Samir Mane në 2 kontinente - Business Magazine Albania

Samir Mane në 2 kontinente

Samir Mane në 2 kontinente

Një rrëfim ekskluziv për 30 vitet e suksesit

 

Për Samir Manen, i përzgjedhur nga audienca e Business Mag si sipërmarrës i Vitit 2023, këto 30 vite janë të mbushura me sfida, me vendime të guximshme, me shumë përkushtim e mbi të gjitha me pasionin dhe vizionin për të shkuar larg dhe për të kontribuar në shoqëri, përtej biznesit.  

Në këtë rrëfim ekskluziv për Business Magazine Albania, sipërmarrësi dhe investitori i shumë sukseseve ndan me ne këshilla plot vlerë mbi mënyrat drejt suksesit në biznes; opinionin e tij mbi industritë e së ardhmes; këndvështrimet mbi inteligjencën artificiale dhe rolin e saj në zhvillimin global dhe besimin e tij tek roli i startupeve të reja teksa zbulon për herë të parë investimin revolucionar në bio-teknologji.  

 

Teksa nisej rrugës për në Austri në fillim të viteve 90’, Samir Mane, një djalosh korçar me dilemat e një njëzetvjeçari, me pasiguritë e një emigranti, por me intuitën e një sipërmarrësi nuk e dinte se po niste rrugëtimin që e shndërroi në presidentin e një prej grupeve investuese më të rëndësishme të Ballkanit Perëndimor e më gjerë, me prani në 10 shtete në të dyja anët e oqeanit Atlantik.

Si student, mbartte një peng; nuk studioi biznes siç do të donte, pasi për shkak të sistemit të kohës iu caktua të studionte tjetër degë. Ky peng u shndërrua në levën që lëvizi gjithçka. Nga studenti me ëndrra biznesi në biznesmenin siç shumëkush ëndërron të bëhet. Nga shitja e një televizori në një biznes prej 2.1 miliard Euro, me shtrirje në 2 kontinente. Nga sipërmarrja, te krijimi i një Fondacioni në mbështetje të grupeve sociale më në vështirësi, me fokus të veçantë te edukimi, të rinjtë, arti, zbutja e varfërisë dhe pabarazisë.

Por, asgjë nuk ndodhi vetë. Për Samir Manen, i përzgjedhur nga audienca e Business Mag si sipërmarrës i Vitit 2023, këto 30 vite janë të mbushura me sfida, me vendime të guximshme, me shumë përkushtim e mbi të gjitha me pasionin dhe vizionin për të shkuar larg dhe për të kontribuar në shoqëri, përtej biznesit.  

Çfarë është ky talent biznesi që ju dallon?

Pas gjithë këtyre viteve mendoj se gjithnjë kam dashur të merrem me biznes. Besoj se kam patur një intuitë biznesi që i vogël kur ndihmoja mamanë në dyqanin ku punonte. Më vonë kam parë mundësinë për të bërë biznes dhe e kam kapur. Patjetër që nuk e prisja që të kisha këtë sukses. Dhe nuk e mendoj që talenti, apo intuita ka rolin kryesor në suksesin tim. Talenti është 10 përqind dhe të jeni të sigurt që pjesa tjetër është përkushtim, punë ditë pas ditë, besim se do t’ia dalim me misionin për të bërë dyfish më mirë çdo vit. Nëse do të quhej talent, do të thoja se kam talentin për të sfiduar përherë veten. Është sfidë që nuk mbaron, as sot, as nesër.

Kanë kaluar tashmë 30 vjet që prej kohës kur kjo që keni sot ishte vetëm një ëndërr, ose një vizion. Nëse ktheheni pas, çfarë do të kishit bërë ndryshe? Apo nuk do të ndryshonit asgjë?

Në fakt, ajo ide që kisha para 30 vitesh ishte më shumë se një ëndërr. Isha rreth 20 vjeç dhe mora një vendim të guximshëm do thoja për moshën dhe për kohën. I guximshëm, pasi tregtia ishte në hapat e saj të parë dhe unë dija shumë pak. 

Para 30 vitesh, as nuk e kisha menduar kurrë që do isha këtu ku jam sot. Nëse do kthehesha edhe një herë pas, mbase disa gjëra do i kisha bërë ndryshe, por nuk do kisha mësuar dot nga gabimet. Kështu që nuk do doja të bëja asgjë ndryshe. 

