Jemi mësuar të dëgjojmë për organizma të modifikuar gjenetikisht (GMO), por ky zbulim i tejkalon të gjitha. Shkencëtarët në Laboratorin e Biologjisë Molekulare të Këshillit të Kërkimeve Mjekësore në Mbretërinë e Bashkuar kanë inxhinieruar një bakter me kod gjenetik më efikas se çdo formë tjetër jete në Tokë.
Krijesa e tyre quhet “Syn57”, një variant i bioinxhinieruar i baktereve E. coli, po, i njëjti mikrob që mund të të sëmurë rëndë nga një hot-dog i pagatuar mirë, i cili përdor shtatë kodone më pak sesa të gjitha format e tjera të jetës në Tokë.
Çfarë është një kodon?
Një kodon është një sekuencë me tre “shkronja” në ADN apo ARN që jep udhëzime për ndërtimin e aminoacideve, “blloqet” bazë të jetës. Që prej miliarda vitesh, gjithë jeta në Tokë ka përdorur 64 kodone. Në vitin 1966, shkencëtarët zbuluan se cilat kodone përputheshin me cilat aminoacide, duke hartuar kodin standard gjenetik, i cili çuditërisht rezultoi të kishte vetëm 20 aminoacide në total. Pra, natyra nuk kishte arritur në “efikasitet perfekt”: disa kodone ishin të tepërta. Ky fakt hapi një pyetje intriguese: a mund të krijohej një formë më efikase e jetës, duke hequr tepricat?
Nga koncepti te realiteti
Në vitin 2010, një ekip prej 24 studiuesish krijoi qelizën e parë sintetike bakteriale në botë, një arritje e pabesueshme pas 15 vitesh pune, por që gjithsesi ruante 64 kodonet tradicionale. Në vitin 2019, studiuesit në Universitetin e Kembrixhit ia dolën të reduktonin kodin e E. coli në 61 kodone, duke treguar se jeta funksionon edhe pa të gjitha 64. Kjo u konsiderua si “përpjekja më ambicioze për të krijuar një formë jete plotësisht sintetike”. Dhe tani shkencëtarët kanë shkuar edhe më larg. Për të ndërtuar Syn57, ata ndryshuan më shumë se 101,000 rreshta të kodit gjenetik, fillimisht në teori, pastaj në praktikë. Ndryshe nga eksperimenti i vitit 2010, përparimet në sintezën e ADN-së sot u lejojnë studiuesve të ndërtojnë gjeneoma nga e para, duke shmangur që në fillim kodonet e panevojshme. “Tani mund të eksplorosh se çfarë është e aftë të tolerojë jeta,” tha për New York Times Akos Nyerges, biolog sintetik në Harvard, pjesë e një prej ekipeve që po garonin për të ndërtuar Syn57. Fitorja përfundimisht i takoi ekipit të Kembrixhit. “Patëm momente kur mendonim: ‘A do të na çojë kjo drejt një fundi të vdekur, apo do ta çojmë deri në fund?’” tregoi Wesley Robertson nga Këshilli i Kërkimeve Mjekësore, një nga autorët e studimit.
Rezultati? Pas gjithë kësaj pune të jashtëzakonshme, përgjigjja ishte e thjeshtë: “Jeta vazhdon të funksionojë,” tha Robertson.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto