Më herët këtë muaj, pasi Meta investoi 14 miliardë dollarë në Scale AI dhe punësoi CEO-n e saj, Alexandr Wang, menjëherë nisën spekulimet se startup-i mund të humbiste disa nga klientët e tij më të mëdhenj. Reuters raportoi se Google ishte kompania e parë që ndërpreu bashkëpunimin me Scale, duke përmendur si arsye për këtë vendim faktin që Meta zotëron tashmë 49% të aksioneve në startup.
Por ndarja ishte vetëm kapitulli i fundit i një marrëdhënieje të gjatë dhe problematike mes Google dhe Scale, e cila sipas dokumenteve të brendshme të siguruara nga Inc., ka qenë e shoqëruar me probleme të theksuara sigurie për të paktën 11 muaj, nga marsi 2023 deri në prill 2024. Programi i parë i Scale për të trajnuar modelet e AI të Google, i quajtur “Bulba Experts,” synonte të përfshinte vetëm ekspertë të fushave të ndryshme. Megjithatë, dokumentet tregojnë se platforma u përmbyt nga “spam”, kontribute me cilësi të dobët, të kryera nga punonjës të pavarur të njohur si “kontribues,” përmes platformës Remotasks, që është në pronësi të Scale. Në kompaninë Scale, klientët identifikohen me emra kodues; “Bulba” ishte emri i përdorur për projektin Bard të Google, i cili më vonë u riemërua në Gemini. Në dokumentet e brendshme përmenden përpjekjet e ekipeve drejtuese për të frenuar “spammer-at,” të cilët shpeshherë përfitonin pagesa pavarësisht cilësisë së dobët të punës së tyre, për shkak të vështirësive për t’i identifikuar dhe larguar. Fjala “spam” dhe variantet e saj përmenden në 83 faqe të dokumenteve. Një përkufizim i përmendur për sjellje spam thuhet: “shkrim pa kuptim, informacion i pasaktë, mendime të gjeneruara nga GPT.” Një numër i madh i këtyre kontributeve ishin bërë nga persona që përdornin ChatGPT për të përmirësuar përgjigjet ose për të përballuar barrierat gjuhësore, megjithëse projektet kërkonin njohuri të avancuara dhe gjuhë të rrjedhshme angleze. Shpesh, detyrat kërkonin diploma të avancuara që shumë prej kontribuesve nuk i kishin.
Lexo edhe:Fondacioni Gates angazhohet me 1.6 miliardë dollarë për Gavi-n
“Ishte një kaos”
Dokumentet e titulluara “Bulba Experts SSOT Overview” paraqesin një panoramë të sfidave në menaxhimin e projekteve për trajnim të të dhënave. SSOT (Single Source of Truth) është një term i përdorur gjerësisht në shkencën e të dhënave. Scale AI, e themeluar në vitin 2016 nga Alexandr Wang dhe Lucy Guo, ofron shërbime të trajnimit të të dhënave për sistemet AI, përmes kontraktorëve që punojnë në distancë, për të etiketuar imazhe, korrigjuar tekste dhe për të siguruar që produktet e AI-së janë të përdorshme dhe të saktë. Pavarësisht kërkesave për ekspertizë të lartë, shumë nga “kontribuesit” nuk kishin as përvojën e nevojshme. Një ish-menaxher (QM) në platformën Remotasks, përgjegjës për rishikimin e punës, tha: “Njerëzit në ekipin tim nuk kishin asnjë përvojë në fushat përkatëse. Kalova net pa gjumë për të identifikuar dhe larguar kontribuesit e papërshtatshëm.” Madhësia e projektit Bulba krijoi hapësirë për abuzime, pasi persona të pakualifikuar mund të regjistroheshin lehtësisht, madje edhe nëse llogaritë e tyre identifikoheshin si problematike, ata krijonin të reja duke përdorur VPN. Sipas ish-menaxherëve, njëherë u shtuan 800 përdorues të rinj në projekt në një ditë të vetme, duke mbushur sistemin me spam.
Probleme me gjuhën, ChatGPT dhe tregtia e llogarive
Programi kërkonte njohuri të avancuara në anglisht amerikane, por dokumentet tregojnë se u përfshi një numër i madh kontribuesish nga vendet në zhvillim si Egjipti, Kenia, Pakistani, Venezuela dhe Afrika e Jugut. Sipas një dokumenti të brendshëm të titulluar “Experts Suspicious Activity Guidelines”, mbikëqyrësit udhëzoheshin të kontrollonin me kujdes kontribuesit nga këto vende dhe të përdornin mjete si ZeroGPT për të zbuluar përdorimin e ChatGPT. Gjithashtu theksohej monitorimi i sjelljeve të dyshimta, si regjistrimi për 18 orë rresht në platformë – çka nënkuptonte që ndoshta disa llogari përdoreshin nga më shumë se një person. Një tjetër shqetësim ishte shitja e llogarive Remotasks në grupe të ndryshme online. Edhe aktualisht, ende ekzistojnë forume në Reddit dhe faqe në Facebook që ofrojnë për shitje llogari të Remotasks dhe Outlier AI.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.