Gjatë një takimi të zhvilluar në Durrës me kryebashkiakët nga e gjithë Shqipëria, Kryeministri Edi Rama njoftoi se brenda pak ditësh do të publikohen çmimet e reja të referencës për pasuritë e paluajtshme. Në fokus të këtij procesi do të jetë futja për herë të parë e një takse më të lartë për shtëpinë e dytë, një ndryshim që pritet të ndikojë ndjeshëm në financat e bashkive bregdetare.
“Është çështje ditësh dhe dalin çmimet e reja të referencës. Taksa për shtëpinë e dytë do të jetë më e lartë se ajo për shtëpinë e parë. Kjo do të krijojë të ardhura domethënëse për bashkitë e zonave bregdetare, pasi shumë qytetarë atje zotërojnë shtëpi të dyta,” u shpreh Rama.
Sipas kryeministrit, përveçse do të gjenerojnë më shumë të ardhura për qeverisjen vendore, ndryshimet në sistemin e taksimit të pronës synojnë të krijojnë një sistem më të drejtë dhe të qëndrueshëm. Ai paralajmëroi se me rritjen e çmimeve të referencës, taksa e pasurisë do të pësojë një rritje të konsiderueshme, duke sjellë përfitime të mëdha për ato bashki që do të dinë ta menaxhojnë mirë këtë proces.
Lexo edhe: Banka e Shqipërisë hap rrugën për më shumë kredi në infrastrukturë
Rama kritikoi gjithashtu disa bashki për vendosjen e taksave lokale që i cilësoi “ekstravagante” dhe “të pakuptimta”, duke përmendur si shembull sektorin minerar, ku sipas tij, ngarkesa fiskale është e pajustifikuar dhe dëmton logjikën e shëndoshë të zhvillimit lokal. Ai theksoi nevojën për koordinim më të mirë midis qeverisë qendrore dhe pushtetit vendor, duke shtuar se Ministria e Financave do të ofrojë një udhërrëfyes për bashkitë – jo një urdhër detyrues, por një dokument orientues që synon harmonizimin e qasjes në vendosjen e taksave të reja të pronës.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto