Shko jeto në Itali dhe fito 100 mijë euro! Cili është kushti që do t'ju b - Business Magazine Albania

Shko jeto në Itali dhe fito 100 mijë euro! Cili është kushti që do t’ju bëjë ta mendoni dy herë

Një mundësi unike po vjen nga veriu piktoresk i Italisë, rajoni malor i Trentinos, në zemër të Alpeve, ka vendosur të ofrojë deri në 100 mijë euro për këdo që është gati të zhvendoset dhe të rigjallërojë jetën në fshatrat e braktisur të zonës. Ky rajon i njohur për bukuritë natyrore, qetësinë alpine dhe pasurinë kulturore, po përpiqet të luftojë zbrazjen e fshatrave duke joshur banorë të rinj me një ofertë që të tundon të bësh valixhet gati menjëherë.

Lexo gjithashtu: Gjenerata Z, brezi i ri i udhëtarëve! Si po e riformësojnë të rinjtë industrinë e turizmit

Sipas skemës së re të prezantuar nga autoritetet lokale, qytetarët italianë, përfshirë ata që jetojnë jashtë vendit, mund të përfitojnë 80 mijë euro për restaurimin e një shtëpie të braktisur dhe 20 mijë euro shtesë për blerjen e saj. Por, kjo nuk është një marrëveshje për ata që kërkojnë fitime të shpejta apo një shtëpi të dytë për fundjavë. Kushdo që përfiton nga kjo skemë duhet të angazhohet të jetojë aty për të paktën 10 vjet, ose të japë shtëpinë me qira afatgjatë për po aq kohë. Nëse ky kusht nuk respektohet, grantet duhet të kthehen.

Në total, 33 fshatra alpine janë përfshirë në këtë projekt, të cilat ndodhen në zona me peizazhe magjepsëse si Val di Non dhe Val di Sole, por që sot përballen me rënie drastike të popullsisë. Në shumë raste, shtëpitë bosh janë më të shumta se ato të banuara. Ndër fshatrat që pritet të jenë pjesë e programit janë edhe Rabbi dhe Vermiglio, ky i fundit i njohur edhe në filmin e vitit 2024, “Vermiglio”, që trajton ngjarje nga Lufta e Parë Botërore.

Ky program është pjesë e një ligji të miratuar në buxhetin kombëtar të Italisë për vitin 2024, i cili krijoi një fond prej 30 milionë eurosh për të ndihmuar komunitetet me më pak se 5,000 banorë, të cilat po përballen me sfida ekonomike dhe sociale për shkak të depopullimit. Në vend që të ndjekin shembullin e rajoneve të tjera të Italisë që ofrojnë shtëpi për 1 euro, Trentino ka vendosur të shkojë përtej simbolikës, duke investuar realisht në rilindjen e komuniteteve të veta.

Presidenti i Provincës Autonome të Trentos, Maurizio Fugatti, theksoi se objektivi kryesor i kësaj nisme është “të revitalizohet jeta në komunitetet lokale dhe të forcohet kohezioni territorial.” Por edhe pse bujare, ndihma financiare vjen me disa rregulla të qarta, investimi për restaurim nuk duhet të kalojë 200 mijë euro, ku të paktën 120 mijë euro mbulohen nga vetë pronari. Kjo për të siguruar që projektet të mbeten brenda identitetit lokal dhe të mos kthehen në vila luksoze që shkatërrojnë estetikën tradicionale.

Lexo gjithashtu: 9 destinacionet më të mira në Europë për udhëtime solo të femrave në vitin 2025

Për më tepër, për të parandaluar shndërrimin e fshatrave në destinacione turistike të përkohshme, programi ndalon qiratë afatshkurtra dhe kufizon çdo individ në tre prona të ndryshme. Po ashtu, personat nën 45 vjeç që jetojnë aktualisht në Trentino nuk mund të aplikojnë, për të shmangur përfitimet nga ata që tashmë posedojnë pronë në rajon. Kjo nismë është e dedikuar për banesa të braktisura që shpesh janë bërë rrezik për lagjen dhe që mund të kthehen në strehë të ngrohta për familje të reja.

Lista përfundimtare e fshatrave që do të përfshihen në këtë projekt pritet të publikohet gjatë muajit prill, ndërsa autoritetet lokale janë të vendosur që ta përshtasin sipas interesimit të qytetarëve dhe disponueshmërisë së shtëpive. Nëse nuk ka mjaftueshëm aplikantë apo prona të përshtatshme, projektit do t’i bëhen ndryshimet e nevojshme.

Kjo është më shumë se një ofertë e zakonshme për të ndryshuar vendbanim, është një ftesë për të qenë pjesë e një rilindjeje të vërtetë komunitare në zemër të Italisë alpine. Dhe për ata që janë gati të ndërtojnë një jetë të re mes natyrës, kulturës dhe historisë, mund të jetë mundësia që nuk vjen dy herë.

CNN

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0