Shefi i Bankës Botërore paralajmëron për recesion global - Business Magazine Albania

Shefi i Bankës Botërore paralajmëron për recesion global

Shefi i Bankës Botërore

Udhëheqësi i Bankës Botërore, David Malpass, ka paralajmëruar se lufta e Rusisë në Ukrainë mund të shkaktojë recesion global, pas rritjes së çmimeve të ushqimit dhe energjisë.

Ai ka thënë në një takim me bizneset në Shtetet e Bashkuara se është e vështirë “të gjenden rrugë për ta shmangur recesionin”.

Sipas tij, edhe disa masa izoluese në Kinë janë duke shtuar shqetësimet për situatën ekonomike.

Komentet e tij përbëjnë paralajmërimin e fundit se ekonomia botërore mund të tkurret.

“Në lidhje me Prodhimin e Brendshëm Bruto (GDP), është e vështirë të shohim shmangie të recesionit”, ka thënë Malpass, pa dhënë detaje tjera.

“Vetëm ideja e dyfishimit të çmimeve të energjisë, mjafton për të nxitur recesionin”, sipas tij.

Muajin e kaluar, Banka Botërore uli parashikimet për rritje ekonomike në nivel global në 3.2 për qind.

GDP është ndër mënyrat më të rëndësishme për të matur sa mirë apo keq po performon një ekonomi, dhe vëzhgohet nga afër prej ekonomistëve dhe bankave.

GDP po ashtu u ndihmon bizneseve të vlerësojnë se kur duhet të zgjerohen, të rekrutojnë më shumë punëtorë, apo të investojnë më pak dhe të zvogëlojnë fuqinë punëtore.

Qeveritë po ashtu e përdorin GDP-në për të marrë vendime për gjithçka, duke nisur nga taksat e deri te shpenzimet, ndërsa bankat i ndihmon të marrin vendime se kur të rrisin apo ulin normat e interesit.

Malpass ka thënë se shumë vende europiane janë ende shumë të varura nga nafta dhe gazi rus.

Ai ka bërë këto deklarata, pavarësisht se disa shtete të perëndimit kanë bërë plane për të ulur varësinë nga energjia ruse. Sipas kreut të Bankës Botërore, nëse Rusia ndal furnizimet me gaz, kjo gjë mund të shkaktojë “ngadalësim të konsiderueshëm” të ekonomisë në rajon.

Ai ka thënë se çmimet e larta të energjisë po rëndojnë mbi Gjermaninë, e cila përbën ekonominë më të madhe në Evropë dhe të katërtën në botë.

Malpass ka thënë se shtetet në zhvillim po përballen edhe me mungesë të ushqimit dhe energjisë.

Rreziqet që vijnë nga izolimet në Kinë

Udhëheqësi i Bankës Botërore tha në takim me bizneset, se është i shqetësuar për masat e izolimit në disa prej qyteteve më të mëdha në Kinë, duke përfshirë Shangain.

“Kina është përballur me disa tkurrje në sektorin e pasurive të paluajtshme, ndaj parashikimet për rritje ekonomike atje, edhe para pushtimit rus në Ukrainë, kanë qenë të zbehta”, ka thënë ai.

“Më pas valët e COVID-19 në Kinë kanë nxitur izolime që kanë ulur edhe më shumë parashikimet për rritje”, ka shtuar ai.
Edhe kryeministri kinez, Li Keqiang, ka thënë se ekonomia e dytë më e madhe në botë është goditur rëndë nga masat e fundit izoluese, në krahasim me fillim të pandemisë më 2020.

Ai ka bërë thirrje për më shumë punë nga ana e zyrtarëve për hapje të fabrikave pas izolimeve.

“Përparimi nuk është i kënaqshëm”, ka thënë Li.

“Disa provinca janë duke raportuar se vetëm 30 për qind e bizneseve janë rihapur… shkalla duhet të arrijë në 80 për qind në periudhë të shkurtër kohore”.

Izolime të plota apo të pjesshme janë zbatuar në dhjetëra qytete kineze në muajt mars dhe prill, duke përfshirë edhe mbylljen e Shangait.

Në javët e fundit, zyrtarë të shumtë kinezë kanë thënë se sektorë të ndryshëm të ekonomisë janë prekur nga këto masa, duke nisur nga prodhimi e deri te shitja.

Radio Evropa e Lirë

Përgatiti: Krenare Cubolli

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0