Rrugëtimi i shqiptarit, nga emigrant në anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve - Business Magazine Albania

Rrugëtimi i shqiptarit, nga emigrant në anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve

Shqiptaro-amerikani Ardian Zika u largua nga Kosova në moshën 17 vjeçare në kërkim të një jete më të mirë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 21 vite më vonë, më 2018, ai fitoi mandatin e tij të parë si anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve në shtetin e Floridës, ndërsa tani gëzon mandatin e tij të dytë në këtë detyrë.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës zoti Zika thotë se arsyeja që e nxiti të futet në politikë është që të sigurohet se edhe gjeneratat e reja gëzojnë mundësitë që ai i gjeti në ShBA. Nëntorin e vitit të kaluar shqiptaro-amerikani Ardian Zika fitoi mandatin e tij të dytë si përfaqësues i Partisë Republikane për një nga 120 vendet e Dhomës së Përfaqësuesve të Floridës.

Rrugëtimi deri në këtë pozitë të rëndësishme në politikën e këtij shteti amerikan, thotë ai, është mishërimi i realizimit të ëndrrës amerikane. “Unë jam një amerikan që e filloi rrugëtimin si emigrant nga Kosova. Jam mishërimi i veçantisë amerikane. Amerika është një komb i mrekullueshëm. Amerika është vendi të cilin Ronald Reagan e quajti qyteti që ndriçon në kodër, ku kushdo, nga çdo sferë e jetës, mund të vijë, të punojë dhe të arrijë sukses sepse mundësitë këtu janë të pafundme,” thotë zoti Zika për Zërin e Amerikës.

Shqiptaro-amerikani Zika erdhi në ShBA në moshën 17 vjeçare, fillimisht në Luiziana, ku mbaroi shkollën e mesme dhe fakultetin, ndërsa studimet pasuniversitare i kreu në Florida. Për 14 vite ai punoi në sektorin bankar, ndërsa më vonë themeloi edhe kompaninë konsulente në fushën e biznesit “Guardian Street”.

Përkundër karrierës së suksesshme në sektorin privat, ai thotë se gjithmonë ishte i interesuar në politikë, sepse e ndjente si detyrim për të kontribuar për vendin, që i dha gjithçka. “Jam shqiptaro-amerikani i parë nga Kosova që bëhet pjesë e Dhomës së Përfaqësuesve të Floridës. Një nga tre shtetet më të mëdha në vend, një nga 20 ekonomitë më të fuqishme në botë, me prodhim të përgjithshëm mbi një trilion dollarë.Jam shumë krenar që jam një amerikan që ka filluar rrugëtimin e tij si emigrant dhe që ka arritur sukses në këtë vend të mrekullueshëm, që të gjithë e duam”, thotë zoti Zika.

Ai thotë se qëllimi parësor i tij në politikë është angazhimi që edhe gjeneratat e reja të kenë mundësitë, që atij iu dhanë në ShBA. “Ky është institucioni që përcakton të gjitha politikat publike që lidhen me drejtimin e shtetit të Floridës, një vend i mrekullueshëm ku jetojnë mbi 20 milionë banorë. Me një buxhet prej mbi 100 miliardë dollarësh. Roli im është shumë i rëndësishëm. Arsyeja kryesore që unë iu futa garës, është që Florida të vazhdojë të jetë vendi ku njerëzit të vazhdojnë të realizojnë ëndrrën amerikane, në mënyrë që çdo fëmijë të ketë mundësi të barabarta”, shton ai për Zërin e Amerikës.

Në një kohë kur Shtetet e Bashkuara po përjetojnë ndasi të forta politike mes Partisë Republikane dhe asaj Demokrate, shqiptaro-amerikani, thotë se pavarësisht dallimeve qëllimi është i njëjtë.

“Politika amerikane është shumë e zhurmshme. Por përkundër kësaj qëllimet i kemi të përbashkëta. Një qëllim që fuqizon pasionin tonë, një pasion që garanton që të gjithë të jemi të bashkuar në një, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndërsa ne mund të mos pajtohemi për disa çështje, ne të gjithë pajtohemi për një gjë, se Amerika është një vend i mrekullueshëm”, thotë zoti Zika.

I pyetur për situatën në Kosovë, zoti Zika tha se paqja dhe stabiliteti në Ballkan është rruga e vetme për një Evropë të qëndrueshme, ndërsa shtoi se ka besim se administrata e Presidentit Joe Biden do të vazhdojë angazhimin për arritjen e këtij synimi.

“Për mendimin tim presidenti Biden i kupton çështjet në atë rajon të Evropës. Bazuar në ato që kam lexuar dhe sipas mendimit tim, ai është i përkushtuar që të vazhdohet mbështetja, që të sigurohet se ky rajon i Evropës do jetojë në paqe dhe do të ketë një të ardhme shpresëdhënëse. Mendoj se ai e kupton shumë mirë atë pjesë të botës”, përfundon zoti Zika.

Aktualisht partia republikane ku bën pjesë Ardian Zika kontrollon Dhomën e Përfaqësuesve në shtetin e Floridës ku nga 120 vende, republikanët mbajnë 78,ndërsa demokratët 42./ VOA

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0