Fokusi i çdo debati midis ekonomistëve, juristëve, politikbërësve, e kështu me radhë, në mediumet evropiane është sektori i energjisë. Kjo e fokusuar jo aq në zhvillimet e investimeve tout court, por më shumë ato që përbëjnë katalizatorët e tyre, siç është hapja e ish-monopoleve publike, futja e shërbimeve energjetike, zhvillimi i qëndrueshëm, formimi i të rinjve, nxitja e inovacionit dhe konkurrencës, etj. Kështu vendet e reja të punës në energjinë e gjelbër vetëm vitin e kaluar patën një rritje prej 15%.
Ndërsa këto diskutime, që do të ishin aq të dobishme edhe midis nesh, deri këtu edhe në ato pak raste që gjejnë hapësirë duket se janë mbizotëruar nga aspektet e lidhura me rivalitetin politik midis palëve. Kështu, megjithëse reforma e sektorit energjetik është lançuar që në fund të viteve 1990, ajo ende nuk ka dhënë rezultatet e pritshme mbi konsumatorin dhe ekonominë. E gjithë kjo është pak paradoksale, duke iu referuar potencialit që ka energjia në vendin tonë, e tillë për të qenë në një nivel tërheqës edhe për sektorët e tjerë, ndërsa sot në tërësinë e saj vështirë se arrin në vetëm 6% të prodhimit bruto duke angazhuar një forcë punë në rreth 17,000 persona.
Por, ndoshta situatën e përfaqëson shumë më mirë metafora e ajsbergut. Në fakt, sektori i energjisë ka përfunduar një cikël të parë të zhvillimit te vrullshëm dhe shpesh me tipare kaotike dhe të pa kontrolluara, dhe tani duket se po hyn në një fazë të re, më të pjekur por edhe më reflektuese. Një periudhë në të cilën projeksionet janë se ajo mund të “shpërthejë” shpejt potencialin e saj në të gjitha drejtimet, duke përfshirë punësimin, veçanërisht për të rinjtë dhe duke inkurajuar në veçanti një baraspeshë më të drejtë midis gjinive.
Faktet tregojnë që kapitalet ndjekin sinjalet e tregut. Për sa i përket energjisë, tregu krijon jo vetëm një vizion të qartë, por mbi të gjitha mundësinë për të shoqëruar procesin e investimeve të reja me efekte konkrete edhe në punësim. Vendet e rajonit duket se e kanë kuptuar tendencën e ardhshme dhe po nxitojnë për të lancuar bursat e tyre te energjisë. Ndër të fundit në këtë drejtim po lëviz edhe një vend fare i vogël si Mali i zi, i cili llogarit pjesëmarrjen në të edhe të Shqipërisë. Meqenëse projektet e energjisë janë afatgjata, mbi 30-40 vjet, nëse nuk duam të humbin trendin aktual duhet të fillojmë të punojmë që sot për të krijuar një perspektive në këtë drejtim edhe për sektorin tonë energjetikë.
Natyrisht, mbeten shumë aspekte për të arritur në hapjen e tregut, por një pjesë e madhe e rrugës është bërë, dhe kohët e fundit po punohet duke ndërmarrë masa konkrete në lidhje me aktivizimin e bursës, hyrjen në operim të furnitorëve të pavarur të energjisë elektrike, integrimin në tregun rajonal të energjisë, kompletimin e infrastrukturës me Maqedoninë, e cila edhe se vend kufitar ende nuk kemi një ndërlidhje tokësore, etj.
Nga ana tjetër, duhet të jemi të ndërgjegjshëm që bursa e energjisë dhe hapja e tregut do të jetë vetëm hapi i parë i domosdoshëm, por jo i vetë-mjaftueshëm. Në të njëjtën kohë, është e nevojshme të kuptohen dhe të krijohen mundësi për të tërhequr investime të huaj të reja në vend që krijojnë punësim. Në këtë drejtim, ne duhet të synojmë të bëhemi konkurrues në ato fusha ku kemi potencial. Pra, para së gjithash, duhet të punojmë që të përdorim në mënyrë efikase përparësitë natyrore dhe burimet njerëzore që na dallojnë nga vendet e tjera.
