Narrativa më joshëse në kulturën amerikane të punës sot nuk është se Inteligjenca Artificiale do t’ju marrë vendin e punës. Përkundrazi, ideja që po promovohet më fort është se AI do t’ju shpëtojë prej saj.
Prej tre vitesh, industria ua ka shitur këtë ide miliona punonjësve të shqetësuar: po, disa profesione do të zhduken, por për shumicën, AI do të jetë një “forcues” i aftësive. Avokatët, konsulentët, shkrimtarët, programuesit apo analistët financiarë do të bëhen më produktivë dhe më të domosdoshëm. Mjetet punojnë për ju, ju lodheni më pak, dhe të gjithë fitojnë.
Por një studim i ri i publikuar në Harvard Business Review e ndjek këtë ide deri në fund dhe zbulon një realitet tjetër: kompanitë rrezikojnë të kthehen në “fabrika të lodhjes mendore”.
Studiues nga Universiteti i Kalifornisë në Berkeley kaluan tetë muaj brenda një kompanie teknologjike me 200 punonjës, duke analizuar se çfarë ndodh kur punonjësit e përdorin intensivisht AI-në. Përmes mbi 40 intervistave të detajuara, ata zbuluan se askush nuk ishte i detyruar të punonte më shumë. Nuk kishte presion zyrtar. Por njerëzit filluan vetë të bënin gjithnjë e më shumë, sepse teknologjia e bënte të mundur.
Si pasojë, puna filloi të hynte në pushimet e drekës dhe në mbrëmje. Listat e detyrave u zgjeruan për të mbushur çdo minutë të lirë që krijonte AI – dhe madje përtej saj.
Lexo edhe: Si u krijuan guidat dhe yjet Michelin për restorantet
Një inxhinier shprehet: “Menduam se do kursenim kohë dhe do punonim më pak. Në realitet, punojmë njësoj ose edhe më shumë.”
Edhe në forumin Hacker News, një komentues shkruante: “Që kur ekipi ynë kaloi në një stil pune të bazuar te AI, pritshmëritë dhe stresi janë trefishuar, ndërsa produktiviteti është rritur vetëm rreth 10%. Drejtuesit na shtyjnë të provojmë se investimi në AI ia vlen, dhe ne përfundojmë duke punuar më gjatë.”
Ky fenomen është njëkohësisht interesant dhe shqetësues. Debati për AI-në gjithmonë është fokusuar te pyetja: “A janë reale përfitimet?” Por shumë pak janë pyetur: “Çfarë ndodh kur këto përfitime realizohen?”
Studime të mëparshme kanë treguar rezultate të ngjashme. Një eksperiment verën e kaluar zbuloi se programuesit me AI shpenzonin 19% më shumë kohë në detyra, ndërsa mendonin se ishin 20% më të shpejtë. Një studim i Byrosë Kombëtare të Kërkimeve Ekonomike zbuloi se përfitimi real ishte vetëm 3% kursim kohe, pa ndikim në orët e punës apo të ardhurat.
Ky studim i ri nuk e mohon fuqinë e AI-së. Përkundrazi, e konfirmon atë, por tregon edhe pasojat: lodhje, stres kronik dhe vështirësi për t’u shkëputur nga puna, ndërsa pritshmëritë për shpejtësi dhe disponueshmëri rriten vazhdimisht.
Industria besoi se duke i ndihmuar njerëzit të bëjnë më shumë, do zgjidhte çdo problem. Por duket se kjo mund të ketë hapur derën për një krizë të re: atë të djegies profesionale.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto