Gjatë prezantimit të konkluzioneve të misionit të FMN-së në Shqipëri, Shefja e misionit, Anke Weber, solli një nga rekomandimet më të forta për politikën fiskale: heqjen e taksës zero për bizneset e vogla dhe tatimin e vetëpunësuarve mbi bazën e të ardhurave personale. Sipas saj, sistemi aktual jo vetëm që krijon trajtime preferenciale, por edhe e largon vendin nga standardet dhe praktikat e Bashkimit Evropian.
FMN kërkon gjithashtu modernizimin e sistemit të TVSH-së, duke reduktuar përjashtimet dhe trajtimet e veçanta që deformojnë tregun, me qëllim harmonizimin me legjislacionin evropian dhe rritjen e efektivitetit fiskal.
Nga ana tjetër, Ministri i Financave, Petrit Malaj, theksoi se paketa fiskale 2026 nuk parashikon rritje taksash, por një rishikim të normave të reduktuara apo të përjashtuara, për t’i përafruar me kërkesat e BE-së. Sa i përket reformës së pensioneve, ministri u shpreh se skema po ristrukturohet për të garantuar qëndrueshmëri afatgjatë dhe pensione më të larta, ndërsa aktualisht do të vijojë mekanizmi i bonuseve mujore si një e ardhur shtesë për pensionistët, e lidhur me kontributet e tyre.
Lexo edhe: EU4GreenGen /Gonzato: Tranzicioni i gjelbër, prioritet për integrimin e Shqipërisë
Weber nënvizoi se ekonomia shqiptare ka elementë pozitivë, si tregues të ulët papunësie dhe sektor bankar të qëndrueshëm, por paralajmëroi se trysnia fiskale mund të kufizojë hapësirat buxhetore nëse nuk adresohen mangësitë aktuale. Sipas saj, reformat në kapitalin njerëzor, rregullat e biznesit dhe bashkëpunimi institucional mbeten thelbësore. FMN konfirmoi gjithashtu planet për të kryer një vlerësim të stabilitetit financiar për Shqipërinë, në përputhje me procedurat e saj standarde.
Në qendër të gjithë diskutimit qëndron një mesazh i qartë: sistemi fiskal shqiptar ka nevojë për harmonizim, thjeshtim dhe barazi më të madhe tatimore për bizneset, sidomos për ato të voglat që sot operojnë nën regjimin e taksës zero. Kjo është një pikë kritike jo vetëm për të forcuar konkurrueshmërinë, por edhe për të afruar vendin me standardet evropiane, një hap i domosdoshëm për ekonominë dhe mjedisin e biznesit në Shqipëri.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.