Sa do të jetë rritja e pagave në 2017? - Business Magazine Albania

Sa do të jetë rritja e pagave në 2017?


Qeveria ka detajuar politikën për rritjen e pagave të administratës. Projekti tashmë është gati për në Kuvend si pjesë e projektbuxhetit të vitit 2017.

Rritja mesatare e pagës për sektorët kryesorë: arsimin, shëndetësinë dhe policinë e shtetit do të jetë me 10%, ndërsa për punonjësit e administratës qendrore 7%. Kosto vjetore për këtë rritje është 7.5 miliardë lekë, por duke qenë se kjo politikë do të aplikohet në muajin mars kosto reale në buxhetin e 2017 nga kjo rritje do të jetë 6.2 miliardë lekë.

Nga kjo rritje do të përfitojnë 110 000 punonjës, nga të cilët 81 mijë punonjës janë buxhetorë dhe rreth 29 mijë punonjës të tjerë janë mjekë, infermierë dhe punonjës mësimorë të universiteteve publike.

Politika e rritjes së pagave do bëhet e diferencuar duke i dhënë prioritet kryesisht pagës minimale, pagës në sistemin arsimor dhe shëndetësor, pagës së administratës publike si dhe pagës së punonjësve në sistemin e Policisë së Shtetit.

Paga minimale do të rritet me 36.3 % ose me 8 000 lekë/muaj. Numri total i përfituesve nga rritja e pagës minimale në administratën buxhetore për vitin 2017 është rreth 6 900 punonjës dhe fondi i nevojshëm nga kjo rritje është rreth 1 miliardë lekë në vit.

Rritja e pagës në sistemin arsimor publik parauniversitar dhe universitar do të jetë me 10%. Numri i përfituesve është gjithsej 38 000 punonjës mësimorë. Fondi i parashikuar për t’u akorduar për këtë qëllim arrin në 1.8 miliardë lekë. Gjithashtu, kjo rritje page do të financohet nga buxheti i shtetit edhe për 8000 punonjës të tjerë mësimore që janë në varësi të bashkive , duke shtuar financimin e grantit në masën 500 milionë lekë.

Rritja e pagës në sistemin shëndetësor publik do të jetë 10%. Numri i përfituesve është gjithsej 18 500 mjekë dhe infermierë. Fondi i parashikuar për t’u akorduar për këtë qëllim arrin në 1.5 miliardë lekë, sqaron Ministria e Financave.

Rritja e pagave të punonjësve të Policisë së Shtetit do të jetë me 10%. Numri i përfituesve është rreth 10 000 punonjës policë dhe fondi i parashikuar për t’u akorduar për këtë qëllim arrin në 800 milionë lekë.
Ndërsa rritja e pagës së nëpunësve të Administratës Publike është mesatarisht  7%.

Burimi: monitor.al

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0