Mjafton, të fillojmë të shikojmë çfarë bëjnë fqinjët tanë. Për shembull, Serbia ka arritur të hapë zyrat one-stop shop, e cila në rastin tonë përbënte bërthamën e parë të QKB-se dhe akoma mbetet në letër që nga viti 2009. Apo Mali i Zi ka bërë një udhërrëfyes për investitorët e huaj prej disa vitesh. Alternativat janë shumta, kështu që mund të punohet që çdo biznesi t i çohet një udhërrëfyes mbi mundësitë e investimeve jo vetëm në anglisht por edhe në gjuhën e vet amtare. E njëjta gjë duhet të bëhet edhe nga përfaqësitë tona në vendet nga ku kemi interes për thithjen e investimeve.
Më tej duhet të punohet për aktivizimin e potencialit të investimeve që kanë bazën e tyre në shërbimet energjetike të tilla si ato që lidhen me efikasitetin energjetik dhe auditimin. Proceset që nuk kërkojnë investime intensive si për shumë sektorë të tjerë të infrastrukturës, pasi në qendër kanë kontributin e profesionistëve si auditorët apo menaxherët e energjisë, kompanitë e shërbimit publik, etj., ku kapitali publik që do të duhet të injektohet në rreth 100 milionë euro deri në vitin 2020 do të shumëfishohet duke aktivizuar një kapital privat për 15-17 herë.
Jemi një nga vendet me moshën mesatare më të re, me më shumë ujë, diell, burime natyrore në Evropë dhe jemi ende importues të energjisë. Pra, le të vazhdojmë të importojmë makineri dhe teknologji, por jo të paguajmë energji për përdorim aty ku të gjithë mund ta prodhojnë atë vetë. Lidhur me PV-të mundësitë janë testuar, metodologjia është pothuajse e plotë dhe kjo kategori është edhe më e thjeshtë të aplikohet sepse panelet fotovoltaike të pozicionuar në çatitë e kompanisë ose familjeve, shmangin problemet e pronësisë por edhe të zënies së tokës.
Për më tepër, hapja e tregut, me potencialin hidroelektrik që kemi, na lejon të dominojmë në bursat e energjisë. E gjithë bota sot po konkurron për të ndërtuar akumulatorë dhe bateri gjigante dhe tepër të kushtueshme, dhe ne mjaftojmë të vëmë një digë, sipas të gjitha standardeve dhe pa prekur parqet dhe zonat me potencial unik, por duke rregulluar regjimin e ujërave, duke zhvilluar peshkimin dhe turizmin, dhe u kthyer në “lojtar” në bursat e energjisë, çmimet e të cilave janë në luhatje të forte në ankandet ndërditorë.
Kjo do të nxiste mendimin për të përdorur minerale në vend duke krijuar vlerë më të madhe nga burimet natyrore. Për më tepër, bazuar në energji me kosto më të ulët në vend, mund të mendohet për krijimin e ndonjë industrie që ka nevojë për shumë energji, duke u bërë më konkurruese dhe duke përmirësuar bilancin tregtar e dalë në treg me produkte të vërteta të prodhuara në Shqipëri dhe jo duke eksportuar krahun e kualifikuar të punës.
Integrimi evropian është pikërisht, jo vetëm deklarata formale apo angazhime në letër, por hapa konkretë që reformojnë në qelizë çdo sektor të ekonomisë. Le te kujtojmë se ideja e Evropës, për tu ringritur pas luftës se dyte botërore vuri në baze burimet e energjisë. Ne kushtet e sotme për te shëruar plagën e papunësisë është e domosdoshme të fillohet duke hedhur themelet ne parimet e tregut edhe ne sektorin e energjisë që nga ana tjetër mbështesin formimin dhe trajnimin e duhur të të rinjve në përpjekjet për ndërtimin e një zhvillimi të qëndrueshëm në afatgjatë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.