Nga Samir Mane i Neptunit te Presidenti i Grupi BALFIN, çfarë është një gjë që nuk ka ndryshuar?

Në thelb besoj se mbetem i njëjti. Këtë ma thonë shumë miq të vjetër kur i takoj dhe kjo më pëlqen të them të drejtën. Sa herë takoj miq të vjetër fëmijërie, ulemi e kujtojmë historitë kur ishim të rinj e nuk ka kohë më të bukur. Pastaj, nga pikëpamja menaxhuese patjetër që kam ndryshuar, tani jam më me përvojë, kam mësuar jo vetëm nga praktika gjithë këto vite, por edhe nga ekspertë nga e gjithë bota, që janë partnerë me ne. Por, edhe nga pikëpamja menaxhuese ka diçka që nuk ka ndryshuar; që kur vendos diçka i shkoj deri në fund. 

Kur vendosët të ktheheshit, cila ka qenë një nga sfidat tuaja më të mëdha?

Në fakt, jam përballur që në fillim me nje sfidë të madhe; hapjen e QTU-së. Pasi kisha ndërtuar një kompani në Austri ku kam punuar për rreth 14 vjet u ktheva për të ndërtuar të parën qendër tregtare në Shqipëri dhe duhet të isha këtu. Të gjitha studimet e tregut tregonin që ishte një investim i pasigurt, pasi shqiptarët nuk ishin mësuar me qendrat tregëtare duke pasur supermarkete apo markete kudo. Edhe miqtë e mi ishin skeptikë e madje mes tyre edhe babai im më thoshte që të mos e ndërmarr këtë hap, se njerëzit nuk janë mësuar të shkojnë në qendra tregtare për pazare. Por me të gjithë kundër i besova intuitës sime dhe rezultoi një sukses i jashtëzakonshëm. 200 mijë njërëz mbushën QTU-në që në ditën e parë të hapjes. Ishte e pabesueshme.

BALFIN Group është tashmë një grup investimesh i rëndësishëm dhe ju renditeni ndër më të suksesshmit në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë. A ju duhet të punoni ende shumë?

Sigurisht që punoj në mënyrë sistematike përditë dhe asnjëherë nuk do rresht së punuari. Kam  arritur deri këtu me punë dhe e di se vetëm kështu mund të arrij objektivat që i vendos vetes, Grupit BALFIN dhe kompanive të grupit. Punoj 10-12 orë në ditë me një pushim dreke kryesisht në zyrë. Nuk jam mësuar të bëj ndryshe.

Grupi BALFIN ka shumë kompani, me një diversitet shumë të gjerë të portofolit, që nga pasuritë e patundshme, turizëm, bankë, shitje me pakicë. Keni një fushë të re ku keni drejtuar vëmendjen? 

Është e vërtetë që kemi investuar në shumë drejtime dhe të gjitha kompanitë po ecin mjaft mirë. Por, padyshim kjo nuk na bën të rrimë në qetësi, përkundrazi na bën të kuptojmë se kemi stafe shumë të mirë-përgatitura dhe që jemi gati për sfida edhe më të mëdha. Sot Grupi BALFIN përfshin shumë kompani dhe operon në Austri, Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, Bosnje dhe Hercegovinë, Kroaci, Zvicër, Holandë dhe Shtetet e Bashkuara së fundmi. Vlera e aseteve të Grupit është rreth 2.1 miliardë euro. 

Grupi është përherë në kërkim të ideve të reja për të investuar dhe nuk na ka munguar kurajo. Së fundmi kemi investuar në një fushë ku mendojmë se jemi ndër të parët edhe në rajon. Bëhet fjalë për një investim në teknologjinë mjekësore. Implantet rigjeneruese që po zhvillon Clexbio, start-up ku ne kemi investuar, do të jenë një revolucion në bio-inxhinieri. Jam shumë optimist dhe madje entuziast që po eksplorojmë në një fushë të re që ka në fokus një çështje thelbësore: shëndetin.

Kohët e fundit po investoni në pasuri të paluajtshme në Amerikë. Një hap shumë i guximshëm dhe ambicioz. Ku dhe çfarë po bëni konkretisht?

