë, por potenciali është i jashtëzakonshëm. Turizmi dentar dhe estetik mund të kthehen në një nga shtyllat kryesore të ekonomisë shqiptare, nëse mbështeten me politika të qarta, certifikime ndërkombëtare dhe promovim të qëndrueshëm.

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #37 - Prill 2025

Mendo lokalisht, vepro globalisht

Viti 2025 vjen me sfida dhe mundësi të mëdha në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë sonë. Turizmi shqiptar po përjeton një rritje të jashtëzakonshme, ku duket se pas një prezantimi mbresëlënës në ITB Berlin, Shqipëria është gati të pozicionohet si një destinacion i rëndësishëm në hartën botërore me një ofertë të larmishme turistike. Paralelisht, tregu i pasurive të paluajtshme po përballet me ndyshime të shumta, ku investimet strategjike dhe zhvillimi i qëndrueshëm janë kyç për suksesin e këtij sektori.
Teknologjia vazhdon të transformojë mënyrën se si jetojmë dhe punojmë. Inteligjenca Artificiale nuk është më thjesht një mjet ndihmës, por një faktor vendimtar që po shkruan rregulla të reja në çdo industri.

Bota përballë sfidës së krijimit të një axhende më humane për Inteligjencën Artificiale – si mund ta vendosim atë në shërbim të njeriut, pa e shndërruar në një rrezik për demokracinë dhe ekonominë globale? Ndërsa jetojmë në një botë që ndryshon vazhdimisht, shohim sesi Fintech është një realitet i padiskutueshëm që po lehtëson ditë pas dite jetën dhe veprimtarinë e bizneseve dhe individëve. Ajo që konfirmojmë me siguri në këtë edicion është sesi bizneset shqiptare po përqafojnë gjithnjë e më shumë një qasje europiane në menaxhim, kulturë, lidership dhe investime, duke u nxitur drejt inovacionit dhe …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0