SHBA vs BE: Dy botë, dy qasje për Inteligjencën Artificiale - Business Magazine Albania

SHBA vs BE: Dy botë, dy qasje për Inteligjencën Artificiale

SHBA vs BE: Dy botë, dy qasje për Inteligjencën Artificiale

Nga Raghuram G. Rajan– Problemi me rregullatorët europianë, më tha një biznesmen gjerman së fundmi, është se ata kanë shumë frikë nga rreziqet. “Në çdo sektor të ri inovativ, ata e teprojnë me rregullat dhe e mbytin potencialin pozitiv.” Në kontrast, amerikanët kujdesen më shumë për mundësitë dhe presin më gjatë para se të vendosin rregulla. “Nuk është çudi që SHBA ka më shumë prani në industritë inovative.”

Inteligjenca artificiale është shembulli më i qartë. Bashkimi Europian miratoi në gusht 2024 ligjin e parë gjithëpërfshirës në botë për AI, duke vendosur masa kundër rreziqeve si diskriminimi, dezinformimi, shkelja e privatësisë apo sistemet që mund të rrezikojnë jetën dhe stabilitetin shoqëror. Ligji kategorizon sistemet sipas nivelit të rrezikut: disa, si “social scoring”, ndalohen plotësisht, ndërsa të tjerat me rrezik të lartë mbikëqyren rreptësisht dhe gjobiten në rast mosrespektimi. Por Europa pothuajse nuk ka asnjë aktor të madh në industrinë e re të AI, ndryshe nga SHBA dhe Kina. Liderët aktualë janë kompani amerikane si OpenAI, Anthropic dhe Google; asnjë kompani europiane nuk arrin këtë nivel. Ky boshllëk flet vetë. Për momentin, qasja amerikane, përmes “AI Action Plan” të administratës Trump, që synon të kufizojë burokracinë, duket më efikase.

Europa: shumë rregullime, shumë shpejt

Problemi me qasjen europiane është se ajo e ngarkon që në fillim një startup me kosto të larta përputhjeje, përpara se të kuptohet potenciali i teknologjisë. Një chatbot që shpërndan dezinformata ose diskriminon nuk është i pranueshëm, por duhet të ketë njëfarë tolerance për gabime në fazat e hershme. Liria për të eksperimentuar shpesh i jep zhvilluesve kohë dhe burime për të gjetur më vonë mënyra efikase për të rregulluar problemet. Të kërkosh perfeksion që në nisje nuk mbron shoqërinë, por ndalon procesin e provë-gabimit që sjell përparime. Disa rregullatorë lejojnë testime vetëm në mjedise të kontrolluara, “sandbox”-e. Këto minimizojnë rreziqet, por kufizojnë edhe potencialin pozitiv: nuk aktivizojnë efektet e rrjetit dhe nuk nxjerrin në pah përdorime të paparashikuara. Pornografia online, për shembull, nxiti herët zhvillimin e teknologjive të internetit. Pra, sandbox-et janë më mirë se ndalimet totale, por përsëri mund të mbysin ide të vlefshme para se ato të rriten.

Lexo edhe: Përjetoni të ardhmen e inovacionit në Plug and Play Tirana Expo

Amerika: shumë pak, shumë vonë

Nga ana tjetër, qasja e lirshme amerikane ka kosto të veta. Produktet “e pakontrolluara” mund të shkaktojnë kriza, siç ndodhi me tregun e kredive të rrezikshme në vitin 2008. Sot ka frikëra të ngjashme për AI dhe kriptovalutat (shembull: rrëzimi i FTX). Historikisht, SHBA ka qenë më e gatshme të marrë rreziqe, duke pasur mbështetje fiskale më të fortë. Por me hapësirë fiskale gjithnjë e më të kufizuar, edhe kjo qasje mund të rishikohet. Problemi është se nëse Amerika pret shumë gjatë për të rregulluar, industria bëhet aq e fuqishme sa ndikon vetë në ligje – siç ndodhi me kripton. Ndërsa Europa ndërhyn herët, kur sektori është ende i vogël dhe pa zë, por shpesh e shtyn debatin drejt mbirregullimit, duke mbrojtur interesat e lojtarëve ekzistues (si bankat që kundërshtuan kripton). Pra, SHBA rregullon shumë pak, shumë vonë, ndërsa Europa shumë shumë, shumë shpejt.

A ka vend për ekuilibër?

Në një botë ideale, këto qasje të ndryshme mund të plotësojnë njëra-tjetrën. SHBA mund të lejojë eksperimentim të shpejtë dhe shkallëzim, ndërsa Europa vendos standarde të rrepta që kompanitë amerikane duhet të ndjekin në tregun global. Kështu, inovacioni do të kombinohej me sigurinë. Por realiteti është më i ndërlikuar. Firmat amerikane mund të shkaktojnë dëme globale përpara se rregullatorët europianë të reagojnë. Europa mund të shuajë inovacionin që pa lindur. Dhe rreziku më i madh është nëse njëra palë detyron tjetrën të ndjekë rregulloren e vet. Ndoshta, për të mirën e botës, SHBA dhe Europa duhet të vazhdojnë të kenë qasje të ndryshme.

Raghuram G. Rajan ka qenë guvernator i Bankës Qendrore të Indisë dhe krye-ekonomist i Fondit Monetar Ndërkombëtar. Aktualisht është Profesor i Financës në University of Chicago Booth School of Business dhe bashkautor (së bashku me Rohit Lamba) i librit Breaking the Mold: India’s Untraveled Path to Prosperity (Princeton University Press, maj 2024).

Copyright: Project Syndicate, 2025.
www.project-syndicate.org

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

See more
Follow us
0