Po, tashmë Grupi BALFIN, në bashkëpunim me partnerë prestigjiozë, po ndërton në New York. Nuk është e lehtë të hysh në një treg të tillë në Shtetet e Bashkuara nëse nuk je një kompani serioze e që garanton standarde. Investimet kanë një vlerë prej 25 milionë USD. Kompania ka nisur punën për ndërtimin e dy objekteve rezidenciale në Bronx, New York. Ne e konsiderojmë si një hap të parë tonin në ShBA dhe që tani po përgatisim veten për një hap të dytë më të madh. Jemi shumë krenarë që ia kemi dalë mbarë deri më tani dhe siç thotë Sinatra; “Nëse ia del në New York, ia del kudo”.

Cila mendoni se është industria e së ardhmes?

Mendoj se është turizmi. Do të ketë gjithmonë njerëz që do të duan të udhëtojnë dhe të bëjnë pushime cilësore me standarde, ndaj edhe ne në BALFIN e kemi në fokus këtë sektor. Ajo që na diferencon është se bëjmë një studim shumë të mirë tregu dhe marrim vendime të menduara shumë mirë se ku do të investojmë. Green Coast, për shembull është një ndër projektet, ku po investojmë 1 miliard Euro. Ky është një ndër projektet më të mëdha në turizëm në gjithë Ballkanin Perëndimor dhe njëkohësisht projekti më elitar në Shqipëri.

Green Coast është një nga investimet shumë të suksesshme mesa duket, a do të zgjerohet kjo tipologji investimi?

Po, është e vërtetë që për “Green Coast” ka kërkesë të jashtëzakonshme dhe ka pritur një numër shumë të madh si shqiptarësh edhe turistësh. Green Coast është investimi më i madh në Shqipëri në turizëm. Bëhet fjalë për mbi 1 miliard euro investim, duke e bërë edhe ndoshta projektin më të madh të viteve të fundit në gjithë Ballkanin perëndimor. Green Coast është një projekt unik, për shkak të kombinimit të natyrës me facilitete të plota për pushuesit, duke përfshirë ambiente sportive, restorante, shëtitore buzë detit, bare, supermarketi dhe një qendre tregtare. Green Coast nuk është vetëm një rezidencë për pushime, por është një stil i ri të jetuari dhe një mënyre e re për të menduar mbi turizmin. 

Në 30 vjetorin e themelimit të Grupit BALFIN ju prezantuat krijimin e Fondacionit Mane. Çfarë misioni ka Fondacioni?

Ndjej kënaqësi për gjithë zhvillimin ekonomik dhe kontributin social që kemi sjellë nëpërmjet aktivitetit ekonomik të Grupit në këto tre dekada. Të gjitha kompanitë e Grupit BALFIN janë një kontribut për përmirësimin e jetës së mijëra personave. 

Përveç kontributit nëpërmjet aktivitetit ekonomik, Grupi BALFIN ka mbështetur në vazhdimësi grupe të caktuara sociale që kanë qenë më në vështirësi, edukimit, mbështetjen e të rinjve, projekte mjedisore, etj. Me rastin e 30-vjetorit të Grupit vendosëm që përpjekjet tona sociale t’i organizojmë më mirë dhe t’i sistemojmë brenda një fondacioni.

Fondacioni Mane ka si mision të japë mbështetje për çështjet më të rëndësishme me të cilat përballet shoqëria, në edukimin e të rinjve, në përmirësim të kushteve për shëndetin, për mirëqenie, për zbutjen e varfërisë dhe pabarazisë, mbështetje në fushën e mjedisit dhe artit. Vetëm përgjatë vitit të kaluar, përmes Fondacionit, kemi mbështetur 37 000 persona në 5 shtete të ndryshme. Pjesë e Fonacionit Mane është edhe programi B4Students dhe me kënaqësi ju them se vitin e kaluar rreth 4 000 studentë kanë përfituar trajnime, praktika profesionale, bursa studimi dhe mbështetje financiare për start-up e tyre. 

Çfarë mendimi keni për Inteligjencën artificiale? Mendoni se është diçka pozitive apo siç thotë Harari, po përgatitet të tejkalojë inteligjencën njerëzore?

Jemi dëshmitar të disa ndryshimeve të rëndësishme dhe shumë të shpejta që po ndodhin në fusha të ndryshme të shoqërisë, rrjedhimisht duke prekur edhe botën e biznesit. Revolucioni digjital po i lë vendin revolucionit që po sjell inteligjenca artificiale. 

