Sa do të rritet paga minimale? - Business Magazine Albania

Sa do të rritet paga minimale?


Ministri i Financave Arben Ahmetaj ka pohuar sot në daljen e fundvitit për mediat se paga minimale për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore do të rritet në 23 mijë lekë ose 24 mijë lekë, kjo nuk është vendosur akoma.

Deklarata e sotme është e kundërt me atë të Tetorit, ku Ministri i Financave tha se paga minimale për bizneset nuk do të rritej, por vetëm ajo për shtetin do të arrinte në 30 mijë lekë.

Ndonëse bizneset janë ankuar se rritja e pagës minimale e palidhur me produktivitetin do t’i dëmtojë ata, Ahmetaj tha se niveli i ndryshimit është i vogël dhe nuk pritet të ndikojë në konkurrueshmërinë e bizneseve.

Aktualisht paga minimale për efekt të llogaritjes së kontributeve shoqërore është 22 mijë lekë dhe prej tre vitesh qëndron e pandryshuar.

Rritja e pagës minimale sjell automatikisht dhe atë të pagës maksimale, por rregulli që paga maksimale është sa pesëfishi i asaj minimale është prishur që prej dy vitesh. Aktualisht paga maksimale për efekt kontributesh është 97,030 lekë.

Biznesi, ekspertët e sindikalistët ndajnë mendime të ndryshme rreth rritjes së pagës minimale.

Sipërmarrjet janë kundër. Me rritjen e pagës minimale, në kushtet kur ajo nuk është e lidhur me produktivitetin, bizneset pohojnë do të përballen me kosto më të larta, e që mund t’a reflektojnë këtë te çmimet. Apo më keq, siç thonë edhe vetë sipërmarrësit, mund të nxisë informalitetin.

Florjan Zekja, drejtues i një biznesi fason, thotë se “rritja e pagës minimale për sektorin tonë do të ishte shkatërruese. Kostot e punës do të rriteshin ndjeshëm. Kjo do të bënte që porositësit të largoheshin në vende të tjera, si në Maqedoni apo në Tunizi”.

Edhe Gjergj Liqejza, një tjetër drejtues kompanie fasoni në Shkodër, thotë se në sektorin e fasonit, fondi i pagave zë rreth 60% të kostove dhe se rritja do të cenonte rëndë marzhin e fitimit të kompanive që operojnë. “Nga njëra anë, tatimfitimi 15%, po kaq edhe tatimi mbi dividentin, 9% nga rritja e pagës minimale, të gjitha këto nuk bëjnë gjë tjetër veçse rrisin koston e punës dhe na bëjnë jokonkurrues”, thotë z. Liqejza.

Në anën tjetër, sindikatat kanë kërkuar rritje të pagës minimale. Kol Nikollaj, president i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë thotë se ata kanë miratuar një rezolutë, e cila iu drejtua strukturave qeverisëse dhe vendimmarrjes politike, duke kërkuar një rritje të pagës minimale në masën 30%.

Burimi: monitor.al

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024
Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0