Sejko: Bankat luajtën një rol aktiv deri në kapërcimin e plotë të situatës. Thellohet bashkëpunimi mes Bankës së Shqipërisë dhe Shoqatës Shqiptare të Bankave. - Business Magazine Albania

Sejko: Bankat luajtën një rol aktiv deri në kapërcimin e plotë të situatës. Thellohet bashkëpunimi mes Bankës së Shqipërisë dhe Shoqatës Shqiptare të Bankave.

bankat

Në ambientet e Bankës Shqipërisë, u mbajt një takim diskutimi midis Bankës së Shqipërisë dhe Bordit Drejtues të Shoqatës Shqiptare të Bankave. Qëllimi kryesor i këtij takimi ishte intensifikimi i dialogut dhe bashkëpunimit midis Bankës së Shqipërisë, Shoqatës Shqiptare të Bankave dhe bankave tregtare që operojnë në Shqipëri, për çështje të lidhura veçanërisht me zhvillimet në sistemin financiar e bankar gjatë situatës së krijuar nga pandemia COVID-19.

Guvernatori Genc Sejko vlerësoi sektorin bankar në veçanti për reagimin e duhur ndaj goditjes së pandemisë, i cili vijoi pa asnjë ndërprerje aktivitetin, duke financuar bizneset dhe familjet. Ai theksoi se, gjatë pandemisë, bankat kanë shfaqur angazhim maksimal dhe vullnet të mirë për të kontribuuar në krijimin e lehtësive lidhur me masat e marra nga Banka e Shqipërisë dhe Qeveria Shqiptare, si dhe luajtën një rol aktiv deri në kapërcimin e plotë të situatës.

Ata diskutuan gjithashtu mbi rritjen e përpjekjeve të koordinuara dhe të ndërveprimit institucional, në kuadër të nxitjes së kreditimit të ekonomisë, përmes identifikimit të investimeve potenciale, me synim rimëkëmbjen e aktivitetit ekonomik të vendit dhe rritjes së kontributit të bankave në të.

Në vijim, takimi u fokusua në iniciativat e vazhdueshme të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë, për të zhvilluar më tej tregun financiar dhe rritur transparencën në mbrojtje të interesave të publikut, duke përmirësuar kuadrin rregullativ në industrinë bankare, me fokus kredidhënien dhe transparencën për produktet dhe shërbimet bankare e financiare.

Bisedimet u përqëndruan edhe te modernizimi i mëtejshëm i sistemit të pagesave, i cili luan një rol mjaft të rëndësishëm si në edukimin dhe përfshirjen financiare të popullsisë, ashtu dhe në rritjen e formalizmit të mëtejshëm të ekonomisë, duke shërbyer njëkohësisht edhe si një masë shtesë në drejtim të parandalimit të pastrimit të parave.

Të dyja palët shprehën angazhimin e plotë për vijimin e bashkëpunimit të ndërsjellët institucional, si dhe, me autoritetet qendrore dhe vendore, në funksion të një sektori bankar sa më të shëndetshëm dhe mbështetës të zhvillimit ekonomik të vendit.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0