Sekreti i thjeshtë për të përballuar stresin? Vetëm 2 fjalë - Business Magazine Albania

Sekreti i thjeshtë për të përballuar stresin? Vetëm 2 fjalë

Sekreti i thjeshtë për të përballuar stresin? Vetëm 2 fjalë

Kur është hera e fundit që e gjete veten të pushtuar nga stresi për një situatë që thjesht nuk mund ta kontrolloje? Ndoshta u sëmure pak para një afati të rëndësishëm. Apo një projekt i madh dështoi në momentin e fundit. Pavarësisht sa mirë planifikon, gjithmonë do të ketë gjëra që nuk varen prej teje. Dhe kur ato ndodhin, është shumë e lehtë të humbasësh qetësinë, të përfshihesh nga ankthi dhe të lejosh stresin të të pushtojë.

Në këto raste, një mjet i fuqishëm mendor mund të të ndihmojë. Anne-Laure Le Cunff, neuroshkencëtare dhe autore e librit “Tiny Experiments”, e quan këtë mjet “kaskada e pasojave”, që mbështetet në një shprehje sa të thjeshtë aq edhe të fuqishme: “Edhe çfarë pastaj?”

Si funksionon rregulli “Edhe çfarë pastaj?”
Sa herë ndodh diçka e papritur, Le Cunff sugjeron të ndjekësh këtë qasje: thuaj “Edhe çfarë pastaj?” pas çdo pasoje, derisa të shohësh se çfarë mund të bësh konkretisht për ta zgjidhur ose përballuar. Le të marrim një shembull praktik: Je duke organizuar një aktivitet pas tre orësh dhe papritur cateringu të la në baltë.

– Nuk kemi ushqim për eventin.
Edhe çfarë pastaj?

– Njerëzit do të jenë të uritur dhe të pakënaqur.
Edhe çfarë pastaj?

– Duhet të gjejmë një zgjidhje: ka ndonjë restorant afër? Mund të porosisim diçka me shpejtësi?
Edhe çfarë pastaj?

– Ushqimi nuk do të jetë aq cilësor sa ishte planifikuar.
Edhe çfarë pastaj?

– Por gjithsesi, është më mirë të kenë diçka për të ngrënë sesa asgjë fare. Kjo qasje të ndihmon të përqendrohesh tek ajo që mund të kontrollosh, duke i dhënë më pak hapësirë panikut dhe më shumë hapësirë veprimit.

Lexo edhe:Loja e mjegullt korporative e inteligjencës artificiale duhet të marrë fund!

“Edhe çfarë pastaj?”: Zbutja e ankthit përmes pranimit
Në disa raste, vetë “Edhe çfarë pastaj?” të çon në përfundimin se situata nuk është aq e rëndë sa mendove fillimisht. Le Cunff rrëfen një përvojë personale kur kishte një prezantim shumë të rëndësishëm për një kompani teknologjie, por u sëmur dhe nuk mundi të dorëzonte materialet me kohë. “Në fillim u panikosa. Mendova që do më konsideronin si folësen më të paaftë. Por teksa po zbrisja përgjatë ‘kaskadës së pasojave’, arrita në një pikë kur thashë: ‘Edhe çfarë pastaj?’”, tregon ajo.

Përfundimi?

– Prezantimi do vonohej disa ditë.
– Por gjithsesi, do ishte në kohë për eventin.
– Askush nuk do të vdiste për këtë.

Në fund, thjesht tha: “Edhe çfarë pastaj?”, dhe kuptoi që nuk kishte arsye reale për t’u stresuar.

Si ta aplikosh këtë qasje në jetën tënde?
Nëse ti, ose dikush që njeh,  e ka të vështirë të ruajë qetësinë në momente të vështira, provo të mësosh veten të përdorësh këtë shprehje. Thuaje me zë ose me mend:
“Edhe çfarë pastaj?”
– Derisa të gjesh një zgjidhje konkrete,
– Ose të kuptosh që, në thelb, nuk ia vlen të stresohesh.

Kjo praktikë të ndihmon të ndash gjërat që mund të kontrollosh nga ato që nuk varen prej teje, dhe shpesh do zbulosh që shumë gjëra nuk ia vlejnë të të marrin qetësinë. Në fund të ditës, një shprehje e thjeshtë si “Edhe çfarë pastaj?” mund të bëhet një nga mjetet më të fuqishme për mirëqenien tënde mendore dhe profesionale.

inc

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0