Unë jam mbështetës i përdorimit të inteligjencës artificiale, pasi vlerësoj se do të na ndihmojë t’i kemi disa gjëra më të lehta. E marr me mend që disa profesione mund të rrezikohen, por po aq e vërtetë është që profesione të reja po krijohen, apo po marrin më shumë rëndësi. Evolucion i shoqërisë njerëzore është i vazhdueshëm dhe ne duhet të shikojmë të marrim më të mirën. Ashtu si edhe më parë, njerëzimi ka ditur të përshtatet dhe të përdorë gjithçka që i ofrohet në të mirën e tij. 

Ndryshe nga Harari, unë mendoj se nuk duhet të kemi frikë në përdorimin e inteligjencës artificiale. Përdorimi i zgjuar dhe i duhur i inteligjencës artificiale do të përcaktojë edhe fatet e shumë bizneseve në të ardhmen. Prandaj, sa më shpejt të mësohemi me idenë e ndihmës që marrim nga një dorë digjitale, sa më shpejt të mësojmë si ta përdorim kapacitetin e inteligjencës artificiale, aq më shumë shanse do të kemi për të përparuar.

A i përdorni aplikacionet e reja, rrjetet sociale?

Jam përherë i informuar mbi të rejat në fushën e teknologjisë dhe inovacioneve. Përsa u përket aplikacioneve, përdor aplikacionet më të domosdoshme për punën e përditshme. Ndërsa, lidhur me rrjetet sociale jam i pranishëm në Instagram, Linkedin dhe Facebook, ku më së shumti ndaj aspekte nga takime, vizita apo aktivitete të rëndësishme për mua. Pavarësisht se jam përdorues e konsumator i rrjeteve sociale, preferoj leximin e librave. 

Çfarë lexoni kryesisht?

Lexoj më së shumti libra biznesi, menaxhimi, libra mbi të rejat në fushën financiare, biografi të njerëzve të suksesshëm. Madje, nxjerr shënime prej tyre gjithçka që më vlen për biznesin. Herë pas here librat që më pëlqejnë i hedh në rrjetet e mia sociale, duke i rekomanduar ato. 

Keni një libër që do ta rekomandonit veçanërisht?

Do të rekomandoja “Winning” nga Jack Welch, ish CEO i General Electric. Është një guidë shumë e mirë mbi strategjitë e biznesit, kulturën e kompanive dhe vendimet që e bëjnë një kompani të suksesshme.

Audienca e Business Mag ju ka zgjedhur si sipërmarrësin e vitit 2023 duke ju dhënë shumicën e votave në kanalet tona online. Shkurtimisht pse mendoni se ju kanë votuar?

Çdonjëri prej nesh ka nevojë që të marrë mbështetje dhe vlerësime për punën që bën. Prandaj dua të falënderoj ata që më mbështesin për atë që bëj dhe atë që jam. 

Mendoj se shumica shikojnë dhe më kanë vlerësuar për atë që unë kam arritur sot. Për suksesin e sotëm. Ndërkohë ajo që do doja është që të vlerësonin edhe punën e përditshme gjatë këtyre 30 viteve, pasi suksesi nuk është produkt i një dite të vetme. 

Cili është vizioni që do e shtyjë përpara Grupin BALFIN në 30 vjetorin e dytë?

Unë mendoj që një biznes duhet të prodhojë fitime për vete, por edhe për shoqërinë ku operon. Nëse i shikoni të gjitha kompanitë e Grupit BALFIN, Neptun, Spar, Jumbo, QTU, East Gate Mall, TEG, Green Coast, Tirana Bank, etj. janë ndërtuar dhe operojnë me në fokus individin. Të gjitha kompanitë ofrojnë një shërbim, apo një produkt me cilësi të lartë, duke përmirësuar jetën e qytetarëve. Dhe këtë ne e bëjmë me standardin më të lartë në të 10-ta shtetet ku jemi të pranishëm. 

Grupi BALFIN do jetë përherë i gatshëm të investojë dhe të besojë në ide të reja për të ndërtuar biznese që mundësojnë një të ardhme më të mirë. 

Për të lexuar artikullin e plotë abonohu në një nga paketat tona.
Kliko këtu për t'u abonuar.

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0