Julian Assange, themeluesi i Wikileaks, është një hap më afër ekstradimit nga Britania e Madhe në SHBA, pasi qeveria e Shteteve të Bashkuara fitoi apelin në Gjykatën e Lartë të Londrës.
Gjykatësi Timothy Holroyde tha të premten se gjykata “e lejon apelimin”.
Në SHBA, sipërmarrësi australian do të përballet me akuzat penale që përfshijnë shkeljen e ligjit të spiunazhit dhe komplot për të hakuar kompjuterët e qeverisë amerikane.
Holyrode u shpreh se SHBA ka siguruar Britaninë se dënimi i Assange do të plotësojë disa kushte.
Assange, i cili nuk u lejua të merrte pjesë personalisht në seancën dëgjimore, kërkohet nga autoritetet amerikane për publikimin e qindra mijëra dokumenteve të klasifikuara ushtarake në vitin 2010 dhe 2011.
Autoritetet amerikane e akuzojnë atë për 18 shkelje, që do të thotë se ai përballet me një dënim prej 175 vjetësh burg.
Stella Moris, e fejuara e Julian Assange, tha të premten: “Ne do ta apelojmë këtë vendim në momentin më të hershëm të mundshëm”.
Ajo e përshkroi vendimin e Gjykatës së Lartë si “të rrezikshëm dhe të gabuar” dhe një “shkelje të rëndë drejtësie”.
“Si mund të jetë e drejtë, si mund të jetë e mundur që të ekstradohet Julian në vendin që komplotoi për ta vrarë?” shtoi Morris.
Grupi për të drejtat e njeriut Amnesty International tha se akuzat kundër Assange janë “të motivuara politikisht” dhe duhet të hiqen.
Kryeredaktori i WikiLeaks, Kristinn Hrafnsson, tha në një deklaratë: “Jeta e Julian është edhe një herë nën kërcënim serioz dhe po ashtu është edhe e drejta e gazetarëve për të publikuar materiale që qeveritë dhe korporatat i shohin si të papërshtatshme.
Ai shtoi: “Kjo ka të bëjë me të drejtën e një shtypi të lirë për të botuar pa u kërcënuar nga një superfuqi bullizuese”.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto