Shërbimi postar danez ndalon shpërndarjen e letrave pas mbi 400 vitesh - Business Magazine Albania

Shërbimi postar danez ndalon shpërndarjen e letrave pas mbi 400 vitesh

Shërbimi postar i Danimarkës do të shpërndajë letrën e fundit më 30 dhjetor, duke i dhënë fund një tradite mbi 400-vjeçare në dërgimin e postës fizike.

Vendimi u njoftua më herët këtë vit nga PostNord, kompania e krijuar në vitin 2009 pas bashkimit të shërbimeve postare të Suedisë dhe Danimarkës. PostNord bëri të ditur se do të shkurtojë rreth 1,500 vende pune në Danimarkë dhe do të heqë 1,500 kuti postare të kuqe, për shkak të “digjitalizimit në rritje” të shoqërisë daneze.

Duke e përshkruar Danimarkën si “një nga vendet më të digjitalizuara në botë”, kompania theksoi se kërkesa për letra ka rënë ndjeshëm, ndërsa blerjet online janë në rritje të vazhdueshme. Kjo ka shtyrë PostNord të fokusohet kryesisht në shpërndarjen e pakove. Simbolika e këtij ndryshimi u reflektua edhe në interesin e madh për kutitë postare tradicionale. Brenda vetëm tre orësh, 1,000 kuti postare të çmontuara u shitën, me çmime nga 1,500 deri në 2,000 korona daneze, në varësi të gjendjes. Një tjetër grup prej 200 kutish pritet të dalë në ankand në muajin janar.

Edhe pse PostNord do të vazhdojë shpërndarjen e letrave në Suedi, në Danimarkë kjo detyrë do t’i kalojë kompanisë Dao, e cila tashmë operon në tregun danez. Nga 1 janari, Dao do të zgjerojë shërbimin e saj, duke kaluar nga rreth 30 milionë letra të dërguara në vitin 2025 në 80 milionë vitin pasardhës. Megjithatë, qytetarët do të duhet të dorëzojnë letrat në pikat e Dao ose të paguajnë ekstra për t’i marrë nga shtëpia, ndërsa pagesa e postës do të bëhet online ose përmes aplikacionit. Shërbimi postar danez ka qenë përgjegjës për shpërndarjen e letrave që prej vitit 1624. Në 25 vitet e fundit, dërgimi i letrave ka rënë me mbi 90%, një tregues i qartë i transformimit digjital të shoqërisë.

Lexo edhe: Pse truri “mjegullohet” pas një nate pa gjumë? Shkencëtarët zbulojnë çfarë ndodh realisht në kokën tonë

Megjithatë, disa të dhëna sugjerojnë një rikthim të interesit për shkrimin e letrave, veçanërisht te të rinjtë. Sipas studimeve të Dao, grupmosha 18–34 vjeç dërgon dy deri në tre herë më shumë letra sesa grupmoshat e tjera. Studiuesi i trendeve Mads Arlien-Søborg e lidh këtë prirje me nevojën e të rinjve për të gjetur një “kundërpeshë ndaj mbingopjes digjitale”, duke e kthyer shkrimin e letrave në një zgjedhje të vetëdijshme.

Sipas ligjit danez, mundësia për të dërguar letra duhet të ekzistojë. Kjo do të thotë se, nëse Dao do të ndalonte shpërndarjen e letrave, qeveria do të ishte e detyruar të caktonte një operator tjetër.

Një burim pranë Ministrisë së Transportit deklaroi se nga viti i ri nuk do të ketë “asnjë ndryshim praktik”, pasi qytetarët do të vazhdojnë të dërgojnë dhe marrin letra, thjesht përmes një kompanie tjetër. Sipas tij, rëndësia e këtij ndryshimi është kryesisht “sentimentale”. Megjithatë, të tjerë e shohin këtë si një fund të pakthyeshëm. Magnus Restofte, drejtor i muzeut të komunikimit Enigma në Kopenhagë, thekson se në rast se komunikimi digjital do të bëhej i pamundur, kthimi te posta fizike do të ishte shumë i vështirë. “Ne nuk mund të kthehemi më te ajo që ka qenë,” tha ai, duke nënvizuar nivelin e lartë të digjitalizimit të vendit.

Në kuadër të sistemit kombëtar të identitetit digjital MitID, i cili përdoret për shërbime si bankat online, nënshkrimi elektronik dhe rezervimet mjekësore, të gjitha komunikimet zyrtare dërgohen automatikisht përmes “postës digjitale”. Edhe pse ekziston mundësia për të zgjedhur postën fizike, vetëm 5% e danezëve kanë përfituar nga kjo, ndërsa 97% e popullsisë mbi 15 vjeç është e regjistruar në MitID.

Sipas Restofte, publiku danez ka qenë “mjaft pragmatik” ndaj këtij ndryshimi, pasi shumë pak njerëz marrin sot letra fizike. Disa të rinj, madje, nuk kanë dërguar kurrë një letër me postë. Paradoksalisht, kjo mungesë ka rritur vlerën simbolike të letrës fizike. “Kur merr një letër të shkruar me dorë, vlera e saj është jashtëzakonisht e lartë,” shprehet ai. “Tregon se dikush ka investuar kohë dhe para.”

Duke komentuar vendimin, zëvendësdrejtori ekzekutiv i PostNord Denmark, Kim Pedersen, tha se mbyllja e këtij kapitulli ishte e vështirë: “Kemi qenë shërbimi postar danez për 400 vjet. Por danezët janë bërë gjithnjë e më digjitalë dhe sot kanë mbetur shumë pak letra. Rënia është aq e madhe sa tregu i letrave nuk është më fitimprurës.”

 

theguardian

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

See more
Follow us
0