Sam Altman: “Meta nuk është e mirë në inovacion” - Business Magazine Albania

Sam Altman: “Meta nuk është e mirë në inovacion”

CEO i OpenAI, Sam Altman, ishte së fundmi i ftuar në podcastin e vëllait të tij më të vogël, Jack Altman, ku ndonëse intervista nisi në mënyrë të qetë, përfundoi me deklarata të forta rreth të ardhmes së AI dhe konkurrencës me kompanitë e mëdha të teknologjisë. Në episodin e 13-të të Uncapped With Jack Altman, vëllezërit diskutuan për rolin në rritje të inteligjencës artificiale në drejtimin e bizneseve, sfidat në tregun e talenteve dhe diferencat mes OpenAI dhe rivalëve si Meta.

AI që ndërton biznese me një komandë

Jack e pyeti Sam nëse AI do të jetë në gjendje të krijojë një biznes të tërë me vetëm një komandë. “Po, kjo do të ndodhë,” u përgjigj Sam Altman. Ai përmendi shembuj aktualë ku njerëzit po përdorin AI për të bërë kërkime tregu, për të zhvilluar produkte dhe për t’i prodhuar ato përmes porosive online, duke i shitur më pas në platforma si Amazon dhe duke përdorur reklamat për marketing. OpenAI ka prezantuar së fundmi funksione të reja për përdorim në biznese, si transkriptimi i takimeve dhe integrimi me të dhënat e brendshme të kompanive, ndërsa ka shtuar edhe mbështetje për Model Context Protocol të Anthropic. Kur u pyet për ndikimin e AI në tregun e punës, Altman tha: “Shumë vende pune do të zhduken, shumë të tjera do të ndryshojnë rrënjësisht. Por gjithmonë kemi gjetur mënyra të reja për t’u përshtatur.” Ai shtoi me humor se disa prej profesioneve të reja mund të duken të çuditshme—duke përmendur se “podcast bro” nuk ishte një profesion i vërtetë më parë, por që tani vëllai i tij po e monetizon me sukses.

Lexo edhe:FMN ngre alarmin: Rrezikohet mënyra europiane e jetesës nëse nuk rritet produktiviteti

Kritika ndaj Meta-s dhe kulturës së kompanive

Në një pjesë më të drejtpërdrejtë të bisedës, Sam kritikoi taktikat agresive të rekrutimit të përdorura nga Meta, duke përmendur oferta të mëdha financiare, përfshirë bonuset e nënshkrimit deri në 100 milionë dollarë. “Ata mendojnë se ne jemi konkurrentët e tyre më të mëdhenj,” tha Altman, duke shtuar se përpjekjet e Meta për zhvillimin e AI nuk kanë dhënë rezultatet që ata prisnin. “Kuptoj pse po investojnë kaq shumë në AI,” tha Altman, “por nuk jam i bindur që kjo do t’u vlejë. Një ish-punonjës i Meta më ka thënë se ndërsa pjesa tjetër e botës e sheh ChatGPT si një zëvendësues për Google, në Meta mendojnë se është zëvendësues për Facebook, sepse njerëzit po kalojnë gjithnjë e më shumë kohë duke folur me AI në vend që të komunikojnë me miqtë.” Altman shtoi se, deri më tani, asnjë nga anëtarët më të mirë të ekipit të tij nuk ka pranuar ofertat e Meta. “Kur i jep dikujt kompensim të garantuar kaq të lartë që në fillim, ata do të fokusohen te paratë, jo te puna dhe misioni. Kjo nuk ndërton një kulturë të shëndetshme.”

“OpenAI kupton gjëra që Meta nuk i kupton”

Altman pranoi se ka gjëra që i respekton tek Meta, por shtoi: “Nuk mendoj se janë të mirë në inovacion. Ajo që e bën OpenAI të veçantë është se kemi ndërtuar një kulturë që gjeneron inovacion në mënyrë të përsëritur. Dhe mendoj se kuptojmë shumë gjëra që ata nuk i kuptojnë kur vjen puna te suksesi në këtë fushë.” Në fund, Altman nuk i kurseu as komentet për të tjerët në sektor. “Google më tregon rezultate kërkimi gjithnjë e më të dobëta dhe më shumë reklama. Meta po përpiqet të më mbajë të varur duke më shtyrë të vazhdoj të lëviz në feed. Apple më dërgon njoftime që më shpërqendrojnë. Por ChatGPT thjesht përpiqet të të ndihmojë. Dhe kjo është diçka e bukur.”

Podcasti i plotë:

 

inc

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0