Sapientify, fitues i StartUp 3 - Business Magazine Albania

Sapientify, fitues i StartUp 3


Aleksandra Ngjeliu, me një bazë shumë të mirë në anglisht, ka menduar të sjellë një platformë të të mësuarit online. Ajo parashikon të shtrijë nismën e saj edhe në tregun global. Businessmag.al ka bërë fillimisht një intervistë lidhur me idenë e saj fituese në StartUp3, ndërsa të të gjitha idetë do të ndiqen nga ne për t’ju treguar si po dalin në treg dhe ku po shkojnë.

Mund të na tregoni pak rreth jush dhe si lindi ideja juaj e biznesit?

Unë quhem Aleksandra Ngjeliu. E diplomuar në fakultetin e Gjuhëve të Huaja, dega Anglisht (bachelor dhe master). Kam një eksperiencë 4-vjeçare në mësimdhënien e gjuhës Angleze për grupmosha të ndryshme, duke filluar nga fëmijë 1 vjeç e gjysëm e deri tek të rriturit 45-50 vjeç. Kam marrë trajnime jashtë shtetit mbi metodën Helen Doron (Early English), e cila më ndihmoi të kisha një këndvështrim tjetër në lidhje me mësimdhënien. Kam punuar në qëndra kursesh prej dy vitesh. Përveç mësimdhënies kam punuar paralelisht edhe si përkthyese si freelancer, në përkthime të fushave të ndryshme.

Tre vite më parë fillova mësimdhënien online për një kompani të huaj. Pas dy vitesh eksperiencë u bëra rekrutuesja, trajnuesja dhe menaxherja e mësueseve të para të mësimdhënies online në Shqipëri. Për shkak të një problemi shëndetësor, në janar të këtij viti qëndrova për 4 muaj, gjysëm e paralizuar në shtrat. Në pamundësi për të lëvizur, i vetmi burim të ardhurash për mua ishin kurset online. Kjo më bëri të kuptoj se njësoj si unë, shumë mësues, ekspertë, profesionistë, etj, për një arsye apo një tjetër, ishin të papunë ose hasnin të njëjtat vështirësi. Mendova se kishte ardhur koha që edhe në Shqipëri të shpërndahej kultura e dhënies/marrjes së mësimeve online, kulturë e cila është masivisht e përhapur në shtetet e tjera të botës. Që prej marsit të këtij viti unë dhe një grup prej 5 personash po punojmë me platformën, rekrutimin e ekspertëve dhe studentëve, si dhe krijimin e një ekosistemi mësimdhënieje brenda dhe jashtë vendit.

Cili është misioni i projektit të biznesit, çfarë risie sillni dhe cilat mendoni se janë avantazhet tuaja konkuruese?

Sapientify (Latin. mençuri, dituri) lindi si një nismë sociale për të ndërgjegjësuar shumë të rinj mbi vetë-punësimin dhe mundësitë e pafundme që bota online iu ofron. Ne po mundohemi të sjellim nje risi mbi E-learning/E-teaching, që është shkrirja në një platformë të vetme e: video-kurseve, kurseve live (siç funksionon aktualisht me Skype), MOOCS (kurseve masive online), Ëebinars (seminareve online) dhe trajnimeve apo mentorimeve nga ekspertë të huaj e shqiptarë. Platforma ka brenda saj të gjitha mjetet e nevojshme për një mësimdhënie efektive, pra nuk është nevoja e përdorimit të aplikacioneve të jashtme. Kjo, bashkë me faktin që është e aksesueshme nga kushdo dhe kudo (qoftë individë, qendra kursesh apo shkolla të mëdha) na jep mundësinë të ofrojmë një gamë të gjerë shërbimesh, ndryshe nga konkurentët.

Pse mendoni se ideja juaj mund të shndërrohet në një biznes të suksesshëm?

Teknologjia është e ardhmja! Vetëm me një smartphone në dorë mund të blesh ushqime, veshmbathje, shërbime të ndryshme dhe të kesh botën në dorën tënde. Është vetëm çështje kohe që kjo kulturë të bëhet pjesë e pandashme e jetës së shqiptarëve. Ne e morëm një nismë të tillë edhe nga kërkesat e përsëritura të mësuesve dhe studentëve që na kontaktuan pasi kishim nisur studimin e tregut. Sapientify zgjidh problematika që prekin një numër të madh personash, në lidhje me fushën e edukimit, prandaj besojmë se do të ketë sukses.

Pas pjesëmarrjes në eventin StartUp3, cilat janë hapat që do të ndiqni për të zgjeruar biznesin tuaj?

StartUp 3 “the steps for creating a suçessful business” ishte një mundësi e artë për shumë prej nesh. Unë mendoj se të gjithë ata që regjistrohen në evente të tilla dalin fitues. Kjo sepse marrin përvojën nga ekspertë të fushës, këshillat e tyre praktike dhe ndihmën që një të riu pa experiencë i duhet në fushën e biznesit.  Me ndihmën e organizatorëve arritëm të përshpejtojmë mundësinë e rritjes dhe zgjerimit të biznesit. Aktualisht jemi në bisedime me disa qendra kursesh, përveç mësuesve të vetë-punësuar, për përdorimin e Sapientify në bizneset e tyre. Hapi i rradhës është krijimi i një aplikacioni, në mënyrë që platforma të jetë sa më praktike edhe në smartphone.

Si e imagjinoni biznesin tuaj pas 5-10 vitesh? Cili është vizioni juaj?

Të investosh dhe besosh në diçka që shumë e kanë quajtur çmenduri, kërkon vizion dhe përkushtim. Ne jemi në fillimet tona, por jam e bindur se çdo sipërmarrës që nuk heq dorë përpara vështirësive dhe provon e riprovon për të gjetur një zgjidhje, arrin sukses sado të vogël. Sapientify nuk do të mbetet një projekt i lokalizuar vetëm në Shqipëri. Synimi ynë është që këta mësues dhe ekspertë t’i “nxjerrim” jashtë vendit dhe anasjelltas, në mënyrë që përvoja e secilit prej tyre të shërbejë si katalizator për krijimin e mundësive të reja të zhvillimit. E ardhmja e afërt na pret me krijimin e një akademie online dhe pas saj zgjerimin në tregun aziatik.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0