Sa të shëndetshme po e mbajnë ekonominë politikat monetare dhe fiskale? - Business Magazine Albania

Sa të shëndetshme po e mbajnë ekonominë politikat monetare dhe fiskale?

politikat monetare

Rritja e kostove të sektorëve që zhvillojnë ekonominë shqiptare do të jetë një provë e qëndrueshmërisë së tyre në vitin 2023 dhe më tej.

Ekziston një frikë në rritje jo vetëm në Shqipëri, se ndikimi i sistemit energjetik global, abuzimi i ekonomive të mëdha në kurriz të atyre të vogla, si dhe ndikimet gjeopolitike kërcënojnë konkurrencën dhe rrisin tendencat për rënien e mirëqenies dhe varfërimin e periferisë sociale në vendet e vogla si Shqipëria.

Nuk është në rrezik vetëm prosperiteti, por edhe shëndeti i demokracisë së paqëndrueshme.

Tashmë në Shqipëri, inflacioni i produkteve energjetike (karburanteve) po përhapet në pjesën tjetër të ekonomisë, duke ndikuar ende fuqishëm në një dilemë akute të Bankës së Shqipërisë (BSH) për të rritur normën e interesit për të kontrolluar çmimet.

Nëse veprimi dërrmues mbi tregun e lirë, ai i kontrollit të çmimeve, i cili po shkon shumë larg, atëherë kjo politikë do të thotë se do të vijohet të destabilizohet jetesa për qytetarët më të dobët financiarisht të ekspozuar ndaj shpenzimeve të huamarrjes dhe mirëmbajtjes, por jo më pak do të vijojë të dëmtohet edhe bujqësia, prodhimet sezonale dhe aktivitetet ekonomike me borxhe.

Humbja e momentit ekonomik nëpërmjet politikës fiskale po e bën vendin më të varfër në krahasim me objektivat që nuk janë përmbushur dhe po instalon një model të fuqisë ekonomike në rënie. Krahasuar me trajektoren e ekonomisë, sipas Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) përpara Covid-19, Shqipëria ka reaguar më keq se çdo fqinj tjetër.

Qeveria duhet të heqë dorë nga rutina buxhetore si deri më sot dhe të përgjigjet me subvencionet e duhura në një situatë të përshkallëzuar, të dominuar nga ekonomitë më të forta në marrëdhëniet tregtare me Shqipërinë.

Huazimi i parave po bëhet më i shtrenjtë. Por, kursimi po bëhet më fitimprurës. Këtu nuk kemi parasysh vetëm financimin e borxhit publik me bonot e thesarit që blejnë individët.

Dhe kjo situatë na jep sinjale alarmante, se vendi mund të jetë në prag të një recesioni.

Megjithatë, në shumë gjëra që po ndodhin tani, duket se Banka e Shqipërisë ka një ndikim të rëndësishëm në të gjitha këto.

Efekti kumulativ [1] i rritjes së normave të interesit në vitin 2022 ka një ndikim më të madh në kuletat e individëve dhe bizneseve sesa mund ta kuptojnë ata, por edhe më shumë rritje të normave të interesit mund të jenë në rrugë e sipër [2].

Kjo do të thotë se do të jetë vërtet e vështirë të gjenden produkte kredie me norma të ulta interesi dhe do të jetë shumë më e vështirë të kthehen kreditë e marra më herët, por që tashmë kanë rritur normën e interesit, pra këstin e pagesës.

Por, bazuar në rritjen e rolit të BSH për të ndihmuar ekonominë të vazhdojë pa probleme, edhe pse duket se ajo po monitoron disa nga treguesit ekonomikë, si papunësia, çmimet e konsumit dhe produkti i brendshëm bruto (PBB), pritet që BSH-ja të ndërmarrë veprime shtesë për të kundër reaguar për këta tre tregues që po tregojnë shenja nxehje.

BSH duhet të përshtatë politikën e saj monetare për të inkurajuar (jo dekurajuar) njerëzit dhe bizneset nga huamarrja, shpenzimi dhe investimi.

Lexo: Pse kapitalizmi patriotik është rruga përpara për konservatorizmin?

Edhe pse këtë vit, BSH-ja është përpjekur të luftojë rritjen e inflacionit duke rritur normat e interesit, çështja është se shtrëngimi nuk po funksionon ashtu siç synohej deri më tani dhe ka ndikuar pjesë-pjesë në të gjithë ekonominë.

Inflacioni është ende i lartë dhe normat e interesit po rriten, duke i vënë huamarrësit në një situatë të vështirë financiare. Kjo mund të ketë efektin e ngadalësimit të kërkesës dhe shpenzimeve për konsumatorët, por ndikon edhe tek bizneset.

Kostoja e huamarrjes, e cila është e lartë ka rritur shumë këstet e kredisë. Kjo ka ndikuar fuqishëm që personat e grupit me të ardhura fikse të përballen me një situatë mjaft kritike për shkak të rritjes së shumës për t’u paguar.

Është e qartë se qëllimi më i madh i rritjes së normave të interesit nga BSH është ngadalësimi i aktivitetit ekonomik, si një dëm më i vogël krahasuar me rritjen e çmimeve që konsiderohet si dëmi më i madh. Por problemi me të cilin duhet të përballet me ngadalësimin ekonomik është se ku është pika kritike, që nuk duhet kapërcyer.

Dhe në rast se konsumi vazhdon të ulet si në periudhën e Covid 19, por edhe papunësia do të rritet, si dhe evazioni nuk do të ulet, atëherë kriza e politikës monetare nuk duhet të presë përkeqësim të mëtejshëm, por duhet të jetë gati për zbatimin e skenarëve të ndryshëm antikrizë.

Edhe në rastin kur inflacioni do të fillojë të ulet në një nivel të stabilizuar, ky duhet të jetë fillimi i një politike për rritjen e qarkullimit monetar për BSH-në. Kjo qasje mund të bëhet si nëpërmjet ofertës monetare direkte në funksion të borxheve që ka qeveria ndaj qytetarëve dhe bizneseve shqiptare, por edhe nëpërmjet uljes së normave të interesit për huamarrësit.

I gjithë kuadri i politikës së ndërmjetme duhet t’i ngjajë politikës monetare të lirshme ose politikës ekspansioniste që rrit ofertën e parasë dhe kredisë për të gjeneruar rritje ekonomike.

Kjo politikë ka më shumë kuptim sesa skemat e kopjuara nga bankat që i përkasin ekonomive pa ngjashmëri me Shqipërinë. BSH duhet të përshtatë zbatimin e një politike monetare ekspansioniste për të ulur papunësinë dhe për të stimuluar rritjen në kohë të vështira ekonomike.

Ndërkohë, nëse qeveria nuk arrin të koordinojë politikën fiskale (së bashku me reduktimin e informalitetit) me këto masa monetare[3], atëherë i gjithë ky modelim i përmendur këtu rezulton pa efekt.

Mungesa ose problematika e koordinimit ndërmjet autoriteteve monetare dhe fiskale do të rezultojë në një performancë më të ulët ekonomike të përgjithshme.

Ne si ekspertizë civile bashkë me ekspertë të organizatave të biznesit dhe më gjerë, duhet ta monitorojmë këtë situatë në ndihmë të llogaridhënies bazuar në analizën e transparencës së qeverisjes, duke mësuar argumentin se sa të shëndetshme po e mbajnë ekonominë politikat monetare dhe fiskale.

Altax

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0